Ulsiu ka të drejtë: Fajtori ynë duhet pjekur në furrën e kësaj vere

Premte, 05 July 2019 21:06

 Nga Ilir Nikolla

Pas përfundimit të Samitit të Poznanit, është bërë e qartë edhe për faktorin ndërkombëtar, se Edi Rama është një politikan-zombie, një kuazi-pensionist që shtyn ditët në detyrë duke bërë dëm, por që s’ka kurrfarë gjase të ndërtojë një perspektivë të afërt për klanin e tij në pushtet. Izolimi ndërkombëtar po kombinohet me krizën e rëndë ekonomike që po troket, dhe njoftimi se vera e sivjetme do të jetë një verë protestash dhe jo një verë propagande për tamtamet propagandistike për turizmin, është pllaka që do vihet mbi qivurin e karrierës politike të kryeministrit në ikje.

Megjithatë, siç është përmendur shpeshherë, mposhtja e bishave s’ka lidhje veç me asgjësimin e tyre, por së pari me kufizimin e dëmeve që ato mund të shkaktojnë. Në rastin tonë, këmbëngulja për të mos ikur pa e shembur gjithçka, pa rrënuar çfarëdolloj ngrehine të sistemit të drejtësisë, pa privatizuar në duar të panjohura (dhe e dimë se ç’të panjohur vërtiten pranë entourage-it të Edi Ramës) edhe më të fundmin aset publik të Republikës, pa e çuar në fund legjitimitetin, edhe ashtu të rrënuar, të shtetit tonë, duhet të na detyrojë të analizojmë edhe kohën.

Një Edi Ramë që lejohet të qeverisë - ta zëmë - deri në shtator, do mund të përmbyllë projektin famëkeq të “1 miliardëve”, një vjedhje kolosale afatgjatë e buxhetit të shtetit, që sipas ekspertëve deri më tani ka mbërritur në 1,5 miliardë e s’dihet se ku do të ndalet. Deri në shtator është e sigurtë se edhe rritja ekonomike e tremujorit të dytë, edhe ajo e tremujorit të tretë, do të jetë në shifrat e 2 përqindëshit të tremujorit të parë, pra njëfarë barazimi statistikor, i cili nuk garanton më as indeksimin e pagave, ngrin rritjen e pensioneve dhe rrezikon që të paralajmërojë një 2020 ku Shqipëria do të jetë në vështirësi të garantojë edhe detyrimet e saj formale në bilancin e pagesave.

Alarmi vjen nga FMN, vjen nga BE që na i ka mbyllur dyert, vjen nga kancelarja Merkel që refuzon tashmë edhe të dëgjojë për bezdi protokollare se ç’thotë “zdapi” ynë, por mbi të gjitha vjen prej nesh, prej qytetarëve që ndjejnë se përpjekja për të fshehur krizën e rëndë po shoqërohet me bjerrjen e çfarëdolloj të drejte civile, fituar prej 30 vitesh. Perëndimi tashmë e di se Shqipëria është në krizë ekonomike, në emergjencë demokratike dhe në kolaps institucional.

Stabiliteti si gjethja e fikut e qeverisë së Edi Ramës ka rënë. Tani është një qeveri lakuriqe përballë shqiptarëve, e cila, për të mbuluar turpin para bashkëkombasve të çmeritur, thotë se ashtu do të jetë moda evropiane e vitit tjetër, por kryeministri ynë, si metroseksual e i informuar që është, e ka marrë vesh dhe po e ekspozon qysh këtë vit.

Një qeveri lakuriqe, me fjalë të tjera, e dalë boje, mund të kalamendet edhe ndoca javë, por mirë është që ato javë të mos zgjaten. Koha është flori dhe kreditimi i ditëve për Edi Ramën është një dëm i madh për të drejtat civile të shqiptarëve, për imazhin e vendit në Perëndim, për stabilitetin në rajon, por para së gjithash, për buxhetin e shtetit.

Historia e afërme është shkruar, prandaj duhet të merremi me kufizimin e dëmeve. Nuk duhet të bëjmë analiza fataliste aposteriori, si ato të numërimit të partizanëve shqiptarë që u vranë në Vishegrad në pranverën e 1945-s, kur diktatura komuniste ishte vendosur në Tiranë që me 28 nëntor të 1944-s, apo si ato të 1997-s, kur viktimat u regjistruan pasi ishte nënshkruar marrëveshja e pajtimit kombëtar. Qeveria ka rënë, legjitimiteti i kryeministrit është gollomesh, prandaj, duke huazuar, jo fort ndershmërisht, një thënie të Ulsiut të Dibrës, mirë është që kjo verë ta kryejë pjekjen në furrë të fajtorit, e të mos i lerë asnjë borxh vjeshtës.

Modifikuar më Premte, 05 July 2019 21:38

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...