Edhe pak orë e ndajnë vendin tonë nga vendimi final për hapjen ose jo të negociatave. Me shumë gjasë do të jetë një “jo” e prerë, ku presidenti francez Macron po vendos veton kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Aty në Bruksel ndodhet edhe kryeministri ynë Edi Rama, ku mjekra e gjatë nuk e bën shtetar, as të dijshëm, por ngjason me një barbon politik që ka vulë kryeministrore.
Aty në “kryeqytetin” e BE-së kërkon integrimin e Shqipërisë, shprehet se i ka plotësuar të gjitha kushtet, por që nga mbrëmë i është mbyllur goja, pas qëndrimit të presidentit francez Mannuel Macron.
“Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është një lloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil nga ky vend”, tha Macron. Në Francë pas afganëve që mbërrijnë nga zona e luftës, shqiptarët zenë vendin e dytë për azil.
Për Ramën ky është zhvillim, jo dështim. Në gjashtë vite ku ai kryeministron, vendit i janë larguar 450 mijë qytetarë. Shumica si azilantë në një nga shtetet e BE-së, kryesisht në Gjermani, Francë, Belgjikë dhe Holandë. Ikin për shkak të varfërisë, pasigurisë dhe mbi të gjitha mungesës së shpresës nga pasoja e një qeverisjeje autoritare. Preferojnë që të mbajnë radhën për një pjatë supë në kampet e ngritura për “azilantët e luftës” dhe me shpresën se një ditë do të marrin dokumentacionet, për të lënë vendin e tyre ndoshta përfundimisht.
Kur të rinjtë tanë dergjen në mizerje në kampet e emigrantëve, kryeministri ynë Edi Rama i krekosur i kërkon Brukselit që të hapen negociatat, pasi sipas tij: “e meritojmë dhe Shqipëria ka ecur përpara nga reformat ‘madhore’ që ka bërë qeveria”. Këto shprehje mund të emocionojnë ministreshat e tij dhe deputetët e Rilindur pozitë e opozitë të vetëshpallur bashkë, por vështirë që për liderët e BE-së kjo të jetë një fabul e pranueshme.
Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe me një prokurori të kapur. Korrupsioni thellohet edhe më shumë, trafiku i drogës lulëzon çdo ditë, ndërsa institucionet e pavarura janë tërësisht nën kontrollin e tij. A janë arsye të mjaftueshme për ti thënë Europës se “Shqipëria i meriton negociatat”?
Nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania që lidhen me dënimin e krimit elektoral, ligjshmërinë e zgjedhjeve (votimeve) të 30 qershorit, luftën kundër korrupsionit, drogës dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë janë çekani mbi kokën e Ramës që nëse i realizon, thjesht ai gropos veten politikisht.
Përtej demagogjisë së shfaqur, njeriu që sot është më i interesuar që negociatat të mos hapen është vetë Rama. Në rast të hapjes, do të ketë një monitorim më të madh nga strukturat e BE-së, ku do të duhet të plotësohen disa kushte, që për kryeministrin tonë janë humbje pushteti.
Nëse nuk do ketë më trafikantë që blejnë votë, vrasës që punojnë për Rilindjen e tij dhe oligarkë që falen në zyrën kryeministrore në prag fushatash, Rama është i humbur, ndaj sot tjetër kërkon dhe tjetër shpreson të ndodhë. Në sytë e opinionit publik shfaqet si një personazh i cili po lobon fuqishëm që Shqipëria të marrë negociatat, por në koshiencën e tij politike, shpreson fort që vendi të mbetet jashtë monitorimit të BE-së, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur me dhëmbë pushtetin absolut që ka ngritur.
Me krim të brendshëm dhe detyrim për të zhdukur rininë nga vendi në kërkim të azilit Rama i shton veten kohën e pushtetit, pa të cilën ai nuk merr dot frymë.
Nga Boldnews.al