Bundestagu gjerman voton me 26 shtator për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
Dokumenti që do të formulojë qëndrimin gjerman në Këshillin e BE-së dhe është duke u finalizuar, do të hidhet në votim me kërkesë të dy grupeve parlamentare të maxhorancës qeveritare, Unioni Kristdemokrat dhe Unioni Kristsocial (CDU/CSIU) si edhe Partia Socialdemokrate.
Aty është parashikuar që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet qysh në janar, ndërsa Shqipëria do t'i nisë ato vetëm kur të plotësohen disa kushte.
Sipas burimeve të DW në qarqet e grupit parlamentar CDU/CSU, bëhet fjalë pak a shumë për nëntë pika:
- funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
- miratimi i reformës zgjedhore;
- implementimi i reformës zgjedhore;
- ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
- ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
- vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
- rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve ‘peshq të mëdhenj’;
- përparime në reformën e administratës publike;
- sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.