Shembja e skelës në një pallat në rikonstruksion në kryeqytet, që solli 2 viktima dhe 3 të plagosur, hedh drite mbi shkeljet e kompanive të angazhuara në punime.
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore bën me dije se punimet po kryheshin nga Xhimi Tarushi (Person Fizik) një subjekt që nuk ka deklaruar adresën e ushtrimit të aktivitetit, në vendin ku po kryheshin punimet.
Ndërsa kompania që kishte ngritur skelën, “Skela Syla”, e kontraktuar nga “Xhimi Tarushi”, është vlerësuar me rsik të lartë nga inspektimet e mëparshme të Inspektoratit të Punës.
Një nga viktimat dhe tre punëtorët e plagosur ishin punonjës së “Skela Syla”, ndërsa punëtori tjetër që humbi jetën punonte për subjektin “Xhimi Tarushi”.
Dinamika e ngjarjes – Sipas Inspektoratit Shtetëror, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15 të ditës së sotme në rrugën “Faik Konica”, në një pallat të ndërtuar kohë më parë ku po kryheshin punime për veshjen e tij me sistemin kapotë. Ky është investim i përbashkët Komunitet Bashki. Subjekti që kishte ngritur skelën është subjekti “SKELA SYLA” me administrator Petrit Syla. Nga hetimet paraprake dhe informacioni i marrë pranë vendit të ngjarjes, punëmarrësit kanë qenë duke çmontuar skelën në krahun nga mbrapa pallatit me orientim Jug-Lindje. Gjatë çmontimit të saj ka lëvizur skela në formën e valës së detit dhe më pas është shembur, duke sjellë si pasojë plagosjen e 3 punëmarrësve dhe 1 punëmarrësi me pasojë vdekjen. Të gjithë të kompanisë “Skela Syla” (1- Behar Sadrija dërguar në spital me urgjencë; 2- Eugidius Lika dërguar në spital me urgjencë; 3- Altin Marku dërguar në spital me urgjencë; 4- Orjan Kodra, punëmarrësi që ka ndërruar jetë). Sipas informacioneve të marra në vendin e ngjarjes, raporton Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, rezulton dhe një punëmarrës i subjektit “Xhimi Tarushi”, i cili është aksidentuar me pasojë vdekjen. Ai është Ergys Brahimaj.
Shkeljet e dy kompanive – Sipas Inspektoratit Shtetëror, subjekti “SKELA SYLA” është inspektuar 13 herë nga Inspektoriati i Punës ku 7 herë është kontrolluar gjatë periudhës 2018-2019. Në vendimet e inspektimit janë lënë detyra në lidhje me respektimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke qenë se subjekti është me risk të lartë.
Subjekti që po kryente punimet për veshjen e pallatit me sistemin kapotë është subjekti Person Fizik Xhimi Tarushi me NIPT L077026020Q me adresë Elbasan Përrenjas Lagjja nr 1, Rruga Blerimi, 50 m, Pranë Bashkisë. Administratori i këtij subjekti është ndaluar nga policia dhe shoqëruar në Rajonin Nr1. Në sistem nuk ka histori inspektimesh. Ky subjekt nuk ka deklaruar adresën e ushtrimit të aktivitetit në vendin ku po kryheshin punimet.
Roli i bashkisë – Larg përgjegjësisë nuk qëndron as bashkia e Tiranës, që në lejen e dhënë duket se i ka anashkaluar kontrollet për seriozitetin e firmës që ka fituar të drejtën e kryerjes së punimeve. Në të njëjtën kohë, nga ana e bashkisë nuk ka asnjë reagim për ngjarjen në fjalë.
Në qoftëse fasadat po i restauron Veliaj, përgjegjësinë për mungesën e sigurisë në punë nga ku pati dy të vdekur e disa të plagosur e ka po Veliaj.