Mustafaj: Një regjim që godet artistët, i rrezikshëm ndaj demokracisë

E Enjte, 25 July 2019 17:53

Analisti Besnik Mustafaj është shprehur dhe njëherë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. I ftuar në News24, në rubrikën “Opinion”, Mustafaj tha se ka qenë emocionalisht me ata që e kanë kundërshtuar prishjen dhe se regjimi që godet mbi artistët është një regjim i rrezikshëm ndaj demokracisë.

“Kam qenë emocionalisht pjesëtar i atyre që e kanë kundërshtuar prishjen e tetarit. Në logjikën time nuk duhet prishur por restaurohet. Një regjim që godet mbi artistët, është një regjim i rrezikshëm ndaj demokracisë. Jam ndjerë keq edhe njerëzisht sepse një pjesë e atyre që ishin në përleshje me policinë janë miqtë e mi personale. Jam në mbështetje të teatrit. Kryeministri gabohet kur thotë se janë në minorancë. Unë besoj se për Teatrin duhet të merret në konsideratë mendimi i atyre që bëjnë teatër.

Unë nuk besoj se janë pak, me aq sa kam parë unë janë jashtëzakonisht shumë duke parë komunitetin teatror në Shqipëri. Ne nuk jemi në New York. Jemi Shqipëri, jemi në Tiranë. Besoj se janë shumicë. Mbrojtja e Teatrit është një kauzë, nuk është mbrojtja e kujtesës. Ne nuk jemi një shoqëri ende me një kulturë dhe ndjeshmëri të tillë të lartë sa masivisht të dalim në mbrojtje fizike të kauzave të tilla”, tha Mustafaj.

Sa i përket rreshtimit të opozitës krah artistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë prishjen e Teatrit, Mustafaj tha se është një segment i shoqërisë. “Aktorët, regjisorët, aktorët që janë në mbrojtje i kanë bërë thirrje gjithë shoqërisë. Opozita është një segment shumë i rëndësishëm por vetëm një segment i shoqërisë. Ju më pyesni a mjafton, nuk mjafton por është diçka më shumë”, u shpreh ai.

Lidhur me mundësinë e një referendumi për Teatrin, Mustafaj tha se do donte shumë kohë dhe veç thirrja e arsyes nga kryeministri do të ishte zgjidhja.

“S’besoj tek realizimi i një referendumi për teatrin. Do kohë, 2 vjet. A pret teatri 2 vjet. Normal që duhen bërë për t’i treguar qeverisë se sa mbështetje ka kjo kauzë. Veç një thirrje e arsyes nga kryeministri mund ta shpëtojë.

Për gjërat që nuk ka bërë PD ka paguar me humbjen në vitin 2013. PD për të gjitha gjërat që nuk ka bërë ose ka bërë keq ka paguar me humbjen në vitin 2013. Pas humbjes fillon një jetë tjetër për çdo forcë politike. Fakti i amortizimit nuk është një argument. Në Paris ndalohet prishja e një muri, çfarë do muri. Vihen skela dhe brenda zbrazet dhe bëhet nga e para por jashtë është ndërtesa e shek. të 16-të, 17-të. Restaurimi nuk presupozon se është mirë. Të gjitha e dinë që ka nevojë për restaurim ndërtesa e Teatrit Kombëtar por do një buxhet më të vogël se sa një i ri”, deklaroi Mustafaj.

Login to post comments