Agjensia e lajmeve Reuters ka shkruar për gjykatën shqiptare, e cila e shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për shpërdorim detyre të enjten, por të pafajshëm për trafik droge dhe e dënoi atë me tre vjet shërbim prove.
Prokurorët kërkuan që Tahiri, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të burgosej 12 vjet me akuzën për korrupsion, trafik droge dhe si pjesë e një grupit kriminal, një çështje kjo që e ka tronditur qeverinë e majtë.
Vendimi vjen një muaj para se shtetet anëtare të BE, të interesuara për të parë hapat që po hedh Tirana në luftën kundër korrupsionit, do të takohen për të vendosur nëse do ta mbështesin kërkesën e Shqipërisë për ta hapur negociatat me BE, rekomanduar nga Komisioni Evropian.
“Gjykata tha se nuk jam kriminel apo trafikant droge dhe nuk jam pjesë e një grupi kriminal, por më shpalli fajtor për abuzim me detyrën sepse unë kam përdorur të njëjtën makinë me disa kushurinj”, tha Tahiri për gazetarët pas vendimit, që u dha gjashtë orë më vonë se sa ishte planifikuar, vëren Reuters.
Një nga yjet në ngjitje në Partinë Socialiste, 34 vjeç në vitin 2013 kur u emërua ministër i Brendshëm, Tahiri filloi të modernizonte forcat e Policisë dhe i dha fund prodhimit në shkallë industriale të kanabisit në territorin pa ligje të Lazaratit në vitin 2014. Megjithatë, kanabisi u përhap në vendet e Ballkanit dhe trafikantët zbarkuan ngarkesa deri në një ton në Itali.
Aktualisht Shqipëria po verifikon gjyqtarët dhe prokurorët e saj për korrupsion, për t'i dhënë fund një historie të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë, pasi synon të plotësojë kërkesat e hyrjes në BE," nënvizon Reuters.