“E njohur për kultivimin e kanabisit, Shqipëria tani është edhe një vend transit për heroinën e kokainën”. Kështu do të shkruante pak ditë më parë media britanike për raportet negative të qeverisë Rama në këtë fazë deçizive për hapjen e negociatave. Krimi dhe korrupsioni e kanë mbytur Shqipërinë dhe disa vende anëtare të BE pritet të përmendin pikërisht këta faktorë këtë javë si shkak për të shtyrë përsëri bisedimet e anëtarësimit. Një vendim i pritur për Shqipërinë, por një fat i keq edhe për Maqedoninë e Veriut, pasi diskutimet në Këshillin e Kryeministrave të BE-së janë për të dy shtetet. E ndërsa Shqipëria ka marrë damkën e krimit dhe korrupsionit, Maqedonia e Veriut ka bërë shumë hapa para në rrugën e integrimit. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë, arrestimi i zyrtarëve të lartë, kujtojmë dënimin për ish-presidentin Gruevski apo edhe goditja e korrupsionit do të bënin që Maqëdonia ta meritonte çeljen e negociatave, por fati i saj i keq është që vendimi po merret për të dyja shtetet dhe Rama po shndërrohet në ferrën e Maqedonisë së Veriut.
Madje edhe kryeministri Zaev arriti të deklarojë se vendi i tij mbahej peng nga ne.
Shqipëria u zhyt në krizë politikë këtë vit me publikimin e përgjimeve nga hetimi i trafikut të drogës që tregoi se si figura të krimit kishin përdorur influencën e tyre për të ndihmuar socialistët të fitonin më 2017. Në të njëjtën kohë, Saimir Tahiri, ish-ministër i brendshëm dhe aleat i afërt i Ramës, u gjykua për trafikim droge pasi përgjimi i bisedave nga policia italiane linte të kuptohej se ai ndihmonte një bandë të kushërinjve të tij të largët, por një prokurori e kapur bëri që akuzat për të të mos hetoheshin me qëllim rrëzimin e tyre në gjykatë.
Për përgjigjet negative, për të 6 vit radhazi, Rama ka justifikimet e tij. Fajin asnjëherë nuk e ka ai. I kapur në mashtrime të njëpasnjëshme Rama do fillonte të ndryshonte gjuhën duke thënë se ngelja në klasë e Shqipërisë ishte më shumë problem i brendshëm i BE sesa mosrealizim i objektivave nga qeverisja e tij.