Një qytetar amerikan është dënuar me 4 muaj burg, pasi ka pranuar se në emër të tij janë depozituar në vitin 2012 80 mijë dollarë në arkën e Barack Obamës, gjatë fushatës së këtij të fundit.
Paratë në fakt ishin depozituar si kontribut për Obamën, që ky i fundit të realizonte një foto me Edi Ramën, në atë kohë pretendent për kryeministër i Shqipërisë.
Edhe pse kanë kaluar 7 vite nga kjo çështje, drejtësia amerikane e ka dhënë vendimin e saj.
Në mbrojtjen e tij para gjykatës avokati i William Argeros, ka deklaruar se klienti i tij ka vepruar në emër të Edi Ramës.
‘Avokati John Azzarello, duke përfaqësuar zotin Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama.
Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e zotit Rama mohoi të ishte burim i kontributeve’, shkruan sot Zëri i Amerikës që ka bërë publik sot lajmin.
Zyra e prokurorit amerikan pretendonte se zoti Argeros organizoi kontributin përmes një banori nga Neë Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017.
Gjykatësja Cox Arleo tha se i dha zotit Argeros një dënim më të rreptë, sepse ai pranoi të ketë gënjyer një juri të madhe.
Argeros jetonte në Tampa të Floridës, në kohën kur u ngritën akuzat. Ai gjithashtu kaloi shumë vjet në Betlehem të Pennsylvanias, ku puna e tij përfshinte shërbimin në një bord këshillimor burgu dhe mbështetjen e ri integrimit të të burgosurve, tha avokati Azzarello. Disa nga ish kolegët e tij i shkruan letra gjykatëses Cox Arleo për ta mbështetur atë.
Me lot në sy, zoti Argeros i tha gjykatëses se ‘ndjehem i turpëruar dhe marr përsipër përgjegjësinë e plotë për çfarë kam bërë’.