“Dosja e Dibrës”, test edhe për ambasadorët e huaj

Saturday, 24 August 2019 19:10

-Kur dëgjon përgjimet e Dibrës, të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, kupton dhe mënyrën sesi qeveria, PS, policia dhe krimi kishin një pakt që garantonte  lulëzimin e çdo aktiviteti kriminal e ku pushteti nënshtrohej para bandave, edhe për hir të votave. Ndaj në “Dosja e Dibrës” nuk janë thjesht përgjime me ca burra që bëjnë muhabet, por prova që dëshmon lidhjen mes qeverisë dhe krimit në vjedhjen e zgjedhjeve. Në këtë rast edhe ambasadorët e huaj, perëndimor, në Tiranë janë në test se si do reagojnë apo do heshtin si deri më tani.

Mënyra sesi është trajtuar nga Prokuroria dosja e manipulimit të zgjedhjeve në Dibër tregon gjithë problemet e qeverisë dhe shtetit shqiptar. Në një hetim zyrtar, të prokurorisë, dalin emrat e kryeministrit, ministrave, deputetëve, drejtorëve, shefa policie dhe përfaqësues të njohur të botës së krimit. Të gjithë zyrtarët kapen duke folur për manipulim zgjedhjesh, blerje votash, kërcënim të administratës dhe ndëshkim të opozitës.

Përgjimet nuk vijnë nga media apo qytetarët, por janë ligjëruar nga gjykata dhe janë firmosur nga prokurorët. Në këtë mënyrë, dokumentet janë dëshmi që nuk vihet në dyshim për saktësinë dhe as mund të kundërshtohen nga asnjë trup gjykues. Zyrtarët, duke nisur nga ministrat dhe deputetët më të rëndësishëm të mazhorancës, rrëfejnë sesi do vidhen zgjedhjet, sesi administrata do vihet në rresht dhe si Policia e Shtetit do garantojë që operacioni i vjedhjes së votave të jetë “sipas ligjit”. Krimet shkojnë edhe më tej, kur për herë të parë është dokumentuar bashkëpunimi dhe afërsia e zyrtarëve të lartë të qeverisë me persona me precedentë penalë. Në Dibër, në vitin 2016 kur janë bërë përgjimet, zgjedhjet i fitoi Partia Socialiste. Është e njëjta kohë kur në këtë zonë dhe jo vetëm këtu, mbjellja e hashashit u bë në mënyrë gati të licesuar nga qeveria. Pasi dëgjon përgjimet e Dibrës, të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, kupton dhe mënyrën sesi qeveria, PS, policia dhe krimi kishin një pakt që garantonte lulëzimin e çdo aktiviteti kriminal të cilin e fitonin bandat që kishin blerë vota për pushtetin.

Pikërisht se dosja e Dibrës shpjegon gjithë problemet që ka sot shteti shqiptar, mënyra sesi do të sillej prokuroria me hetimin e saj ishte testi për institucionet tona. Dhe të gjitha institucionet ranë në tokë përpara kësaj dosje. Në tre vite, Prokuroria e Krimeve të Rënda, institucioni më i rëndësishëm i organit të akuzës thuajse nuk bëri asnjë hetim. Edhe pse në dorë kishin emrat e gjithë kupolës qeverisëse, prokurorët nuk thirrën asnjë për ta pyetur. Frika për të prekur këtë dosje jo vetëm që i mbajti prokurorët larg qeverisë, por s’patën guxim as të pyesin drejtorët e shkollave, as sesi deputetët u bënin presion në Dibër.

Ata prokurorë që tentuan u shkarkuan me ceremoni, ndërsa të tjerët që mbyllën sytë, morën si shpërblim kalimin e “Vettingu” dhe sot janë emrat që jenë në institucionet kyçe të drejtësisë së re. Në fund, si për t’i vënë kapakun gjithë shkeljeve ligjore, Prokurorja e Përgjithshme, me firmën e saj firmosi transferimin e dosjes në Prokurorinë e Dibrës. Në tre vite, e njëjta prokurori nuk ndërmori asnjë hetim. Kur opozita bënte denoncime, përgjigja standarde ishte se dosja ishte nën hetim.

Kur “Zëri i Amerikës” publikoi disa dokumente për këtë dosje kryeministri Edi Rama e quajti “kazan”. Ku gazeta gjermane “Bild” publikoi me audio pjesën kryesore të përgjimeve, kryeministri paditi gazetën, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme tha se “publikimi në media, po dëmton hetimet”. Sa herë që ka pasur qëndrime që kërkonin transparencë për këtë dosje, përgjigja ka qenë standarde se dëmtohen hetimet, sepse brenda saj kishte shumë emra zyrtarësh. Në fund, rezulton se institucioni kryesor që i dëmtoi më shumë hetimet ishte vetë Prokuroria e Përgjithshme, e cila praktikisht e ka mbyllur këtë dosje me dërgimin e saj në Prokurorinë e Dibrës. Sipas prokurorisë në dosje nuk faktohet se kemi të bëjmë me grup kriminal dhe për pasojë nuk hetohet nga Krimet e Rënda. Kur më shumë se dy qytetarë kapen duken kryer një vepër të rëndë penale me qëllime përfitimi, kjo prokurori i klasifikon direkt si organizatë kriminale. Por nëse në përgjime del gjysma e qeverisë dhe shumica e deputetëve që flasin me kriminelë e bëjnë pazare për vjedhje votash, për prokurorinë nuk kemi të bëjmë me grup kriminal.

Nga mënyra sesi po mbyllet kjo dosje, në fakt, nuk kemi të bëjmë me grup kriminal, por me një organizatë mafioze që shtetin e ka vënë në shërbim të saj. Transferimi në Dibër, sigurisht që nuk ka qëllim hetimin e mëtejshëm, por mbylljen përfundimtare të saj.

“Dosja e Dibrës” është dhe një test publik për gjithë ambasadorët e huaj perëndimor në Tiranë.

Nëse heshtin, atëhere opozita nuk ka zgjidhje tjetër përveç REVOLUCIONIT.

Qamil Xhani

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...