The least that the European Union owes the region is to be straightforward with us. If there is no more consensus on the European future of the Western Balkans, if the promise of Thessaloniki 2003 does not stand, the citizens deserve to know. 1/3
Dështimi i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nxiti reagime dhe shqetësime për pasojat e një vendimi të tillë. Bashkimi Evropian ishte zotuar që kjo të ndodhë këtë muaj.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov shkroi në rrjetet sociale se “më e pakta që Bashkimi Evropian i ka borxh rajonit është që të jetë I drejtpërdrejtë me ne. Nëse nuk ka më konsensus për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, nëse zotimet e Selanikut të vitit 2003 nuk qëndrojnë, qytetarët e meritojnë ta dinë”.
Para debateve në Bruksel, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kishte deklaruar se Kina e Rusia do të mbushin “boshllëkun” e lënë nga evropianët.
Komisionari për Zgjerimin Johannes Hahn, shkroi se “përgjegjësia për këtë dështim nuk është e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që shpresuan më të drejtë për vendim pozitiv. Është BE-ja ajo që dështoi për shkak të problemeve të brendshme. Kjo do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë”, shkroi ai.
Depuetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, tha se ky është një vendim i papranueshëm dhe akuzoi Francën se “po luan lojë të ndyrë dhe se të gjithë do të paguajmë çmimin”.
Carl Bildt, bashkëkryesues u Këshillit Evropian për punë të Jashtme tha se “kjo nuk është punë e vogël. Duke bllokuar negociatat e anëtarësimit për Ballkanin, Franca, Holanda e Danimarka jo vetëm që shkelën zotimet e mëhershme, por i hoqën mundësinë BE-së për çfarëdo qasje të besueshme strategjike ndaj këtij rajoni të rëndësishëm”.
Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, duke shfaqur keqardhjen për vendimin, tërhoqi vërejtjen se “kjo do të fundosë besueshmërinë e Bashkimit Evropian në rajon dhe do të forcojë ambiciet e Moskës dhe Pekinit”.
Analisti Florian Bieber i Universitetit të Gracit në Austri, tha se ky dështim do të shkaktojë dëme afatgjata.
“Si mund të argumentojmë për BE-në në Ballkanin Perëndimor? Si mund të themi se përpjekja e vërtetë do të shpërblehet? BE-ja dhe Macroni në veçanti, tradhtuan atë që dëshiron BE-ja, Ashtu si premtimet e rreme të agimit të 'orës së Evropës' në vitin 1991, ky dështim do të shkaktojë dëme afatgjata”, shkroi ai.