Liderët politikë i kumtojnë kurdoherë premtimet elektorale pas matjes së pulsit të masës së zgjedhësve, duke patur ndër të tjera si qëllim lënien tek sovrani të përshtypjes së një marrëdhënieje organike me pushtetarët. Kushdo që ka qenë i pranishëm në më së paku një miting, mund të pohojë pa drojë se ka ndjerë rrëqethje nëpër trup kur nga podiumi ku ka zënë vend kryemininistri (ose pretendenti për këtë post), ka dëgjuar të materializohen fonetikisht ato dëshira, që japin shpresë për ndryshim dhe prosperitet të vendit.
Por mes këtyre zotimeve, dallohen disa syresh. Në funksion të këtij shkrimi, na lipset të flasim për njërën nga këto kategori, ku bëjnë pjesë premtimet-gënjeshtra, që bëhen ashtu sa për të thënë, për të grumbulluar votat që katapultojnë një parti në pushtet ose i japin një shans të dytë, në këtë rast të pamerituar, partisë qeverisëse. Të këtij lloji, veshët na kanë dëgjuar dendur.
Të ndalemi tek premtimi i hershëm i kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e aeroportit të Kukësit. Në vitin 2017, në kuadër të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, Rama u dha fjalën banorëve të Kukësit, që njësoj si jugorët “për fjalën, therin djalën”, se aeroporti, që nënkuptonte vende të reja pune dhe larmi mundësish për qytetin më të varfër të Shqipërisë, do të hapej së shpejti. Pothuaj një vit më pas, në prill të vitit 2018, kreu i qeverisë zhvilloi një takim virtual me banorët e Kukësit për taksën e “Rrugës së Kombit”, të cilët i kujtuan premtimin elektoral.
Mbase i zënë ngushtë, Rama iu përgjigj me një tjetër premtim duke iu dhënë shpresë kuksianëve se brenda 2018-ës ata do të udhëtonin nga ky aeroport. “Aeroporti i Kukësit do të hapet, procedurat kanë filluar…Jam shumë optimist që në vjeshtë aeroporti do të fillojë të jetë operativ. Jam shumë optimist që në festat e fundvitit kuksianët që do të vijnë nga jashtë do të vijnë përmes atij aeroporti”, u tha Rama kuksianëve.
Por, siç pritej, punimet u shtynë. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Ramën që në vrull e sipër të përcaktonte edhe periudhën kohore kur do të nisnte puna e shtyrë dy herë radhazi. “Ambicia është që brenda muajit janar, maksimumi në fillim të shkurtit, të fillojë puna në kantierin e aeroportit.”- tha kreu i ekzekutivti në një dalje publike.
Kështu, brenda një viti kalendarik, kryeministri bëri dy premtime për këtë çështje. Për më tepër, ndonëse “start”-i i punimeve u përcaktua për në muajin janar ose shkurt të 2019-s, nga komunikimet me banorë të zonës apo nga roja i sigurisë në terren, rezultoi se premtimi nuk ishte mbajtur sërish. Nga ana tjetër, në seancën e parë parlamentare të vitit 2019, kryeministri nga foltorja “kërcënoi” opozitën (ende pa u djegur mandatet) se në zgjedhjet lokale të këtij viti Partia Socialiste do të fitonte domenin demokrat, Bashkinë e Kukësit, pasi në këtë qytet do të ndërtonte një aeroport, pjesë e “Rilindjes Kombëtare”.
Në këto kushte, nevojitej një zhvendosje e radhës e punimeve dhe lajmi u bë i ditur nga vetë Rama në një postim në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook” (shiko më poshtë), ku edhe pse “besëshkelur”, shkruante se nuk “duhej përgojuar se sot një vit, në realitet do jetë më i bukur “, përbri një projekti të kopjuar nga studioja holandeze “UNStudio” ideuar për terminalin e Aeroportit Ndërkombëtar të Kutaisit në Gjeorgji.
A thua se kuksianëve u kishin ofruar një katalog për t’i vënë gishtin më të bukurit, duke e reduktuar dhe thjeshtëzuar normën e mosmbajtjes së premtimit me rëndësinë e kriterit estetik. “Aeroporti është në një pozicion shumë strategjik sepse mbledh shqiptarët këtej dhe andej kufirit. Do i japë mundësinë çunave të Kukësit të vijnë me shumë pak paund nga Anglia. Parashikohet një fluks prej rreth 300 mijë pasagjerësh në vitin e parë për të shkuar deri në 1 milion pasagjerë në vit. Ky aeroport do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën, pasi shërbimet do të prodhojnë vende pune që parashikohen të shkojë deri në 12.000.”- deklaroi më tej më 6 prill të vitit 2019 Rama, i gjendur në pistën e aeroportit të vjetër.
Në këtë dalje, shkaktoi hilaritet përplasja mes prononcimit të Ramës dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pasi sekush kishte një afat të ndryshëm për kohëzgjatjen e punimeve, për të bërë të aksesueshëm ashtu sikurse u trumbetua, aeroportin e parë të linjave “low-cost” në Shqipëri për fluturimet ndërkombëtare. Kjo pasi deklarata e kryeministrit për një afat prej 12 muajsh, ra ndesh me atë që ministrja Balluku ka bërë në transmetimin e ERTV-së, gjatë inspektimit të pistës së vjetër.
Edi Rama: Sa do të zgjasë puna?
Belinda Balluku: 24 muaj.
Meqenëse, deklarata për dyfishimin e kohës së përfundimit të punimeve vinte pa kaluar ende 24 orë nga premtimi, Rama e shprehu hapur pakënaqësinë ndaj pohimit të sinqertë të ministres së tij. “Jo mo, do ta bëjmë më përpara”, dëgjohet të thotë Rama duke ngritur zërin në drejtim të koncesionarit, të cilit ia thotë edhe në anglisht se investimi i planifikuar në 10 milionë euro, duhet të përfundojë brenda një viti.”- tha në kundërpërgjigje kryeministri.
Për sa më sipër, është e qartë se qeverisja e vendit ka kaluar nga skaji i gënjeshtrave politike në themelimin e politikës së gënjeshtrave. Ndaj, rasti i aeroportit të Kukësit nuk është sporadik, por vjen në vazhdën e mosmbjatjes së premtimeve më të rëndësishme me të cilat erdhi në krye të ekzekutivi, “Rama 1” dhe “Rama 2”. Në lëmin e gënjeshtrave politike që u kthyen në normë qeverisjeje, vlen të përmenden më emblematiket: “300 mijë vende të reja pune”, “Shëndetësia falas”, “ulja e çmimeve të shportës”, “ulja e çmimit të energjisë elektrike”, “anullimi i koncesioneve të qeverisë Berisha, “heqja e taksës së qarkullimit për bujqësinë dhë bërjen e çmimit të naftës për këtë sektor në 13 lekë” etj.