Agron Duka: Pa u ndëshkuar krimet elektorale, nuk ka zgjidhje të krizës dhe hapje negociatash

E mërkurë, 11 September 2019 21:49

Kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka, përmes një video-postimi në profilin e tij në Facebook, shprehet ndër të tjera se, nuk mund të ketë hapje negociatash me një vend, në të cilin qeveria vjedh votat edhe kur është e vetme në garë.

Për Dukën, 30 qershori mbetet një ditë e mbuluar nga turpi, ndërsa shton se, kriza politike do të marrë fund dhe negociatat do të hapen vetëm kur këto krime elektorale, bashkë me ato të dosjeve 339 dhe 184, do të ndëshkohen.

“E dinim që 30 qershori do të mbetej një ditë e mbuluar nga turpi; megjithatë pamjet e fletave të votimit që mbushen në tavolinën e numërimit ngjallin neveri dhe ilustrojnë dekadencën morale të kleptomanëve që vjedhin edhe kur nuk iu nevojitet

Këto pamje nuk mund të përkojnë me ato të një vendi në pritje të çeljes së negociatave me BE-në, prandaj kriza politike do të marrë fund dhe negociatat do të hapen vetëm kur këto krime elektorale, bashkë me ato të dosjeve 339 dhe 184, do të ndëshkohen. 

Prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese duhet të veprojnë sa më parë, në këtë mënyrë do të sigurohet zgjidhja e krizës politike dhe vijimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë”, shkruan Duka në reagimin e tij.

 
Login to post comments