Pikërisht ai që akuzohet nga opozita, shumica e shqiptarëve dhe institucionet ndërkombëtare të monitorimit, si njeriu që prej 6 vitesh drejton një nga qeveritë më të korruptuara jo vetëm në Europë, rezulton se është “i mbytur” në borxhe dhe çdo vit e më shumë po “varfërohet”.
Kështu sipas deklarimit të pasurisë që ai ka bërë për vitin 2018, zbardhur nga Ora News, rezulton se kryeministri Edi Rama ka fituar më pak të ardhura nga arti i tij, krahasuar me një vit më parë, gjë që sipas tij ka ulur shumë të ardhurat .
Edhe pse gjatë vitit të shkuar kanë qenë të shumta ekspozitat jashtë vendit, me pikturat dhe skulpturat të realizuar nga ai vetë, arti i tij duket se nuk e ka shpërblyer Edi Ramën siç ka pretenduar më herët. Përgjatë 2018 Edi Rama si artist ka arritur të mbledhë vetëm 930 mijë lekë nga krijimtaria artistike dhe shitje e punimeve artistike.
Por duke mos mjaftuar vetëm kjo “fatkeqësi”, pra rënia e financave të tij nga krijimtaria, kreu i qeverisë vijon të paguajë edhe kredinë prej 80 mijë euro që nga viti 2013. Për një vit të ardhurat personale në total të Edi Ramës kanë qenë më pak se 3 mln lekë, ndërsa duhet të shlyejë edhe pjesën e mbetur të kredisë prej 22 mijë eurove.
Edhe pse prej 6 vitesh ndodhet në krye të një qeverie që kapet sistematikisht në afera të mëdha korrupsioni , Edi Rama, sa vjen dhe “varfërohet” në përpjesëtim të zhdrejtë me qindra milion eurot që mungojnë në buxhetin e shtetit.
Në formularin e deklarimit të pasurive që Rama e ka plotësuar vetë, thuhet gjithashtu se kreu i qeverisë ka një rrogë vjetore neto në shumën e rreth 2 milion lekëve të vjetra. Gjithashtu në këtë formular të vetë-deklarimit të pasurisë mungojnë për herë të parë honoraret, të ardhura këto që kryeministri gjatë viteve të tjera i ka pasur plus në portofolin e tij.
Interasant është fakti që menjëherë pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, Edi Rama ka marrë një kredi me vlerë prej 80 mijë eurove. Por edhe pas 6 viteve Edi Rama ndodhet ende në borxh, pasi duhet të shlyejë pjesën e mbetur të kredisë me vlerën e 22 mijë eurove.