Ambasadori amerikan në Kosovë Filip Kosnet pak ditë më parë i tërhoqi vëmendjen partive politike që të mos kandidojnë në zgjedhje individë me precedent kriminalë apo të dënuar.
“Si mundet qytetarët të marrin seriozisht zotimet e partive politike për respektim të ligjit, kur shumë individë në listat e tyre janë të akuzuar, të dënuar për vepra penale si krime lufte dhe agresion, apo me aktakuza ndërkombëtare”, ishte apeli i Kosnet për politikën kosovare.
Deklaratat e Kosnet në Kosovë duket se prekin edhe realitetin politik në Shqipëri, ku prej 4 vitesh vepron ligji i dekriminalizimit, për pastrimin e politikës dhe zyrave të shtetit nga politikanë dhe zyrtarë me të shkuar kriminale.
Por në dallim nga Kosnet, trojka, Ambasada e SHBA në Tiranë, Delegacioni i BE-së dhe OSBE, nuk ka artikuluar asnjë rrjesht lidhur me denoncimet e opozitës me fakte, për të paktën 3 kryebashkiakë të Rilindjes, dalë nga votimet e 30 qershorit.
Të paktën ata duhet të reagojnë për të nxitur prokurorinë për hetime e shpejta.
Ambasada e SHBA, e cila komenton çdo çështje, çuditërisht sot nuk reagon. Heshtja ka përfshirë edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili më parë ka mbajtur një rol të rëndësishëm në hirearkinë burokratike të Brukselit, pikërisht lidhur me luftën kundër krimit në tërësi dhe atij të organizuar në veçanti.
Jo më pak i heshtur është ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, i cili ndoshta i ka “duart më pak të lidhura” pas raportit të OSBE/ODIHR për votimet e 30 qershorit.
Denoncimet e opozitës nisën me Valdrin Pjetrin e Shkodrës, vijuan me Agim Kajmakun e Vorës, dhe në proces është Mark Babani i Vaut të Dejës.
Pjetri nuk arriti të futet në zyrën e Kryebashkiakut, ndërsa Kajmaku dhe Babani sot janë në krye të bashkive respektive.
Në një situatë të tillë, kur nga opozita vijon publikimi i dokumenteve që provojnë të shkuarën e “zezë” të kryebashkiakëve të Rilindjes, duket pak e çuditshme heshtja e diplomatëve të Trojkës.
Katër vite më parë, kjo Ambasadë mbështeti plotësisht nismën e propozuar nga Lulzim Basha për miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Mbështetja u pasua nga ajo e BE-së, që çuditërisht sot i është bashkuar heshtjes, sikundër ka zgjedhur edhe OSBE-ja të veprojë.
Me pak fjalë Trojka e famshme e ambasadorëve duket se është në “gjumë” lidhur me dekriminalizimin. Dhe nëse nuk do të reagonin për çështje të tjera, ndoshta do të krijohej ideja se kjo Trojkë ose kishte dalë jashtë funksionit ose kishte nisur pushimet.
Të tre diplomatët apo drejtuesit aktualë të selive diplomatike në Tiranë, asaj të SHBA, BE dhe OSBE, nga momenti që kryebashkiakët e Rilindjes kanë hyrë në zyrat e tyre dhe deri në ditët e sotme, kur të paktën 3 prej tyre pritet të dorëzojnë mandatet, janë të tërhequr.
Edhe pse Zëri i Amerikës ka publikuar dokumentet zyrtare të PD-së lidhur me kryebashkiakët, duke i komentuar ato si autentike, çuditërisht nga selia diplomatike në Tiranë, nuk ka asnjë reagim, qoftë edhe me një rrjesht të kopjuar nga postimet e ambasadorit amerikan në Kosovë.
Një shprehje thotë se heshtja është aprovim, por në rastin konkret nuk lexohet qartësisht se kujt i jepet aprovimi, PD që publikon dokumentet apo Kryeministrit Edi Rama, që mbron kryebashkiakët.
Me përjashtim të Valdrin Pjetrit, i cili duket se shpëtoi nga “rrjeta” e mbrojtjes së Rilindjes, dy kryebashkiakët e tjerë po justifikohen për veprimet e tyre studio më studio nga kupola e PS-së.
Alfred Peza do të deklaronte mbrëmjen e djeshme se në rastin e Kajmakut mund të kemi të bëjmë me një gabim njerëzor, pasi ai nuk di greqisht. Por Peza nuk ishte në gjendje të thoshte pse Kajmaku ka mohuar përdorimin e identitetit Jorgo Tota.
E ndërsa reagimi i Rilindjes së Ramës në mbrojtje të kryebashkiakëve të rinj që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit mund të “mirëkuptohet”, heshtja e ambasadorëve dhe diplomatëve, të lë një shije të hidhur.
Janë ata që dalin dhe komentojnë edhe për horoskopin apo motin, kur dhurojnë dy makina apo kur i japin çertifikata 3 policëve, ndërsa për një çështje që ka lidhje edhe me reformën në drejtësi heshtin.
Në publik është krijuar ideja se ish-ministri i Brendshëm i Ramës, Sajmir Tahiri, mund të dënohet vetëm pse gjyqi ndaj tij po monitorohet nga amerikanët e Ambasadës së Tiranë. Atëherë pyetja që lind është po zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për të paktën dy kryebashkiakët që janë në zyra, dhe Pjetrin që nuk hyri sot në bashki, pse nuk monitorohet?
Heshtja e diplomatëve mund të ketë lidhje ose me lodhjen që mund t’i ketë shkaktuar Edi Rama, duke mos zënë mend në kandidimin ose emërimin e personave me precedent apo të dënuar, ose me dështimin dhe zhgënjimin që mund të kenë pësuar kur bekuan emërimin e Arta Markut si Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme.
Mund të jenë edhe të dy arsyet sëbashku, pra janë të lodhur nga Rama dhe të zhgënjyer nga Marku. Por, heshtja nuk është zgjidhje, aq më tepër kur mbi 96 % e shqiptarëve shpresojnë dhe besojnë në standardet e BE-së dhe ato të SHBA.
Vërtet që ambasadorët ose diplomatët nuk e kanë në dorë zbatimin e ligjit, pasi u takon institucioneve dhe autoriteteve shqiptare, por të paktën ato duhet të reagojnë, ose duhet të zgjedhin të heshtin edhe për çështje të tjera./ Nga Boldnews