Presidenti Meta shigjeton Ramën me shembullin e kryeministrit Zaev

Saturday, 26 October 2019 14:09

Gjatë pritjes së presidentit maqedonas sot në Tiranë, presidenti Ilir Meta tha se liderët maqedonas reflektuan dhe treguan pjekuri me vendimin për të çuar vendin në zgjedhje, ndërsa një reflektim duhet urgjent dhe te ne në Tiranë.

“Kemi reflektim në Maqedoni, përmes zgjedhjes, që tregon dhe pjekurinë e tyre. Edhe te ne duhet të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe të lexojmë me vëmendje të gjithë detyrimet që duhet t’i kishim përmbushur dhe që duhet t’i përmbushim. Duhet të forcojmë raportet dhe bashkëpunimin me vendet kritike, Francë, Holandë, Danimarkë, Spanjë, etj. Duhet t’i bindim për seriozitetin tonë. Nuk mjafton të themi Franca ka këto probleme të brendshme dhe po na përdor ne, nëse ne jemi një burim i shqetësimeve të brendshme të tyre, sa i takon krimit, azilkërkuesve. Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë të besueshme, në mënyrë që këto shqetësime të shuhen në javët e muajt në vijim. Dhe të bëjmë të qartë që ndërsa jemi të gatshëm të përmbushim çdo detyrim, çdo ide tjetër dhe informale qoftë, çdo alternativë tjetër, është e papranueshme dhe është e padobishme”, tha Meta.

Me takt Presidenti Meta i kujton kryeministrit Rama se duhet të veprojë si kryeministri Zaev i cili iu drejtua popullit për të vendosur me 12 prill në zgjedhje të parakohshme.

Ndonëse Maqedonia e Veriut, sipas parlamentit gjerman i kishte plotësuar të gjitha kushtet e BE, kurse Shqipërisë iu caktuan 9 kushte, përsëri kryeministri Zaev kur nuk mori hapjen e negociatave dha dorëheqjen sapo u kthye në Shkup. Dhe do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në Shqipëri nuk ka as parlament, as gjykata, as qeverisje e ku vlon korrupsioni e përsëri kryeministri nuk pranon ti drejtohet popullit që të vendosë me zgjedhje të parakohshme.

Në çdo vend demokratik ku ka probleme, kriza politike apo mos marrëveshje të mëdha i drejtohen popullit me zgjedhje të parakohshme. Së fundit edhe kryeministri britanik iu drejtua popullit për zgjedhje të parakohshme. Pak kohë më parë ishte kryeministri grek Tsipras, po kështu edhe kryeministri kosovar Haradinaj, që iu drejtuan popullit me zgjedhje. Humbën të dy, por fitoi demokracia, civilizimi.

Ndërsa Edi Rama nuk pranon kurrsesi zgjedhje të parakohshme!

Login to post comments