I ftuar në News 24, analisti Fatos Lubonja komentoi rastin e Agim Kajmakut, i cili sipas fakteve të publikuara nga PD, rezulton i dënuar në Greqi.
Lubonja u shpreh se kriminelët në politikë janë tashmë një fenomen. Ai shtoi se krimi ka depërtuar në nivelet më të larta politike, për shkak të sistemit.
Sipas analistit, Rama bashkëpunon me njerëz me para dhe influencë, të cilët shpesh herë nuk kanë as ndonjë kontribut të veçantë për të qenë kryebashkiakë.
“Sistemi është i tillë që persona të tillë kanë hyrë dhe duan të sundojnë. Ka që thonë se Edi Rama e dinte dhe nuk e dinte. Rama në fakt kap ca njerëz që kanë para dhe me paranë e të fortët qeveris, kjo është mënyra më e thjeshtë për të qeverisur. Ky person thotë që nuk ka qenë i dënuar, mirë, dakord, por pyetja që ngrihet se kush është ky, çfarë kontributi ka dhënë që të zgjidhet kryebashkiak. Janë figura që nuk njihen as nga publiku.
Në bashki ka para, ky është procesi që vazhdon si fenomen. Nuk është vetëm Kajmaku, por edhe Kavaja, ishte edhe Gjushi, edhe Veliaj me kullat. Është tendencë e frikshme. Unë se di sesi një njeri i krimit mund të punoj për njerëzit. Nuk është problemi i njerëzve aq, por i sistemit ku krimi ndjell krimin, gjarpëri ha bishtin e vet dhe helmohet e vijon me helm”, është shprehur Lubonja.