Në Shkodër nisi shpërndarja e materialeve zgjedhore. Kamionët mbërritën fillimisht në shkollën “Arben Broci” dhe ka nisur shpërndarja edhe në qendrat e votimit.
Por, në 100 shkolla në pronësi të Bashkisë Shkodër që janë parashikuar të jenë qendra votimi janë të mbyllura. Përmes një shkrese, kryebashkiakja Voltana Ademi ka ripërsëritur njoftimin për ato që i quan ish-KZAZ dhe KQZ, se po shkelin dekretin e Presidentit.
”Shkresat zyrtare janë një mundësi për të paralajmëruar dhe ndihmuar të mos shkelin ligjin, të gjithë individët e paautorizuar që mund të tentojnë të hyjnë në asetet në pronësi e administrim të Bashkisë Shkodër”, thuhet në këtë njoftim, ku nënvizohet se bazuar në ligjin për vetëqeverisjen vendore, në çdo rast që do të cenohen institucionet, të gjithë shkelësit do të kallëzohen penalisht.
Në Bashkinë e Shkodrës janë 4 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve dhe 248 qendra votimi. Shpërndarja e materialeve në KZAZ e qendra votimi po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa KQZ-ja po ndryshon vendndodhjen e qendrave të votimit sipas problematikave të rastit.