Takimi i sotëm i nënkryetares së CDU-CSU, Katja Leikert, me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është pjesë e përpjekjeve të gjermanëve për zgjidhjen e krizës politike në Tiranë. Vizita është vazhdim i negociatave të nisura që gjatë protestave të opozitës, që kulmuan në dy javët e fundit para 30 qershorit, kur u kuptua se Rama pas ‘bekimit’ amerikan do të shkonte i vetëm në zgjedhje.
Burime të Politiko, të afërta me grupin e CDU në Bundestag, bëjnë me dije se vetëm pak ditë para 30 qershorit një bërthamë deputetësh të lartë të partisë së Merkelit kanë planifikuar një vizitë në Tiranë për të provuar një demarsh të fundit me palët në konflikt. Paraprakisht është bërë një telefonatë në Kryeministri ku ndihmësve të Ramës u është kërkuar që shefi i qeverisë të rezervojë një takim me një grup deputetësh kristian-demokratë. Pak pas kësaj telefonate, thonë burimet e Politiko.al, ka qenë vetë Rama që ka marrë mbrapsht në telefon.
Nëse vini për 30 qershorin, nuk kini pse, mësohet t’u ketë thënë ai.
“Tashmë është mbyllur gjithçka dhe zgjedhjet do të bëhen”, ka shtuar kryeministri shqiptar duke refuzuar kështu një përpjekje të fundit gjermane për daljen nga kriza.
Nënkryetarja e CDU pas takimeve me Bashën dhe Presidentin Meta do të ketë sot pasdite një takim me Ramën. Me sa duket biseda do të nisë aty ku ‘u këput’ pak ditë para 30 qershorit: zgjidhja e krizës.