Vasili risjell shkrimin e profesorit të njohur/ 'Në kërkim të kohës së humbur edhe pas 29 vitesh'

Diel, 18 August 2019 09:13

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili risjell në kujtesë shkrimin e profesorit Ylli Popa, i shkruar në vitin 1990, por që sipas tij vlen të lexohet edhe sot.Sipas Vasilit, edhe sot, pas 29 vitesh, vendit që po kalon momente të vështira, i nevojitet i njëjti vizion.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

"Në kërkim të kohës së humbur edhe pas 29 vitesh!!

Profesor YLLI POPA u nda nga kjo jetë dy vjet më parë në 15 gusht 2017.

Sot pas dy vjetësh duke kujtuar atë mendoj se çfarë ishte Profesor Ylli Popa në mënyrën më të shkëlqyer e përfaqeson shkrimi i tij i paharruar, mendjehapur dhe që shënonte nevojën ulëritëse për ndryshim, i titulluar: "Në kërkim të kohës së humbur" që u botua më 30 prill dhe 1 maj 1990 në "Zërin e Popullit".

Na duhet sërish një vizion i tillë për një Shqipëri, që sërish ndodhet në udhëkryq, por mendje të tilla si Prof.Ylli Popa nuk janë më.

Të nderuar miq ju ftoj ta lexoni sërish shkrimin dhe besoj që sërish do të na ndihmojë edhe tani".

"Ne kerkim te kohes se humbur"

Nga Prof.Ylli Popa

"Bisedoja një ditë me një student të Fakultetit të Ekonomisë. Prej kohësh ai shtronte e rishtronte të ëmën në spital për shkak të një sëmundje kronike të zemrës. Në raste të tilla midis mjekut dhe të sëmurit ose të afërmeve të tij, shpesh herë krijohet një gjendje tensioni dhe acarimi. Më thotë një ditë studenti:

– Doktor, kam përshtypjen se mjekësia ende nuk është përvijuar si shkencë ekzakte, deri sa shumë sëmundje ende nuk i shëron.

– Jo, – i them, – mjekësia është me tepër se vetëm shkence. Ajo është shkencë në të diagnostikuar, art në të mjekuar dhe psikodiplomaci në marrëdhënie me të sëmurin dhe të afërmit e tij. Megjithatë mjekësia si shkencë ka kufizimet e veta dhe, midis të tjerash, varet shumë edhe nga ekonomia. Një ekonomi e fortë do të thotë jetë më e mirë për popullin, ushqim të balancuar për gratë shtatzëna dhe nënat e reja gjatë periudhës se laktacionit, proteina të bollshme për fëmijët e vegjël kur u formohet organi i të menduarit, më shumë banesa, mjedis të pastër, dhe, sigurisht, një mjekësi më të zhvilluar. Prandaj fajin mos na e hidh vetëm ne mjekëve – vazhdova për ta ngacmuar. Kjo do të thotë se edhe ekonomia nuk është shkence ekzakte.

– Jo, – më thotë studenti me vendosmëri dhe paksa i irrituar, – ekonomia është shkencë e vërtetë dhe dinamike, që nuk të le të tallesh me ligjet e saja, që nuk duron të veprosh me metodat e vjetruara të 30 vjetëve më parë, që në shkencën e ekonomisë kanë po atë vlerë që ka vaji i kamforës në mjekësinë e sotme.

Ai ishte i prirur të vazhdonte edhe me tutje, por nuk kisha shumë kohë të lirë, prandaj duke u ngritur, i thashë se konceptet e shëndosha dhe guximi përbëjnë një binom të domosdoshëm kur është fjala për të ndërmarrë veprime shumë të rëndësishme! Pasi u largua studenti, m’u kujtua një pasazh që e kisha nënvizuar nga fjalimi i Ramiz Alisë në Plenumin e 9-të të KQ. E rilexova me vonë dhe po e riprodhoj këtu: “Për fazën e zhvillimeve intensive që po bëhen, sunduese tashmë në ekonominë tonë, kur përparësinë e marrin cilësia, rendimenti, efektiviteti, përparimi teknik e shkencor; bëhet e domosdoshme përsosja e mëtejshme e elementeve përbërëse të mekanizmit tonë ekonomik. Ky duhet të çlirohet pa humbur kohë nga elementët e vjetruara, nga disa praktika të huazuara jo efikase; krahas kësaj lipset të ndreqen dobësitë e të metat që vërtetohen etj. Natyrisht kjo është një çështje e vështirë. Nga eksperienca jonë dhe praktikat e të tjerëve kemi mësuar si nuk duhet të veprojmë, kurse për të përcaktuar si duhet t’i hedhim hapat e rinj, kërkohen studime e reflektime të thella”.

Këto ishin disa mendime të freskëta të shokut Ramiz, që i ngarkojnë me detyra të reja dhe të guximshme ekonomistët tanë (por jo vetëm ata). Duke i sonduar sa më thellë këto mendime, në mënyrë të natyrshme arrihet në përfundimin se kjo analizë duhet të transpozohet edhe në fusha të tjera të veprimtarisë sonë shoqërore, si arsimi, kultura, shkenca, teknika, mjekësia etj., sepse edhe këta sektorë, jo vetëm ekonomia u nënshtrohet zhvillimeve intensive; edhe në këta “përparësinë e marrin cilësia, rendimenti, efektiviteti, përparimi shkencor, Prandaj edhe këta sektorë duhet të çlirohen pa humbur kohë nga elementët e vjetruar, nga disa praktika të huazuara, jo efikase, për të ndrequr me tej dobësitë e të metat”.

Mjekësia është sektori ku unë punoj prej shumë vitesh, por në këtë shkrim ndoshta do t’i kaloj “kufijtë” e saj. Nuk mund të veproj ndryshe, sepse kjo bën pjesë në vetë natyrën e profesionit, deri sa objekt i tij kryesor është njeriu në të gjithë kompleksitetin e tij, jo vetëm fizike, por edhe mendor, psikik, shoqëror etj. Kjo ka bërë që gjithë prehistorisë dhe historisë së këtij profesioni, mjeku të ketë qenë edhe astrolog, orator, filozof, astronom, alkimist, botanist, etj. Pra, gjithmonë diçka me tepër se një shërues i thjeshtë. Aq më tepër në kohën që jetojmë, mjeku nuk mund të veçojë sëmundjen nga i sëmuri, nga shoqëria dhe mjedisi. Kufizimi vetëm në aspektet teknike të profesionit, e transformon atë në një “biokrat” të vërtetë dhe steril, që në punën e përditshme me të sëmurët fut në veprim vetëm trurin, por jo edhe zemrën e tij. Kjo është arsyeja pse sot mjeku duhet të jetë me i ndjeshëm karshi letërsisë, muzikës, pikturës, psikologjisë, historisë, etj. Ne sot më shumë se kurrë kemi nevojë për më tepër art në shkencë, por dhe më tepër shkencë në art. Në të dyja rastet aliazhi i krijuar do të jetë me cilësi më të lartë se të dy komponentët të ndarë nga njëri-tjetri.

Rëndësia e Plenumit të 9-të e të 10 qëndron jo aq në mundësitë materiale që menjëherë të ofrojnë, sesa në konceptet e shëndosha që duhen rrënjosur për t’i arritur këto të mira materiale. Por, gjërat e reja nuk realizohen dot me mentalitete të vjetra, pa ndryshuar diçka në mënyrën tonë të të menduarit.

Gjatë ecjes sonë përpara është e domosdoshme që herë pas here ta kthejmë vështrimin prapa, secili në sektorin e tij, për të parë më mirë rrugën që kemi bërë, kemi shkuar drejt apo me zig-zake, çfarë na ka penguar dhe pse e humbëm. Pra, retrospektiva t’i shërbejë sa më mirë perspektivës. Më kujtohen në këto çaste vargjet e Robert Frostit:

Pylli është i dendur, i thellë dhe prekës

Por unë jam betuar që udhën ta vazhdoj.

Ende shumë milje përpara se t’i dorëzohem gjumit

Dhe akoma shumë milje përpara se t’i dorëzohem gjumit!

Në çaste të tilla truri punon me shpejtësi të rrufeshme, mendimet e humbin koherencën e tyre dhe shpërndahen si harabela të trembur nga një krismë pushke, dhe si ne “Alef-in”… e Borgesit, me shpejtësi të madhe mendova Borën dhe Kristin, unazat e Saturnit dhe vrimat e zeza në kozmos. Përsërita me shpejtësi oracionin e Pik de Mirandolës “Mbi dinjitetin e njeriut”; mendova Ramiz Alinë, humanizmin e tij, ligjin e zemrës “gjithçka ose asgjë”; Bushin e Gorbaçovin, ajrin e Elbasanit e pyjet që rrallohen; shirat acide e hidrocentralet që duan ujë. Pashë i tronditur “Guernikën” e Pikasos dhe u mahnita me dritën e derdhur në tablotë e impresionistëve, mendova me neveri Milosheviçin dhe Pol Potin (më lehtë mund të ngrihet një gjyq ndërkombëtar për gjuetarët e fokave se së, për shkaktarët e gjenocideve), dëgjova rekuiemin e Moxartit dhe bluzet e zezakëve të Amerikës, pashë gjakun e Ylfete Humollit dhe të Enver Hadrit, dy martirëve kosovarë; pashë tre koronare të ngushtuara, mendova Frostin, Kadarenë dhe Folknerin, kujtova vargun e Bardhyl Londos “do të vdes nga pasioni për të qenë njeri…”

Pasi arrin në lartësinë e përvojës së fituar je gjithmonë në kërkim të kohës së humbur, e ndjen më të rëndë peshën e përgjegjësisë për atë që ke bërë; për atë që s’ke bërë dhe atë që duhet të bësh më tutje dhe sa absurde të duken fjalët e Luigjit XV “apres moi le deluge” (pas meje le të bëhet kiameti). Pikërisht një nga komponentët e peshës së përgjegjësisë duhet të jetë shqetësimi i vazhdueshëm i çdo njeriu që ta ruajë të shëndoshë trupin e shoqërisë sepse ai është aq i ndjeshëm sa dhe trupi i njeriut. Ai preket nga shumë lloje sëmundjesh të lehta dhe të rënda: akute dhe kronike. Por ka edhe nga ato që çojnë në vdekjen e një sistemi shoqëror. Historia e kaluar dhe ajo e ditëve tona është e mbushur me shembuj të tillë. Prandaj është mirë të analizohen me kujdes “kartelat klinike” të sistemeve shoqërore që përmbahen në arkivat e historisë për të nxjerrë mësime si të mbrohemi, çfarë të korrigjojmë, kundër kujt të luftojmë, si t’i parandalojmë.

Në Plenumin e 9-të shoku Ramiz Alia, tha: “Tani ne duhet të nxjerrim mësime nga ato që ndodhen në Lindje. Duhet të shtrojmë pyetjen dhe të kërkojmë përgjigjen pse ndodhi revizionizmi, cilët ishin shkaqet e tij objektive e subjektive, vonesat e nxitimet, gabimet e lëshimet. Analizat duhen shtrirë edhe mbi zhvillimet që kanë ndodhur në BS për një periudhë të gjatë të praktikës së ndërtimit të socializmit atje”.

Po të flasim me gjuhën e dialektikës, do të thoshim se ngjarjet e viteve 1960, ishin shpërthim cilësor i ndryshimeve sasiore që kishin filluar shumë vite më parë në B.S. Një nga mekanizmat më të rëndësishëm të këtyre ndryshimeve ishte centralizmi i tepruar burokratik që me gazin e tij mbytës paralizonte trurin dhe muskujt e kombit. Kjo monomani u përhap në mënyrë absurde në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore edhe atje ku nuk kishte ndonjë arsye të futej, si në shkencë etj. Në mjekësi kjo dukuri monstruoze, midis të tjerash, u shfaq në formën e pavllovizmit, që me anën e sistemit nervor qendror dhe reflekseve të kushtëzuara shpjegonte çdo lloj sëmundje dhe çrregullimi në trupin e njeriut, nga kallot e këmbëve deri tek tumoret e trurit. Në këtë kohë në më shumë se 1/5 e globit ekipet e shkencëtarëve në laboratorët e tyre merreshin pothuaj vetëm me “reflekset e kushtëzuara”. Të gjithë e kuptonin absurditetin e situatës, por asnjë nuk guxonte të ngrinte zërin, sepse ideologët dhe filozofët zyrtarë kishin vërtetuar katërcipërisht se në mjekësi ka vetëm një të vërtetë dhe çdo gjë jashtë saj ishte idealiste dhe reaksionare…

***

Ne studentët e rinj e kuptonim qartë se profesorët tanë në leksionet e tyre nuk besonin as vetë në ato që thoshin. Ky diktim arrogant i një teorie dhe intoleranca e saj ndaj disa të vërtetave të tjera mjekësore, për analogji të kujton një mendim të Clemansos, i cili thotë: “E pranoj me keqardhje shfaqjen e krishterimit. Njerëzit duhet të kenë qenë shumë të kënaqur kur faleshin Jupiterit, Mërkurit dhe gjithë atyre perëndive galante, të cilët nuk ishin aspak xhelozë për kundërshtarët e tyre; të cilët sa herë u afrohej ndonjë perëndi tjetër, ngushtoheshin pak për t’i bërë vend edhe asaj. Ndërsa kjo perëndia jonë!!…”

Pavlovi në të vërtetë është një nga neurofiziologët më të mëdhenj të kohës sonë, por ai nuk jetonte më kur teoria e tij, për arsye politike dhe ideologjike pushtoi tërë mjekësinë. Ai si gjithë njerëzit e mëdhenj ishte shumë modest dhe sikur të kthehej prapë në jetë dhe të dëgjonte ç’po bëhej me veprën e tij do të bërtiste i revoltuar: “Ç’po ndodh kështu, këto nuk janë mendimet e mia, i keni kuptuar gabim mësimet e mia, i keni zbatuar gabim, rilexomëni me kujdes!…”

Kjo histori absurde vazhdoi për rreth 10 vjet dhe e frenoi rëndë zhvillimin e mjekësisë në më tepër se në 1/5 e globit. Por ajo që pati më tepër rëndësi ishte fakti se shumë, shumë njerëz filluan të mendojnë (edhe pse nuk patën mundësi të flasin hapur) se kjo që ndodhi ishte një gjë shumë e keqe, filluan të humbasin besimin, të mërziten, te bëhen skeptikë, të gjitha këto – elemente gërryese për sistemin, që së fundi çuan në ngjarjet e viteve ‘60.

Edhe më flagrante është historia e gjenetikës në B.S., ku pas Luftës së Dytë Botërore u ballafaquan dy teori të ndryshme: teoria miçuriniane që mbështetej nga akademiku Lisenko dhe ajo kromozomike, që nuk kish një lider të vetëm, por një grup shkencëtarësh shumë të aftë, që me punimet e tyre ishin vënë në pararojë të shkencës botërore për këtë problem. Zhvillimet e mëvonshme të biologjisë moderne treguan se përkrahësit e teorisë kromozomike të trashëgimisë kishin pasur të drejtë. Por jo vetëm kaq. Ata patën pasoja kolosale ekonomike, sepse nëpërmjet gjenetikës (hibrìdet, përmirësimet racore në kafshë etj.) u shtua prodhimtaria bujqësore e blegtorale në të gjithë vendet e botës… Ndërkaq akademiku Lisenko i përkrahur nga filozofët dhe ideolgët zyrtarë të kohës zbuloi se gjenetika kromozomike ishte një shkencë idealiste e reaksionare dhe se përkrahësit e saj, shkencëtarët, ishin agjentë të borgjezisë kapitaliste…

Për këtë qëllim u organizua një sesion i veçantë, në vitin 1948, i Akademisë së Shkencave Agronomike, ku u mor në analizë “Situata në shkencat biologjike”. Aty inkuizitori i madh Lisenko, me argumente të pamohueshme “shkencore”, “ideologjike” e “filozofike” hodhi akuzën e tmerrshme; megjithatë i pandehuri Galileo Galilei, në fund tha me të ndrojtur: “Eppur si muove!” Ky qe një version modern i dy ngjarjeve të kohëve të kaluara kur në shekullin XV; inkuizitorët e Koncilit të Konstancës, akuzuan dhe dogjën të gjallë në turrën e druve Jan Husin dhe Kalvinin, themeluesi i totalitarizmit teokratik në shekullin XVI, e akuzoi për herezi Mishel Servetin, që edhe ky u dogj i gjallë publikisht në turrën e druve. Për gjithë këto “shërbime të mëdha” – që i bëri popullit e kombit të tij, sharlatani Lisenko mori titujt, urdhrat e dekoratat më të larta që mirënjohja e kombit mund t’i japë një njeriu. Në të gjithë këtë ngjarje monstruoze ajo që të bie më shumë në sy është ky fakt i çuditshëm: pse instancat e larta u angazhuan në një debat me karakter thjesht shkencor, në kohën që ata kishin shumë e shumë probleme të tjera për të zgjidhur! Duke mos qenë të përgatitur për problemet që u përkìsnin vetëm specialistëve, ata mbështetën mendimet e një të paafti vetëm pse ato ishin të ngjeshura me fraza politike dhe ideologjike. Por nuk duhet harruar se të paaftët kanë aftësi të çuditshme për të mbrojtur pozitat e tyre. Armët e tyre më të sigurta janë demagogjia, servilizmi, dhe konformizmi që ata i manipulojnë me mjeshtëri sipas rastit, në mënyrë alternative dhe të dozuar…

Kur në shekullin XVI, Erasmusi i Roterdamìt shkrojti “Lëvdatën e marrëzisë”, nuk besoi t’ia merrte mendja se në shekullin XX, marrëzia do të merrte përmasa të tilla gjigandeske, kurrë nuk do të besonte se kanibalizmi intelektual do të ishte më i tmerrshëm se epidemitë e murtajës që ai i njihte mirë. Sepse pikërisht për disa të marrosur në shekullin e XX, teoria e relativitetit e Ainshtaint u quat idealiste e reaksionare dhe kibernetika: shkencë borgjeze, se ajo vinte makinën mbi njeriun. Sigurisht shumë, shumë njerëz qe nuk besonin në këto gjepura, u mërziten pa masë e humbën besimin dhe heshtën. Kaq sa për shkencën.

Por shembuj të tillë ka me shumicë edhe në letërsi, në muzikë, në histori, në pikturë.

Pikërisht në këtë të fundit: Supozojmë një ekspozite në galerinë e arteve me veprat origjinale të impresionistëve dhe ekspresionistëve më të dëgjuar. (Ç’fat i madh për piktorët e artdashësit tanë). Ja, me rradhë tablotë e Monesë, Renuarit, Degasë, Tuluz-Lotrekut, Sezanit, Sislit, Gogenit, Van Gogut, etj. Një student ndodhet përpara një tabloje të Monesë, ndërsa një punëtor nuk e kupton as vetë pse ndjen aq emocion kur shikon “Një natë me yje” të Van Gogut. Në këtë kohë dikush i bie lehtë punëtorit në sup. Ishte një kritik arti që i thotë atij me zë të butë, por disi qortues: “Po të pëlqen shumë, ë!? Por ki kujdes se nuk është ashtu siç të duket ty. Vërtet aty ka shumë lëvizje dhe dridhje drite, por nuk ka përmbajtje shoqërore. Është jashtë normave të realizmit socialist!” Punëtori e sheh me mospërfillje dhe, pasi largohet kritiku, i drejtohet studentit, shokut të tij: “More kush është ky përbindësh që kërkon të më mësojë çfarë të pëlqej e çfarë të mos pëlqej, që kërkon të më programojë ndjenjat?!”

Kjo ngjarje ishte e imagjinuar, por ne të vërtetë, po të lexosh tekstet mësimore dhe veprat e shumë kritikëve të letërsisë, të pikturës e të muzikës, të krijohet përshtypja sikur ata e ngushtojnë shumë këndin e tyre të vështrimit, sikur vetëm ata janë në gjendje t’i përcaktojnë kufijtë midis së bukurës e të shëmtuarës. Mësues të përhershëm – ata përcaktojnë binarët ku duhet të rrëshqasë prodhimtaria krijuese… Ata duan të na bindin se Pikaso në pikturë, Kafka në letërsi dhe Stravinski në muzikë rrezikojnë pavarësinë e vendit tonë… Vetëm ata përcaktojnë dhe kombinojnë përbërësit e botës së brendshme të njeriut tonë të ri.

Do të doja të mos isha lokomotivë që rrëshqet në shina të lëmuara, por shqiponjë e lartësive të mëdha që shikon të gjithë faunën e jetës, ashtu siç është ajo në të vërtetë me të mirat, të këqijat dhe të paprìturat e veta.

Para dy ditësh u takova përsëri me studentin e Fakultetit të Ekonomisë. Ishte shumë i gëzuar, por jo vetëm se nëna e tij ishte më mirë. Biseduam për shumë gjëra, veçanërisht për ngjarjet e ditëve të fundit. Unë isha i prirur ta vazhdoja më tutje bisedën, por ai duke u ngritur më tha: “Të më falni doktor, por mua më duhet të largohem, kam lënë takim me profesorin tim, të cilit para një jave i propozova një temë diplome për veten time, konkretisht “Frytshmëria ekonomìke e punës fizike”! Kam shumë dëshirë t’i futem mirë këtij problemi. Përgjigjen përfundimtare profesori e ka lënë të ma japë sot, prandaj më duhet të largohem”. Pasi bëri disa hapa, u kthye e më tha diçka që më mbeti në mendje: “Doktor te secili nga ne ka nga një mur që duhet shembur dhe një urë që duhet ndërtuar!”

Pas largimit të studentit, unë vazhdova fillin tim të mendimit për dy plenumet e fundit të Partisë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të jetë diskutuar në mënyre kaq masive e me kaq interes sa pas këtyre dy plenumeve binjake. Nga ana tjetër, duke u futur sa me thellë në kuptimin e kërkesat e tyre, të bëhet gjithmonë e më i qartë fakti se suksesi i tyre është i siguruar vetëm po qe se të gjithë njerëzit do të thonë krejt lirshëm dhe pa ndrojtje atë që mendojnë.

Zhvillimi i mëtejshëm i demokracisë është një nga kërkesat e tyre themelore. Në të vërtetë, këto ide kanë ekzistuar prej kohësh në zemrat e mendjet e shumë njerëzve. Por jo rrallë, për shkak të epiteteve, etiketave dhe presionit të izmave, mendimi – fjala dhe veprimi shkëputen nga njeri tjetri. (Mendimi oqean – fjala përrua),

Mendim i mirë, është vetëm ai që i shërben zhvillimit të kombit dhe mirëqenies së popullit. Ky lloj mendimi (ekonomik, teknik, shkencor, artistik, letrar, filozofik etj.) do kultivuar me shumë kujdes. Ne kot i kërkojmë naftën dhe pasuritë minerale në thellësitë e tokës. Të sondojmë më tepër në thellësitë e mendimit dhe aty do të gjejmë thesare të pazbuluara ndonjëherë. Të studiojmë më me kujdes përvojën e atyre vendeve që edhe pse janë të varfra në lëndë të para, sot gjenden në pararojë të ekonomisë botërore. Ndoshta ata e kanë kuptuar me kohë se “lënda e parë” më e rëndësishme e një kombi është truri, dhe pasuria më e madhe e tij është mendimi i emancipuar dhe përparimtar i popullit të tij…

Të dy plenumet e fundit të KQ të Partisë kanë parësore kërkesën dhe theksojnë fort se me mendësitë e vjetra nuk mund të ecësh nëpër rrugë të reja. Është edhe vetë zhvillimi i natyrshëm e i papërmbajtur i shoqërisë që i diktojnë këto ndryshime. Fëmijës që rritet i shtrëngojnë këmbët këpucët e vitit të kaluar. Megjithatë, një nga faktorët që ndikon rëndë në zhvillimin tonë është edhe koncepti që kanë shumë, shumë njerëz për kohën e për punën. Të mos buzëqeshë dikush me mosbesim, por në shumë nga ne, diku në thellësitë e trurit, jeton ende njeriu me shallvare, i ulur këmbëkryq mbi shilte, që pi duhan e kafe, dredh tespitë e bën muhabet me orë të tëra. Në këtë kohë të mahnitshme që jetojmë, kur historia e Evropës e ka përshpejtuar shumë hapin, edhe ne si pjesë e përhershme dhe e pandarë e saj kemi shumë gjëra për të bërë! Secili nga ne, qelizë e shëndoshë e kombit, ka diçka për të shembur dhe ka diçka më të mirë për të ndërtuar!”

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...