Rama kërcënon me burg, pushtet, frikë dhe izolim

E Enjte, 18 July 2019 14:03

Burgu është streha që mban jo vetëm fizikisht shkëlësit e ligjit si koncept juridik, por është formë për të ngjallur frikë, për të mos përfunduar aty. Ashpërsimi i dënimeve për ata që kundërshtojnë policin, mjekun, arbitrin, apo deputetin dhe kryebashkiakun, kaloi sot në Parlament në një histerizëm diskutimesh, ku të gjithë tentonin të mbronin këtë nismë me idenë të “të bërit shtet”…

Kushdo që cënon fizikisht, apo edhe psikologjikisht një punonjës nën uniformën e policit, të mjekut, kostumit të deputetit, kryebashkiakut apo arbitrit të futbollit, mund ta shohë veten disi gjatë në qeli. Deri në tre vjet burgim parashikohet për këta “dhunues”.

E parë në këtë mënyrë të treguari, gjithkush do ishte pro, pasi mjeku, pavarësisht mëkateve që ka, ku në disa raste nuk ta zë me dorë pacientin që mund ta shohë nga xhepat, kur arbitri i futbollit të ndëshkon podrejtësisht skuadrën e zemrës, ku deputeti ta apo kryebashkiaku bën “borxh” me vendimet e tij, sërish dhuna nuk tolerohet. Por kjo nismë nuk është ndërmarrë për të mbrojtur ata, por një njeri, një pushtet, një qeveri, si kjo e drejtuar prej gjashtë vitesh nga kryeministri Edi Rama.

Qëllimi është të ndillet frikë kolektive. Të mos guxojë kush të revoltohet edhe kur sheh një padrejtësi. Kryeministri nuk ka mundur që të gëzojë mbështetje qytetare për “mirëqeverisje”, ndaj ai frymën e rëvoltës kërkon ta shuajë me frikë duke artikuluar shpesh fjalën burg, çështjen izolim për të udhëtuar jashtë vendit, apo kërcënim se nuk do e shohin më dritën e diellit me sy.

Të gjitha janë forma të një sistemi paradiktatorial, që kërkon të mbajë nën frikë dhe të mbytur me propagandë një popull të tërë. Deri më tani ia ka arritur në një formë, duke kapur çdo pushtet të mundshëm të pavarur dhe pasur në duart tre pushtetet, legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, por për ti paraprirë çdo reagimi popullor, tashmë në kërkim të lirisë, burgu do i presë.

Nga ana tjetër, është gati edhe izolimi, duke i detyruar “dhunuesit e zgjedhjeve” që të paktën pesë vite nuk do lejohen që të udhëtojnë jashtë vendit. Shqipëria largohet gjithnjë e më shumë në rrugën e integrimit drejt BE-së. Me gjasë edhe në tetor do ketë refuzim për Shqipërinë në hapjen e negociatave si vend kandidat për në BE. Kjo nuk konsiderohet “dështim” për kryeministrin Edi Rama, pasi duke qenë gjithnjë e më larg ndikimit europian, ai do qeverisë sipas “Ligjësisë Rama”.

Do mbajë gjatë pushtetin me çdo çmim, blerje, shitje, manipulim votash dhe në fund dhunë e kërcënim me burg për këdo që proteston, qoftë edhe për kauzën themelore dhe shtyllën kryesore të një sistemi demokratik, siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por ndërsa shqiptarëve u tregon burgun, terrorin, izolimin dhe forcën e pushtetit të tij absolut, tregon kujdes që sorollopin e ambasadorëve të huaj në vendin tonë, ti mbajë gjithnjë e më afër.

Ti “blejë mendjen” në çdo formë, për t’i pasur ata si garantin e pushtetit të tij, të mbushuar me skandale të shumta korruptive, lidhjet nepotike, apo shpërndarjen e pasurisë në një grusht oligarkësh. Ky janë sot organizatat ndërkombëtare apo ambasadorët e huaj kur shkelen liritë dhe të drejtat e individit në Shqipëri? Ata po heshtin, pasi çmimi që i kanë vënë vetes, vetëm nga “qeveria” mund të përballohet…, jo nga populli i thjesht dhe i varfër që është në kërkim të lirisë!

Nga Boldnews.al

Login to post comments