Artistët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, kalojnë natën para godinës

Premte, 19 July 2019 08:22

Prej ditës së djeshme është shtruar gjithnjë dhe më shumë rreziku i prishjes së godinës Teatrit Kombëtar, pasi ka nisur aksioni për zbrasjen e saj.

Dje gjithçka ishte paketuar dhe bërë gati për t’u transportuar, po falë rezistencës së artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ky plan u ndal përkohësisht.

Edhe pas mesnatës së djeshme, artistët kanë qenë te sheshi i Teatrit, pasi ishin njoftuar nga administrata se mund të kishte një zhvendosje masive të sendeve prej aty.

‘’Burime nga administrata e Teatrit na njoftojnë se natën do të bëhet zbrazja e plotë e Teatrit Kombëtar. Kërkohet mobilizim i plotë qytetar. Të gjithë që munden, janë të ftuar të na bashkohen që të qëndrojmë sot natën për t’i bërë qeveritarët që veprojnë si gjithmonë hajdutçe natën që të stepen në qëllimin e tyre të mbrapshtë”, ishte thirrja e bërë fillimisht nga artistët.

Solidariteti i qytetarëve me artistët nuk ka munguar, ndërsa një nënë me fëmijë ka përgatitur ushqim dhe çaj të ngrohtë, për qëndrestarët që e kanë kaluar natën në ambientet e jashtme të godinës së TK.

“Për tu solidarizuar me qëndrestarët e Teatrit, qytetarë të ndryshëm po sjellin ushqime dhe pije. Esmeralda, një nënë e një fëmije të vogël, na solli sanduiçë dhe çaj të ngrohtë nga shtëpia. Teatri do mbrohet se qytetaria është gjallë!”, shkruan Aleanca në Facebook.

Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet ditën e sotme, po artistët ashtu siç edhe e paralajmëruan dje, do të mbrojnë deri në fund godinën e TK, qoftë edhe duke u përballur fizikisht me prishësit e saj.

Nga ministria e Kulturës u tha se nuk kishte një plan për zbrasjen e Godinës, por aktet e kryera në orët në vijim flasin për të kundërtën.

Login to post comments