Haradinaj, mesazh pas dorëheqjes: Dialog pa kushte me Beogradin, jo për “Dodik Republikë”

Hënë, 22 July 2019 13:08

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka falenderuar të gjithë që e kanë përkrahur këto ditë pas dorëheqjes dhe ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale për intervistim. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se s’do të ketë ndarje të vendit e as Dodik Republikë në Kosovë.

“Faleminderit të gjithëve. Jeni shumë që më përkrahët këto ditë. Nuk jam ndier vetëm asnjëherë! Tregun për njohje, e jo ndarjen e Kosovës e as Dodik Republikë në Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, të premten. Arsye për këtë vendim ka qenë ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka bërë të ditur se do të niset për në Hagë këtë javë dhe se do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj dorëzon sot edhe formalisht dorëheqjen tek presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

***

Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet të respektohen afatet kohore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Sipas Haradinajt, nuk ka arsye që mbajtja e zgjedhjeve të vonohet. Në këtë intervistë, Haradinaj po ashtu tregon arsyet që e çuan atë që të heqë dorë nga posti i shefit të ekzekutivit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ju dhatë dorëheqje nga posti i kryeministrit sapo u njoftuat nga Dhomat e Posaçme se jeni ftuar për intervistë si i dyshuar për krime lufte. Aktualisht ju jeni i ftuar për intervistë, por nuk keni një aktakuzë apo jo?

Ramush Haradinaj: Jo, jo, nuk ka aktakuzë.

Radio Evropa e Lirë: Para Gjykatës Speciale pritet të dalin këtë javë edhe ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A keni informata, a do të jenë këta të intervistuarit e fundit apo pritet që edhe ish-ushtarë, ish-udhëheqës të tjerë të UÇK-së të paraqiten?

Ramush Haradinaj: E di prej njoftimeve të mëhershme që ka pasur disa të ftuar. Nuk di a do të vazhdojë apo sa do të jenë. Unë kam marrë ftesë, i përgjigjem, pra kryej obligimet e mija ligjore që më takojnë, por ka qenë për mua e papranueshme që kryetarin e Qeverisë, në këtë rast shefin e ekzekutivit dhe sovranitetin – sepse unë jam shef i ministrit të Mbrojtjes, i ministrit të Rendit, i Drejtësisë – nuk kam mundur ta çoj shtetin para hetuesve. Për këtë arsye edhe kam dhënë dorëheqje, pra që ta ruaj nderin e shtetit dhe të kryetarit të Qeverisë. Ne jemi shtet i ri, por po krijojmë, ta quaj, doktrinën e shtetit tonë dhe nuk kam dashur që Kosovës t’i shkruhet në një moment të caktuar. Pastaj, ka të bëjë edhe me nderin tim personal, nderin e luftëtarit shqiptarë. Unë e kam dëshmuar pafajësinë dy herë edhe për këtë arsye e kam marrë këtë vendim.

Haradinaj

Radio Evropa e Lirë: Kështu siç keni vepruar ju nuk kanë vepruar edhe zyrtarë të tjerë, që kanë pasur poste dhe në rast se do të ketë ftesa të tilla për zyrtarë, ish-ushtarë ose ish-komandantë të UÇK-së, a do të duhet të vepronin kështu?

Ramush Haradinaj: Tani, dallojnë besoj situatat. Unë jam kryetar i Qeverisë në detyrë. Pra kjo është një përgjegjësi, në shtet është veç një kryetar Qeverie. Edhe do të ishte për mua shumë e pandershme që të ja bëj këtë Kosovës, që ta çoj një pjesë të sovranitetit, një pjesë të asaj që është nocion i shtetit, që ta nxjerr para hetuesve. Pra, ju e shihni sot, nëntë vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha të drejtë Kosovës shpalljen e pavarësisë edhe ju kujtohet që unë dy ditë përpara të këtij vendimi, unë kam qenë i rithirrur. Po bëhet një luftë për argumentet për shtet dhe në këto argumentet për shtet e kam kujdesin e madh sepse e dimë sa ka kushtuar shteti edhe sa vështirë ka qenë që të arrihet deri këtu. Nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë që ta lëndojmë Kosovën. Kosova është euro-atlantike si shoqëri, është demokraci, është multi-etnike, është e paprekshme në vlerat e saj multi-etnike, në territor, në kufij. Pra, e ruajmë Kosovën dhe është interesi ynë..

Radio Evropa e Lirë: Pra, a do të duhej të vepronin kështu edhe të tjerët?

Ramush Haradinaj: Po, mendoj se pa dashur që të vendos një standard për secilin, por unë mendoj se kjo është mënyra sesi kam vepruar unë, përkundër faktit se nuk është e lehtë. E di se ka implikime të shumta si për mua, si për të gjithë ata që kanë pasur dëshirë që t’i prijë punës. Prapëseprapë mendoj se kjo është mënyra më e drejtë që ta ruajmë Kosovën, nderin e Kosovës, nderin e shtetit, nderin e institucioneve, por edhe nderin e luftëtarit shqiptarë.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë që qeveria është në dorëheqje, cilat veprime duhet të ndërmerren në Prishtinë që vendi të shkojë në zgjedhje apo të ketë ndonjë përpjekje për formimin e qeverisë së re?

Ramush Haradinaj: E para – që është shumë me rëndësi – si qeveri në dorëheqje, nuk duhet të lejojmë vakuum, nuk duhet të lejojmë çfarëdo parregullsie, qoftë të qeverisjes, qoftë ligjore, ose jostabilitet. Për fat të mirë, gjendja është stabile në Kosovë, pra është funksionale dhe jeta vazhdon. Jemi në demokraci. Kushtetua jonë ka paraparë veprimet e nevojshme në këto raste. Unë tash po i finalizoj letrat formale për presidentin dhe për kryeparlamentarin. Pastaj, Parlamenti mund të vetëshpërbëhet në një datë të caktuar ose presidenti mund të propozojë shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje. Arsyeja përse unë kam kërkuar të shkohet në zgjedhje është se besimin e kam kërkuar nga populli kur e kam marrë mandatin për kryetar të Qeverisë. Kam menduar se mandati më i sigurt në këto raste është nëse ia kthen sovranit, popullit. Mendoj qe zgjidhje e drejtë është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë rast, në bazë të afateve kohore kushtetuese e ligjore. I ftoj qytetarët e vendit që të marrin pjesë në proces zgjedhor dhe ta respektojnë atë vendim që e jep sovrani.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të kalojë një kohë e gjatë derisa të vendoset për një datë të zgjedhjeve?

Ramush Haradinaj: Nuk besoj se ka arsye të vonohet shumë. Është me rëndësi, jo sepse ka vakuum qeverisës, por që t’i jepet sovranit mundësia për të vendosur sa më shpejt. Nuk bën që t’i vonohet popullit e drejta për të vendosur për më tutje. Do të ishte me rëndësi që në afatet kohore – diku rreth dy muaj – të ndodhin zgjedhjet. Kështu janë ato dinamikat prej këtu e tutje. Shpresoj të rrjedhin kështu. Kohë merr edhe konstituimi i Parlamentit pastaj, edhe formimi i qeverisë së ardhshme. Është me rëndësi që të gjitha këto të ndodhin në afate të duhura kohore.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët që po i bëni gati letrat për të njoftuar presidentin, kryetarin e Kuvendit e ndoshta dhe partnerë të tjerë të koalicionit të deritashëm. Kur saktësisht do t’i njoftoni?

Ramush Haradinaj: Jemi në hartim të letrave. Me protokoll, letrat zyrtare mund të shkojnë sot, mund të shkojnë nesër në mëngjes. Jemi në hartim të tyre. Jemi duke shqyrtuar bazën kushtetuese për këtë dorëheqje, sepse është dorëheqje pa mocion, është dorëheqje e qeverisë. Jemi duke shqyrtuar që ta shpjegojmë.

 

Radio Evropa e Lirë: Si i keni parë reagimet e partive politike pas dorëheqjes tuaj?

Ramush Haradinaj: Po, t’ju them të drejtën, secili nga pikëpamja e vetë janë shprehur. Disa kanë qenë korrekt, disa nuk kanë mund të përmbahen, nuk i kanë kuptuar edhe krejt kontekstet e kësaj dorëheqjeje. Do të thotë, unë kam deklaruar se do t’i kryej pjesën ligjore pa asnjë hezitim dhe do ta kryej me respekt e nder si më takon. Por, po ashtu sa i përket bindjeve politike kam deklaruar se është e papërballueshme për Kosovën, pra nuk mundet Kosova dhe nuk e përballon dot edhe po të donte një çmim për njohje që është ndarja e Kosovës ose hapja e kufijve të Kosovës. Kam deklaruar po ashtu që një “Dodik Republikë” ose një republikë me ndikim të Rusisë është e papërballueshme për Kosovën dhe nuk është specifika e tillë. Njëkohësisht kam thënë që taksa nuk bën të hiqet deri në njohje.

Në këto qëndrime unë pres një përkrahje, një unitet pa marrë parasysh që ne garojmë kundër njëri-tjetrit për pushtet. Këto nuk janë qëndrime të pushtetit, janë qëndrime të interesave nacionale. Ne dikur me ata që janë sot në opozitë kemi qenë në opozitë, ta zëmë kundër “Zajednicës” (Asociacioni/Bashkësia e Komunave Serbe). Në fakt unë e kam mbajtur një qëndrim parimor, të popullit dhe jo të pushtetit në këtë rast, pra veç të koalicionit qeverisës apo pushtetit edhe shpresoj që ashtu siç ishim bashkë për Trepçën e për Ushtrinë, se në këto dy raste kemi treguar unitet të plotë, pra për Trepçën dhe ushtrinë, të jemi bashkë edhe te mosndarja e Kosovës, të mos lejojmë një “Dodik Republikë“ në Kosovë dhe të mos e japim tregun pa njohje.

Pra, të mos e japim (heqim) taksën pa njohje. Këto janë qëndrimet për të cilat unë pres respekt dhe nuk ka lidhje çka mendojnë për mua, por këto janë qëndrime që pres respekt për interesa të tyre, jo për të mijat ose për interesa të partive të tyre. Në këto qëndrime, pra i ftoj të gjithë që të bashkëpunojmë, pa marrë parasysh se çka kanë thënë atë ditë apo do të thonë një ditë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Por, nuk të kanë bërë përshtypje ato reagimet pas dorëheqjes?

Ramush Haradinaj: Shiko, nuk e kam luksin që të hapi këso debatesh, do të thotë secili e ka për vete. Populli e thotë gjithkush mënyrën e vet dhe arsyet e veta, por është shumë me rëndësi ta ruajmë vendin, interesin e vendit, interesin nacional sepse llogaritë ndërmjet veti do t’i lajmë gjithë jetën. Demokracia vazhdon, edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ketë prapë zgjedhje. Do të vërtetohet se kush e ka interesin e vendit e të popullit përpara e kush e ka të vetin, e të partisë. Mendoj që mbrojtja e Kosovës nga ndarja, mbrojtja e Kosovës nga një “Dodik Republikë” edhe mospranimi i një çmimi për njohje, i një marrëveshje që na lë neve jofunksional është interes i të gjithë neve, edhe i LDK-së, i Vetëvendosjes, i PSD-së e edhe i neve që jemi në pushtet. Ajo që unë po bëj është që konkretisht po ndërtoj një kauzë, po ua jap një kauzë të gjithëve përmes së cilës të gjithë jemi pastaj të qëndrueshëm, si popull e si shtet.

Radio Evropa e Lirë: Në këso rrethana kur Kosova ka një Qeveri në dorëheqje, a prisni që në ndonjë formë të vazhdojë dialogu me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Nuk kemi, do të thotë qëndrim kundër dialogut në çfarëdo etape, në çfarëdo kohe. Kosova edhe kështu i kryen funksionet e veta, mirëpo dialogu është pa kushte edhe jo dialog për ndarje, për “Dodik Republikë”. Pra, një dialog për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, për të respektim të ndërsjella, kuptohet edhe për tregun se tregu i kthehet Serbisë, pra hiqet taksa në rast të njohjes.

Radio Evropa e Lirë: Në fakt një nga vendimet me të përfolura të Qeverisë suaj ishte taksa ndaj importeve nga Serbia. A do të mbroni këtë vendim edhe më tutje?

Ramush Haradinaj: Po, duket se nuk kam kah të shkoj. Jam i vetëdijshme për implikimet që ka pasur ky vendim nga dita e parë e kam parë se në çfarë dimensionesh do të ndodhin këto implikime, mirëpo, nuk kam zgjidhje tjetër, se ndryshe alternativa është në ndërrim për njohje ose me dhënë territor ose një “Dodik Republikë” në Kosovë. Janë të papërballueshme për Kosovën. Tregu për njohje e jo ndarja e “Dodik Republika” është oferta ime. Mendoj se do t’i rri besnik kësaj në cilëndo rrethanë, në cilëndo situatë, në çfarëdo pasojash që mund dikush të mendojë se na zmbrapsin… janë gabim se bëhet fjalë për një popull, për një shtet.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët se për pak kohë do ta njoftoni kryetarin e Kuvendit dhe presidenti zyrtarisht për dorëheqjen. A do t’i njoftoni vetëm me letër apo do të ketë edhe takime?

Ramush Haradinaj: Tani po shkruaj letër, ta shoh si do të veproj. Por, unë kam informuar Qeverinë, kam respektuar bazën ligjore se unë jam kryetar i Qeverisë. Në takim të Qeverisë, në takim zyrtar në rend të ditës e kam pas ketë informatën të fundit. Aty kanë informuar të gjithë partnerët qeverisës, me ata që punoj, pastaj kam shkuar menjëherë në partinë që udhëheq se edhe partitë janë kategori kushtetuese ligjore, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. I kam kontaktuar pastaj një e nga një disa kolegë politikë. Kjo pjesa zyrtare e shkresave është vetëm tani që të fillojë koha, pra nuk kthehet pas asgjë, vendimi është marrë. Pra, vetëm të fillojë koha formalisht e afateve, e proceduarave të tjera, pra të fillojë presidenti afatet e veta.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk përjashtohet edhe një takim?

Ramush Haradinaj: Nuk e di, nuk e di për besë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveri ka të nisur disa projektet të ndryshme. Çka po të ndodhë me to, do të mbeten në gjysmë?

Ramush Haradinaj: Nuk ka arsye, do të thotë deri sa nuk është i shpërndarë Parlamenti, ne ushtrojmë funksionet tona. Nëse shpërndahet Parlamenti, atëherë nuk prodhojmë më për agjendë legjislative. Duhet pritur deri në konstituimin e Parlamentit të ri dhe të mos dërgohen në Parlament ligje, akte ose propozime, ndërsa puna e Qeverisë vazhdon si çdo qeveri deri në marrjen e formimin e Qeverisë së re, pra është praktikë te ne edhe në rastet e mëhershme edhe tash është e njëjta logjikë./REL

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...