“Butrinti me koncesion”, reagon ashpër Neritan Ceka: Nëndetësja pirate e Ministrisë së Kulturës doli mbi ujë për të grabitur

E Enjte, 17 October 2019 12:15

Profesor Neritan Ceka reagon ashpër për çështjen e Butrintit. Dy ditë më parë në Ministrinë e Kulturës u dorëzua nga shefi i bordit Fondi Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim”, Michael Granoff, “Plani i menaxhimit të integruar të Butrintit”. Me ç’rast ministrja Elva Margariti dhe Granoff folën për draftin në përgjithësi duke u ndalur tek anët pozitive sipas tyre.

Në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare”, profesor Neritan Ceka, amocionrkeolog i njohur analizon draftin dhe mënyrën si do funksionojë Butrinti për çka ka shumë kritika si për ministrinë edhe për Fondin.
Si njohës i mirë i trashëgimisë ai nuk e sheh me vend atë që po bëhet.

Profesor është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës nga Fondacioni Amerikan i Zhvillimit, një draft i Menaxhimit të Integruar të Parkut të Butrintit. Ju si specialist i fushës, a jeni thirrur në ndonjë konsultim me palët?
Absolutisht asnjëherë. As unë që kam qenë drejtor i kërkimeve në Butrint në vitet 1970-1980, kur kam drejtuar krijimin e parkut arkeologjik të Butrintit dhe kur u restaurua teatri, gjimnazi, nymfeu, si dhe një pjesë e murit rrethues. Pastaj kam drejtuar kërkimet arkeologjike në Butrint në vitet 2004-2005 dhe kam disa botime për Butrintin. Nuk është thirrur as Auron Tare që është krijuesi i parkut në formën që ka marrë sot. Veç kësaj, ai është edhe anëtar i Këshillit të UNESCO në Paris, ku përfaqëson pasuritë botërore të Shqipërisë, pra edhe Butrintin. Kur tre vjet më parë nga Ministria e Kulturës u bë shpallja e këtij projekti në Muzeun Historik Kombëtar, ai deshi të fliste dhe nuk e lanë. Nuk është thirrur as Instituti i Arkeologjisë që vazhdon kërkimet pa ndërprerje, që nga viti 1970 me Dhimosten Budinën, Kosta Lakon, Richard Hodges dhe më grupin që punon tani nga Instituti i Arkeologjisë dhe nga Universiteti i Maceratës. Janë miliona euro që janë investuar nga ekipet shkencore në Butrint dhe asnjëri prej këtyre nuk është thirrur. Pra, e gjithë kjo është një lojë dhe habitem se si më në fund nëndetësja pirate e Ministrisë së Kulturës doli mbi ujë për të grabitur frutet e kësaj pune 100 vjeçare.

Dje ministrja përmendi ministritë e linjës dhe agjencitë në varësi, meqenëse Butrinti përfshin liqenin, etj. Dini gjë ju, nëse ndonjë specialist trashëgimie ka qenë pjesë e grupit të punës?
Ky projekt nuk ka të bëjë fare me liqenin. Bëhet fjalë për Parkun Arkeologjik, pjesë e parkut natyror, që është shumë më i gjerë. Përderisa prezantohet nga Ministria e Kulturës, ky projekt ka të bëjë vetëm me Parkun Arkeologjik dhe jo me atë natyror. Për cilët specialistë trashëgimie e keni fjalën, sepse Ministria e Kulturës nuk ka sot asnjë specialist? Ministria e Kulturës ka vetëm zyrtarë të emëruar nga hiçi, duke filluar nga drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, me drejtoritë rajonale që nuk janë specialistë. Ka një sistem prej gati 100 vetësh dhe nuk ka asnjë doktor shkencash, nuk ka asnjë që bën tema, nuk ka asnjë që shkruan artikuj.

 

Kjo shitet shumë lehtë tani në sitet e këtyre institucioneve, ku paraqiten përfaqësues të Fondacionit Amerikan Shqiptar, që e paraqesin projektin e tyre para asaj drejtoreshe dhe tre personave që nuk i njeh askush të jenë marrë ndonjëherë me arkeologjinë, pa lëre me Butrintin. Është e turpshme kjo skenë që na diskrediton para gjithë atyre që prej dekadash kanë punuar në Butrint, duke përfshirë edhe kolegët anglezë dhe italianë. Për më tepër draft projekti i është dhënë një studioje që quhet “Prince + Pearce”, e cila deri tani ka bërë vetëm një projekt për Volorekën. Për të thënë se sa bujarë janë, e vendosin vetë çmimin në 250 mijë dollarë. Dhe e vendos ai që do ta marrë si koncesion dhe kjo është në kundërshtim me ligjin. Kjo quhet një ofertë e pakërkuar dhe ky është një objekt për prokurorinë. Ajo zonja ministre, që del e flet me kaq kompetencë, unë kam frikë se do të përfundojë në prokurori këto ditë.

Profesor, ju parimisht si e shihni që një fondacion bashkë me ministrinë, të menaxhojë Butrintin?
Unë dëgjova ministren dhe them se ajo gënjen në mënyrën më të paturpshme. Nuk është mirë që një zonje, t’i thuash se gënjen, por gënjen, gënjen, gënjen! Krahasimi që ajo bën me British Heritage, që kuron Stonehnege, është një model krejt tjetër. Fondacioni atje është 100% shtetëror. Fondacion British Heritage që menaxhon që nga Stonehenge dhe deri në Buckingham Palace, është shtetëror. Në fillim është financuar 90% nga shteti sot financohet 14%. Dhe vetëm me sistemin që ka krijuar, pra me biletat, me aktivitetet, librat etj, ka arritur që të mbulojë të gjithë kujdesin për monumentet në Angli. Mjafton të klikoni tek “British Heritage” dhe do të shikoni që është një strukturë e ngritur nga dashuria për arkitekturën dhe artin, nga përgjegjësia për ta bërë atë pronë të miliona anglezëve, por edhe turistëve të huaj, dhe jo nga dëshira banditeske për të grabitur një pasuri të krijuar nga breza arkeologësh e restauratorësh. Do të shikoni që vetëm “Stonehenge Environmental Improvements Programme” po mbështetet nga dhjetëra donatorë si : The Heritage Lottery Fund, The Monument Trust, The Wolfson Foundation, Fidelity UK Foundation, The Linbury Trust, The Headley Trust, Garfield Weston Foundation, etj.

Imagjinoni se çfarë monumentesh ka Anglia dhe të gjitha janë në gjendjen më të mirë të mundshme dhe të integruara në itineraret turistike. Këtë nuk mund ta bëjnë privatët, sepse parimi kryesor i tyre është fitimi me sa më pak investime. Kjo që bëjnë është një bandititizëm. Pra, zotërinjtë marrin vesh që vetëm nga biletat Butrinti ka fitim 1 milion euro në vit. Marrin vesh që është edhe rrumpallë, sepse vetëm nga vjedhjet e biletave janë bërë me shtëpi disa gjenerata drejtorësh të emëruar nga ministrat e kulturës. Pra, eja të krijojmë një fondacion me emrin e madh Amerikan Shqiptar (jo shqiptar-amerikan!), sepse në fakt aty vetëm M.Granoff është Amerikan, të gjithë të tjerët janë klientët e qeverisë dhe i kanë gati studiot dhe kompanitë që di të vijnë të marrin paratë. Pra, ky është një fondacion fantazmë, kjo është nëndetësja pirate me flamurin e zi, me kafkën edhe me kockat për arkeologjinë dhe për trashëgiminë shqiptare. Është një turp që po bëhet kjo gjë, në vend që të bëhet një Albanian Hertage, 100 % shtetëror, ku drejtori i fondacionit emërohet nga ministri i Kulturës, por bordi bëhet nga specialistë, jo nga zyrtare, jo nga rrogëtarë, jo nga të ashtuquajturat “institucione” ku nuk ka më asnjë profesor, asnjë doktor shkencash. Çfarë institucionesh kanë në varësi? I emërojnë vetë dhe i bëjnë pjesë të rrjetës së biznesit të tyre. A e dini ju që në Durrës, është emëruar drejtor i Trashëgimisë, ai që ka qenë drejtor i spitalit. Kjo është një katastrofë. As në kohën e Sulltan Hamitit nuk ka qenë kështu gjendja e monumenteve në Shqipëri. Me ardhjen e këtyre dy zonjave i kanë vënë ferrën tërësisht trashëgimisë kulturore.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...