Kreu i opozitës Lulzim Basha, në një intervistë për News 24 ka komentuar situatën politike në vend. I pyetur për veprimin e bërë nga ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, ndaj protestuesve të Astirit, Basha tha se kjo gjë është e papranueshme.
Ndërkohë Basha deklaroi edhe njëherë se ai dhe opozita duan ndryshimin e sistemit zgjedhor, në mënyrë që në parlament mos hyjnë as njerëz të palexuar dhe as kriminelë.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Si e komentoni veprimin e ambasadorit të OSBE, Borcardt, përpara disa protestuesve?
Lulzim Basha: Absolutisht të papranueshëm.
Pyetje: Si ndiheni ju kur shikoni se sot në vendin tuaj janë ulur disa deputetë, të cilët është parë se nuk dinë të lexojnë e të shkruajnë, kur këta deputetë kanë dalë nga lista juaj, pra ju i keni firmosur?
Lulzim Basha: E para e punës, është një sëmundje e sistemit. Duhet të keni parasysh që këta, si rregull, kanë ardhur nga fundi i listave, ku, me thënë të drejtën, edhe vëmendja e propozuesve të emrave ka qenë më e reduktuar. Një pjesë e mirë kanë ardhur nga listat e partive të vogla aleate, nuk kanë ardhur si propozim i PD, por të aleatëve shumë të vegjël, që e kërkonin këtë si një afishim nominal të partisë dhe të logos së partisë. Dhe e gjitha kjo ka ndodhur në njëproces për më pak se pesë ditësh. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk është justifikim. Është një shans për reflektim dhe për ndryshim që kjo të mos përsëritet më kurrë.
Lulzim Basha: Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetit me zgjedhësit. Kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament, pavarësisht nëse partia e tij është në qeveri apo jo, dhe të mos shohin faktin që, kur partia është në qeveri, deputetët kthehen në kukulla dhe ngrenë dorën çfarë t’u thotë kryeministri, sepse e kanë të lidhur fatin me kryeministrin dhe, shpeshherë, me interesa korruptive, që vijnë nga qeveria, por ta lidhin ekzistencën e tyre politike me fatin e votuesit.