E drejta dhe Kushtetuta në anën e Presidentit

Diel, 16 June 2019 19:21

GELANDA SHKURTAJ*

Në debatin që ka përf shirë sot vendin, në  lidhje me qëndrimin e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e vendimit, me të cilin ai vetë kishte vendosur mbajtjen e zgjedhjeve lokale, janë krijuar “llogore” qëndrimesh dhe opinionesh, që në thelbin e tyre nuk kanë dalë dot nga bindja, ose më keq akoma, nga mbështetja politike.

Në fakt, sot në Shqipëri, është e vështirë të gjesh një të djathtë i cili të mbajë një qëndrim pro të majtës, dhe e kundërta, edhe kur ai vendim është i vërtetë dhe i drejtë, dhe i bazuar në ligj, ose të paktën edhe sikur të mos jetë kështu, por atë vendim e kërkon e “mira e atdheut”.

Nuk jam për të gjykuar mendësinë e askujt, pasi përtej bindjeve dhe ndasive politike, secili prej nesh ka në dorë të arsyetojë në paanshmëri për t’i dhënë përgjigje një çështjeje apo situate të caktuar.

Gjithsesi, e bazuar vetëm mbi parashikimet ligjore, në interpretimin e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, edhe pse jam e ndërgjegjshme se debati teorik është i vështirë për t’u zhvilluar, pasi në Shqipëri qëndrimin “pro” apo “kundër” e anatemon një shkrues si “të majtë kundër të djathtës” apo anasjelltas.

Gjykimet apo opinionet për një fakt juridik janë tejet delikate, kurrë nuk duhet të jenë sipërfaqësore, duke iu referuar një ose dy normave të veçanta, por duhet padyshim t’i përmbahen në interpretim shqyrtimit të tërthortë të shumë dispozitave ligjore, ku mbi të gjitha rolin kryesor e ka Kushtetuta ose e quajtura ndryshe “ligji i ligjeve”. Së pari: A ka të drejtë Presidenti i Shqipërisë, zoti Ilir Meta, në ushtrimin e kompetencave të tij si kryetar i shtetit, dhënë nga Kushtetuta, për të shfuqizuar një vendim të cilin ai vetë disa muaj më parë e kishte dekretuar (çdo vendim i marrë nga Presidenti në gjuhën teknike ligjore quhet Dekret).

Së dyti: Ku e bazon ai këtë vendim, pasi sikurse e dimë të gjithë, çdo aktivitet i institucioneve shtetërore, përfshirë këtu edhe Presidentin e Republikës, i cili është institucioni më i lartë në përfaqësim të shtetit, duhet të jetë i bazuar në ligj. Apo, ai ka të drejtë ta bazojë vendimin e tij, edhe në të drejtë (dhe këtu prekim një debat të hapur në lidhje me raportin ligji përballë së drejtës).

Në lidhje me pyetjen e parë do të përgjigjesha duke thënë se, po të shqyrtohen me vëmendje të gjitha dispozitat në parashikim të Kushtetutës së Shqipërisë, të cilat i referohen figurës dhe kompetencave të Presidentit, në lidhje me procesin e zgjedhjeve në përgjithësi dhe atyre vendore në veçanti, ato përmblidhen kryesisht në nenet që shkojnë nga 86 deri në 94. Në lidhje me çështjen në fjalë, tagri i Presidentit gjendet në nenin 92, nen ky që liston me radhë kompetencat që ushtron një President Republike në detyrë, dhe në pikën “gj” të këtij neni flitet edhe për caktimin e datës së zgjedhjeve. Bazuar mbi këtë dispozitë, Presidenti Meta ka dekretuar datën 30 qershor 2019 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Shtrohet pyetja, nëse është e mjaftueshme vetëm kjo dispozitë në vendimmarrjen e Presidentit për datën e zgjedhjeve. Përgjigjja është jo, pasi në këtë pikë Kushtetuta duhet të lexohet së bashku edhe me dispozitat e veçanta të Kodit Zgjedhor, i cili përbën ligjin “organik” ku bazohet i gjithë procesi zgjedhor në Shqipëri.

Po çfarë thotë Kodi Zgjedhor në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve vendore nga ana e Presidentit? Ky Kod përgjigjet për këtë fakt në nenin 10, duke thënë se mënyra se si Presidenti duhet të marrë këtë vendim duhet të bëhet në zbatim të nenit 9 të Kodit Zgjedhor. Duke ecur më tej dhe kërkuar në përmbajtjen e nenit 9, ky i fundit jo vetëm thotë se këtë vendim e merr Presidenti, por na kthen edhe një herë në Kushtetutën e Shqipërisë, dhe konkretisht në nenin 65 të saj, duke thënë se vendimmarrja e tij duhet të bëhet në përputhje të këtij neni.

Në mënyrë të thukët, këto dispozita thjesht thonë: – është Presidenti i Republikës që dekreton datën e zgjedhjeve për të gjithë territorin, brenda disa afateve të përcaktuara që shkojnë nga 15 mars-30 qershor, ose 15 shtator 30 nëntor; – baza ligjore në mbështetje të kësaj kompetence, dhënë Presidentit, gjendet në përmbajtje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor; – parashikimet e datave duhet të bëhen në përputhje me mbarimin e mandatit të Kuvendit apo me shpërndarjen e tij, në rast se ka. Atëherë, këtu duhet kërkuar edhe momenti më i rëndësishëm, në lidhje me problemin e shtuar, pra, ka apo nuk ka të drejtë Presidenti, vetëm në përmbajtje të këtyre dispozitave që të shfuqizojë vendimin e mëparshëm? Përgjigja është se nga pikëpamja juridike nuk ka një qartësi për këtë fakt. Pra, e thënë ndryshe, në asnjë nga këto dispozita nuk thuhet tekstualisht, as që Presidenti ka të drejtë të shfuqizojë vendimin e tij të mëparshëm dhe asnjë dispozitë që shprehimisht të ndalojë Presidentin e Republikës që të mos e bëjë një veprim të tillë, pasi është antikushtetues e kështu me radhë.

Në këtë pikë, secili gjykim i dhënë ngelet në suazën e një interpretimi personal juridik, ndaj gjykoj se është e pavend çdo bindje kokëforte, qoftë në favor apo qoftë në kundërshtim, qoftë kombëtare apo ndërkombëtare. Lind e drejtë pyetja: kush do të ishte individi apo institucioni, i cili do të na përgjigjej për këtë?

Padyshim përgjigja shkon “si gjuha ku dhemb dhëmbi”, te Gjykata Kushtetuese e cila përbëhej nga juristë të karrierës, të përgatitur dhe të cilët na kanë dhënë shembull të një vendimmarrjeje asnjanëse, të përgjegjshme, efikase dhe largpamëse në kuptimin e qëndrueshmërisë në kohë. Do të ishin vetëm këta zotërinj dhe vetëm ky institucion që do t’i përgjigjeshin Presidentit nëse, kthehem e përsëris, vetëm në interpretim të këtyre dispozitave kishte apo jo të drejtë të shfuqizonte vendimmarrjen e tij. Kësisoj, është e kotë të shpjegoj gjendjen në të cilën gëlon sot Gjykata Kushtetuese, pasi të gjithë duhet ta pranojmë njëzëri se Reforma në Drejtësi na u kthye në mungesë të institucioneve që japin drejtësi.

Pra, përpara se të ndërmerrej implementimi i Reformës në Drejtësi, juristët këshilltarë të politikanëve, duhet t’i bënin pyetjen vetes si duhej futur kjo reformë dhe si duhej zbatuar, në mënyrë që nesër, vendimi të mos na kthehet kundër dhe ta çoj vendin dhe gjyqësorin në kolaps total?!

Sot nuk e kemi këtë Gjykatë për t’i dhënë një përgjigje Presidentit, gabove apo jo, si edhe ta “ndëshkojmë” atë në rast gabimi! Në lidhje me pyetjen e dytë, se ku e ka bazuar vendimmarrjen e tij Presidenti, këtu ka shumë për të folur dhe është kolona ku qëndron e gjithë ngrehina arsyetuese e tij. Po të lexohet me vëmendje shpjegimi i dhënë në shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet, nuk prek aspak kundërargumentimin, nëse ai është i legjitimuar të veprojë në përputhje me nenet 92, 65 të Kushtetutës dhe nenet 9, 10 të Kodit Zgjedhor.

Presidenti i Republikës gjen të gjithë bazën e arsyetimit të tij për shfuqizimin, vetëm dhe vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por tashmë duke iu referuar një serë dispozitave të veçanta dhe shumë kuptimplote, të cilat, si të para veçmas ashtu edhe të interpretuara së bashku e në vazhdimësi, bazuar në parimin e vetësanksionuar se Kushtetuta interpretohet në tërësinë e saj, legjitimojnë veprimtarinë e Presidentit, jo vetëm në kryerjen dhe zbatimin e detyrës së tij si kryetar i shtetit, por edhe si mbrojtës i të drejtave dhe lirive themelore të nënshtetasve dhe i unitetit kombëtar.

Kushtetuta në shumë sisteme juridike, për nga pikëpamja e hierarkisë së burimeve të së drejtës, qëndron në krye (ose për të përdorur një gjuhë të thjeshtë në të gjithë morinë e ligjeve, rregulloreve, marrëveshjeve ndërkombëtare, urdhrave, udhëzimeve, pra, akteve normative në përgjithësi, ajo është e para). Presidenti i Republikës, tashmë nën petkun e kryetarit të shtetit, i gjendur në një moment të rëndë dhe kritik ku tashmë ndodhet vendi i tij, i nisur katërcipërisht nga parimi dhe idetë se ruajtja e unitetit kombëtar, garantimi i të drejtave dhe lirive themelore, mosçuarja e vendit në një konflikt civil, dalin në një plan shumë më të rëndësishëm se një datë kalendarike, argumenton se bazuar në nenin 1 paragrafi 3, nenin 3, nenin 15, nenin 45, nenin 86 paragrafi Irë, nenin 92 dhe nenin 93 të Kushtetutës, se:

-Së pari, se ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë, pra, Kushtetuta, i njeh vetëm atij të drejtën e përcaktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare, vendore dhe atyre për referendum dhe asnjë organi tjetër publik;

-Së dyti, se vendimmarrja e tij për datën 30 qershor 2019, u ndërmor sipas parashikimeve të nenit 8 të Kodit Zgjedhor (periudhat zgjedhore), në një moment kur klima politike, edhe pse antagoniste, ishte e qetë dhe jokonfliktuale;

-Së treti, sepse për shkak të ndryshimeve të thella politike e ligjore, ku partitë politike të opozitës dorëzuan në grup mandatet e tyre të deputetëve, ku brenda afateve ligjore ato nuk janë regjistruar në KQZ, duke argumentuar se nuk kanë klimë për të besuar në një poçes votimi të ndershëm dhe asnjanës;

– Së katërti, duke qenë se vendi ndodhet në kolapsin më të rëndë të sistemit gjyqësor, duke nisur që nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe mosfunksionimi i plotë i Gjykatës së Lartë, fakt ky që sjell një shkelje të rëndë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, gjë e cila nënkupton se sot kemi një legjislativ dhe një ekzekutiv, por na mungon një pushtet i tretë dhe i domosdoshëm sikundër është gjyqësori;

– Së pesti, duke konsideruar insistimin nga ana e Partisë në pozitë udhëheqëse të vendit, e cila deklaron pjesëmarrjen e vetme në zgjedhje, duke neglizhuar dhe injoruar parimet e demokracisë, Kushtetutën, Konventën Europiane për të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë, rezultatet e dala nga ato zgjedhje do të përfaqësonin vullnetin e cunguar të zgjedhësve shqiptarë dhe kjo është në kundërshtim të plotë me parimet demokratike, si edhe do të krijonte premisat, jo fort të munguara së fundmi, për rikthimin e një sistemi diktatorial në vend;

– Së gjashti, ky rol, njohur atij me Kushtetutë, nuk është rastësor, por është në zbatim të tagrit që ka Presidenti i Republikës për të ruajtur unitetin kombëtar, duke nënkuptuar në këtë mënyrë se zgjedhjet, të kujtdo rangu qofshin, nuk duhet të çojnë në një konflikt civil, se ato duhet të kenë pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të qytetarëve, ose të paktën të mos iu pengohet e drejta e pjesëmarrjes në mënyrë të lirë dhe demokratike;

– Së shtati, se një sjellje e tillë nuk ndihmon, por përkundrazi pengon integrimin e Shqipërisë pranë BEsë në të gjitha aspektet, ekonomike, sociale, juridike, marrëdhënieve ndërkombëtare, pra, do të çonte pa hezitim në një vetëkufizim brenda territoreve të saj; Në vijim të sa më sipër, arsyetimi për të gjykuar vendimmarrjen e Presidentit të Republikës jo vetëm është i bazuar në Kushtetutë, por edhe në të drejtë, duke iu referuar në një kuptim më të gjerë konceptit të së drejtës në përmbajtje të tij.

Argumentimi duhet kërkuar në ato aspekte të Kushtetutës dhe të kompetencave të Presidentit, të cilat garantojnë lirinë, barazinë, shmangin konfliktin dhe i japin mundësinë çdo shqiptari që në mënyrë demokratike të zgjidhet e të jetë i zgjedhur, dhe kjo quhet drejtësi! Gjithsesi, nuk është aspak për t’u anashkaluar fakti se, marrja kohë nga ana e Presidentit për të vendosur një datë tjetër zgjedhjesh brenda afateve kushtetuese, në një këndvështrim tjetër është dhënie kohe ndaj aktorëve politikë, që të negociojnë gjuhën e përbashkët për të dalë nga kriza, pasi koha e partive moniste është zhdukur me rrëzimin e bustit të një diktatori, ku Shqipëria tregoi se ka marrë një herë e mirë vendimin e saj ndaj diktatorëve se: “nuk i do më!”

*Lektore e së Drejtës

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...