Presidenti i Republikës Ilir Meta uron Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për zgjedhjen e saj në këtë post të rëndësishëm.
“E nderuar Shkëlqesi, Zgjedhja Juaj në postin e Presidentes së Komisionit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë t’Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të lartë.
Është rast fatlum që Komisioni Evropian, për të parën herë, do të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian, në një kohë sfidash të shumta e të shumëllojshme për kontinentin dhe mbarë botën.
Si President i një vendi që synon çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, përfitoj nga rasti t’ju shpreh mirënjohjen për qëndrimin tuaj në mbështetje të këtij procesi, si dhe për vijimin e politikës së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.
Njëkohësisht Ju siguroj për vijimësinë e angazhimit tim për nxitjen dhe mbështetjen e plotë të reformave që afrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët me Bashkimin Evropian, nën modelin e standardeve të pakompromentueshme evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e veçantë që Komisioni Evropian do të drejtohet nga përfaqësuesja e një vendi mik dhe partner strategjik, Gjermania, Ju lutem e nderuar zonja Presidente, pranoni, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, shkruan Presidenti Meta.