ANALIZA/ “Marrëveshja që i duhet opozitës”- Fatos Lubonja: Pse është qesharake nisja e dialogut nga Reforma Zgjedhore. Shenjat që tregojnë se…

Hënë, 30 September 2019 16:44

FATOS LUBONJA 

Një fantazmë e njohur është rikthyer në gjuhën politike shqiptare: marrëveshja maxhorancë-opozitë. Ajo po bën xhiron nëpër opinion, duke shprehur njëherësh një nevojë dhe një frikë. Nevojë, sepse të gjithë ndihen të lodhur nga konfliktualiteti politik, që e ka kthyer Shqipërinë në një sherrhanë të mundimshme, nga ku njerëzit po ikin nga sytë këmbët. Frikë, sepse shqiptarët e mbetur janë të tejlodhur duke parë një drame qesharake të titulluar ‘Marrëveshja’, që riciklon çdo dy-tre vjet, me katër akte, pikërisht sherrin e mundimshëm e shterp të politikës shqiptare:

Akti i parë: maxhoranca e radhës shton abuzimin me pushtetin, duke shkelur ligje e Kushtetutë deri atje ku s’mban më.

Akti i dytë: opozita vendos të kërcënojë stabilitetin e sistemit nëpërmjet provokimit të një krize politike.

Akti i tretë: në një pikë të vlimit të krizës, me ndërhyrje edhe të ndërkombëtarëve, opozita ulet në një tryezë marrëveshjeje me maxhorancën.

Akti i katërt: opozitë e maxhorancë falënderojnë ndërkombëtarët dhe fillojnë punojnë për krizën e radhës dhe marrëveshjen e radhës.

Cilat janë tiparet kryesore të këtyre marrëveshjeve? E para, ato janë arritur duke e vendosur pushtetin e marrëveshjes së personave mbi ligjet e shtetit. E dyta, ato kanë amnistuar çuarjen para drejtësisë të abuzuesve. E treta, aktorët opozitarë kanë tradhtuar premtimet e bëra njerëzve para uljes në tryezë. E katërta, ato kanë rritur vartësinë nga ndërkombëtarët, në vend që të rritin ndërgjegjen politike të shqiptarëve.

Nëna e të gjitha marrëveshjeve kësisoj është ajo e 7-9 marsit 1997. Njerëzit, të grabitur për shkak të bashkëpunimit të maxhorancës së asaj kohe me grabitësit e piramidave financiare, u rrahën, u poshtëruan dhe u vranë kur u ngritën të protestojnë. Partitë opozitare, të mbledhura në një aleancë 10 partish (Forumi për Demokraci), u vunë në krye të protestave duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë (e pastaj të Berishës) si shkaktarët kryesorë të krizës dhe premtuan demokraci e drejtësi për të gjitha bëmat e kryera. Kur konflikti arriti kulmin, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve, krerët e partive kryesore të opozitës u ulën në një marrëveshje të 7 dhe 9 marsit me Berishën, e cila prodhoi një qeveri të quajtur të stabilitetit, deri në zgjedhjet e parakohshme që sollën në pushtet PS-në. Pasoja e parë dramatike e “paqes” së kësaj marrëveshjeje ishte hapja e depove të armëve në të gjithë vendin, me katrahurën që shkaktoi 2-3 mijë të vdekur. Një pasojë e dytë ishte se nuk prodhoi drejtësi për të grabiturit dhe të vrarët e asaj periudhe, por një amnisti dhe amnezi totale. Një pasojë e tretë ishte se pas një viti PD-ja kreu një grusht shteti në Tiranë, që dëboi Kryeministrin dhe që i detyroi ndërkombëtarët të ndërhyjnë përsëri për t’i tërhequr njerëzit e PD-së nga Kryeministria dhe Radiotelevizioni. Megjithatë, për faktin se askush nga aktorët kryesorë nuk e dënoi ndonjëherë marrëveshjen e 7-9 marsit, pasi u erdhi pas midesë, ajo u bë nëna e të gjitha marrëveshjeve të mëpasshme, duke krijuar edhe modelin e bërjes politikë në Shqipëri. Kësisoj, në të gjitha marrëveshjet që kanë pasuar, kemi parë që pushteti i personave dhe i ndërkombëtarëve është vendosur mbi ligjin; janë amnistuar krimet e shkaktarëve të krizës; janë tradhtuar njerëzit e thjeshtë që kanë mbështetur opozitën (pasi, edhe kur kanë prodhuar rotacion, ato kanë lënë të paprekur sistemin kriminal ekonomik, që është në bazën e bazave të krizave); kanë rritur vartësinë nga ndërkombëtarët, duke lënë te njerëzit shijen e hidhur të zhgënjimit nga politika vendore.

A e kanë parasysh këtë mësim të historisë opozitat e sotme për të ndryshuar historinë, apo duan ta përsërisin atë? Personalisht, më duket se ka shumë shenja se do të përsëritet historia. Kujtoj se opozita doli nga sistemi për t’i evidentuar opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar pamundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një regjim, ku maxhoranca jo vetëm kontrollon të tëra pushtetet, por ka me vete edhe fuqinë më të madhe financiare në vend: narkokrimin. Me fjalë të tjera, ajo e akuzoi maxhorancën si një organizatë kriminale, që meriton të nxirret jashtë ligjit dhe krerët e saj të dënohen. Për këtë, ajo ka paraqitur prova evidente, të cilat po shtohen ditë për ditë me daljen e dokumenteve të kryebashkiakëve me precedentë të rënda penale në Itali, Greqi e gjetkë. E pra, është e qartë se ulja në marrëveshje me një organizatë të tillë, automatikisht e ve opozitën në pozitën që të konsiderohet e ngjashme me të duke i bërë nul akuzat që ajo ka ngritur e së bashku me to, edhe premtimet. Mirëpo, në anën tjetër, e vërteta është se po aq saç janë evidente provat e paraqitura nga opozita, po aq evidente është se organizata ka kapur shtetin, prandaj s’ka kush ta nxjerrë jashtë ligjit. E vetmja forcë, në një vend ku nuk ka demokraci (pushtet të popullit), por pushtet të ndërkombëtarëve, do të ishte një akuzë e qartë e tyrja, por ata për arsye gjeopolitike, stabiliteti, mosbesimi tek opozita, por edhe interesash korruptive në disa raste, nuk e formulojnë një akuzë të tillë, por kanë gjetur rrugën e vjetër: të propozojnë përsëri një marrëveshje, që kësaj here duhet të fillojë me uljen në një tryezë për Kodin Zgjedhor. Propozim më qesharak nuk mund të bëhet. Është sikur t’i thuash të sëmurit me kancer se duhet të marrë aspirina, sepse kriza që e ka nxjerrë opozitën në rrugë jashtëinstitucionale nuk buron nga Kodi i keq Zgjedhor, madje as nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë apo SPAKU-t, por nga organizata kriminale që e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet. Prandaj, gjykoj se një marrëveshje e bazuar në plotësimin e kërkesave të tilla nuk do të jetë gjë tjetër veçse surrogat i marrëveshjeve më të hershme, ku më e fundit është dalja e PD-së nga çadra.

Në këtë pikë vijmë te dilema: a duhet të hyjë, apo nuk duhet të hyjë opozita në një marrëveshje dhe nëse po, cilat duhet të jenë kërkesat e saj që marrëveshja të mos përsërisë historinë? Nuk është e thjeshtë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje, veçanërisht në një vend ku personalisht, duke iu referuar edhe përvojave të rrëzimit të regjimeve nëpër botë, do të ndryshoja aktin e tretë dhe të katërt të dramës. Në aktin e tretë, në vend të marrëveshjes së opozitës me regjimin, me ndërhyrje ndërkombëtare, do të punoja për marrëveshjen në rritje të opozitës me popullin, që të gjejë tek ajo një instrument për të rrëzuar regjimin autoritar dhe sistemin kriminal që e mban. Në aktin e katërt, regjimi do të ndihet aq i dobët e i delegjitimuar, sa me hir apo me pahir do të detyrohet të bjerë, i braktisur edhe nga ndërkombëtarët.

  *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...