“Zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri kanë dëmtuar më tej shanset që vendi të përparojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”.
Kështu shkruan në një artikull të tijin portali evropian Euractiv.
Në artikullin që mban për autore Agata Palickova shkruhet se, edhe pse në tetor Këshilli i BE pritet të marrë një vendim lidhur me Shqipërinë, votimet e së dielës e kanë minuar rrugëtimin evropian të vendit.
"Që nga shkurti, skena politike e Shqipërisë ka qenë në krizë të thellë. Të dielën (30 qershor), qeveria vendosi të mbajë zgjedhjet lokale edhe pse opozita i bojkotonte ato. Këshilli i BE pritet të marrë një vendim nëse do të hapë bisedimet e pranimit me Shqipërinë në tetor në përputhje me rekomandimin e Komisionit. Por ngjarjet si votimi i së dielës vetëm përforcojnë bindjen e disa shteteve evropiane rreth paaftësisë së Shqipërisë për të përmbushur kriteret e pranimit.
"Ne pamë prova se votuesit ishin nën presion nga të gjitha anët politike. Kjo, së bashku me mediat e polarizuara që përqëndroheshin në krizën politike në vend që të siguronin informacion të paanshëm për kandidatët, mbajtën disa votues që të bënin zgjedhje të lira dhe të informuara ", citon Euractiv kreu i misionit vëzhgues të ODIHR, Audrey Glover. .
Ajo shtoi se "mungesa e partive më të mëdha të opozitës nga zgjedhjet e kufizuan në mënyrë të konsiderueshme zgjedhjen e kandidatëve për votuesit".