Në fjalën e tij në parlament, ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati vuri theksin në punën që duhet të bëjë shteti dhe qeveria shqiptare sa i takon shqiptarëve të diasporës. Ndërsa foli me ratifikimin e marrëveshjes me Kanadanë, Bushati theksoi me bindje se atje jeton një pjesë e mirë e ajkës së shoqërisë shqiptare, prandaj edhe vëmendja e shtetit duhet të jetë e posaçme.
Ndërsa foli për rezultate në punën e bërë në këtë drejtim, Bushati theksoi se shumë mbetet për të bërë.
“Jemi në vendet e fundit në Europë, ku diaspora nuk ka të drejtën për të votuar ata kërkojnë njohje të kontributeve, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të dedikuar për ta ekskluzivisht. Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revulocionizuar shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atedhut, duhet të mbështesim financiarisht edhe këtë si prioritet. 30 vjet nga rënia e komunizmit jemi në një dilemë si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut dhe si tja bëjmë jetën më të lehtë atyre që jetojnë këtu..”- tha Bushati.
Duke u ndalur në situatën aktuale ish ministri i jashtë theksoi se sot jemi duke përjetuar një krizë vlerash, për të cilat listoi disa arsye.
“ 30 vite më pas mund të themi se jemi në gjedje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë. Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për cfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera. Para se ti drejtojmë gishtin njëri tjetrit duhet ti bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ja falim vetes? Cfarë do të thonë fëmijët tanë?“- vijoi më tej Bushati .