Meta sfidon sërish Ramën: Meqë 13-tën e ka ters…

E Enjte, 18 July 2019 11:29

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shprehur gatishmërinë për të rishikuar 13 tetorin si datë të dekretuar për zgjedhjet vendore, meqënesë ditën e djeshme, kryeminstri Edi Rama, në një dalje për gazetarët, e konsideroi “datë tersi”. Megjithatë, kushti i vetëm që Meta parashtron për përcaktimin e datës së re, është që zgjedhjet t’i paraprijnë 18 tetorit, kur do të merret vendimi lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Kam përshtypjen se kryeministri e perception si datë tersi 13 Tetorin. 17 dhe 18 Tetori janë dy data shumë të rëndësishme, ku do të vendoset për çeljen e negociatave. Të gjithë ne e kemi të qartë se me mik shumë të fortë, provimin e Qershorit e shtymë për në vjeshtë, është e domosdoshme që të jemi mjaft të përgjegjshëm dhe korrektë përpara shqiptarëve, unë si president, zoti Rama si kryeministër i vendit, dhe si zoti Basha që është kreu i opozitës.

Nëse ne nuk bëjmë zgjedhje gjithë përfshirëse brenda Tetorit, atëherë provimi i vjeshtës është i pakalueshëm. Nuk duhet të humbasim asnjë orë nga sot dhe në vijim. Jam fleksibël që ta rishikoj 13 Tetorin, ai është i mirëpritur, dhe askush nuk duhet të mendojë se do të dalë me kosto zero nga kjo.”- u shpreh Meta nga Durrësi.

Meta e ka konsideruar vijim rrëmuje vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, për të mos i dhënë mandatin e kryebashkiakes Valbona Sakos.

“Çdo proces gjyqësor që zhvillohet është një përfaqësim i rrëmujës që po ndodh në vendin tonë, në mungesë të respektit të Kushtetutës, dhe të Reformës në Drejtësi, që u miratua me vendim konsensual tre vite më parë”, u shpreh më tej Presidenti.

Modifikuar më E Enjte, 18 July 2019 15:11
Login to post comments