Nga konferenca për shtyp e kreut të shtetit, Ilir Meta, sot, për krizën politike në vend.
Pyetje: Z. President, asnjë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ambasadorët nuk janë shprehur kundër 30 qershorit; përkundrazi, ata bëjnë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen dhe të respektohet e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal.
Presidenti Meta: Unë nuk hyj tek ata politikanë që flasin në emër të ambasadave, në emër të ndërkombëtarëve dhe që fshihen pas tyre. Në Republikën e Shqipërisë, i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës.
Unë nuk kam anuluar zgjedhje as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë. Kam anuluar zgjedhje në Shqipëri për shkak të një krize shumë të rëndë politike, të cilën besoj se e keni vënë re prej muajsh me qëllim normalizimin e situatës në vend dhe për të gjetur rrugën dhe datën për zgjedhje gjithëpërfshirëse.
Mos prisni nga asnjë ambasador t’u thotë këtë që po ju them unë, se edhe sikur të bëheshin zgjedhje, që nuk ekzistojnë më ligjërisht të 30 qershorit, pa opozitën, edhe sikur i gjithë populli opozitar që s’do të merrte pjesë, të dilte e të duartrokiste ata që do të shkonin të votonin pa kandidatë alternativë, e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një të ardhme të paditur për një kohë shumë të gjatë.
Sepse, më duket e kam sqaruar vazhdimisht, që zgjedhje të tilla nuk përfaqësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit dhe jo vetëm kaq, por Shqipëria edhe do të dënohej nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut siç ka ndodhure dhe më shumë vende të tjera.
Besoj se jam shumë i qartë: Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë vend, në asnjë ambasadë, në asnjë fondacion. Kam anuluar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë para të gjithë shqiptarëve, këtu .
Besoj se të gjithë e kanë pasur të qartë, kam bërë përpjekje të vazhdueshme për dialog midis të dyja palëve; kam paralajmëruar më 24 maj që jam i gatshëm për t’i shërbyer dialogut për të rishikuar datën e zgjedhjeve; i keni parë reagimet si kanë qenë, e kam krijuar këtë mundësi, por zgjedhje më 30 qershor ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë.