Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, i është drejtuar me një letër publike Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, duke i shprehur shqetësimin se sot Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, përmes Degës së Thesarit në Shkodër, kanë penguar funksionimin e bashkisë që ajo drejton.
Në letrën e saj, drejtuar edhe të gjithë ndërkombëtarëve në vendin tonë, Voltana Ademi sqaron se janë bllokuar të gjitha procedurat e likuidimit me fondet e veta për shërbime dhe investime.
Ademi kërkon një zhbllokim të shpejtë të kësaj situatë për qeverisjen vendore në Shqipëri, që sipas saj është e paprecedentë. Letra e Ademit vjen vetëm një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, mes përplasjeve të forta të protestuesve opozitarë dhe policisë, pasi opozita e cilëson këtë këshill të paligjshëm dhe votimet e 30qershorit nul.