PËRVJETORI I MURIT TË BERLINIT DO I GJEJË NËN NJË ÇADËR ÇIFTIN RAMA-VUÇIÇ

Hënë, 04 November 2019 17:51

Nga Ilir Nikolla

Jo rrallëherë na përmendet (prej të mirëinformuarve në fakt) se Edi Rama është simbolist dhe kërkon ta imponojë axhendën e vet përmes simboleve. E vërteta është, se duke dalë përtej teorive konspiracioniste lidhur me ndikimet sorosiane në politikën e tij ditore, përplasja që Rama po u bën interesave të shqiptarëve, në të gjithë hapësirën e Evropës Juglindore me “minishengenin ballkanik” është në sytë e të gjithëve dhe e ngarkuar me simbolikë.
Pasi ju bë e qartë se nën qeverimin e tij, Shqipëria s’ka asnjë shans që të përparojë në procesin e integrimit në BE, kryeministri i ka hapur edhe më qartë letrat dhe me gojën e Vuçiçit, ka shpallur se 9 nëntorin e ardhshëm, datën simbol që përkujton 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, do ta kalojë në Ohër, duke perfeksionuar një marrëveshje që synon që tregun shqiptar ta fusë në paradhomën e Unionit Euroaziatik që ka ngritur Vladimir Putini.
Shembja e Murit të Berlinit ishte njëra nga shenjat kryesore të triumfit të aspiratës së shoqërive në vendet ish-komuniste për t’ju bashkuar botës së demokracisë, për t’ju bashkuar Perëndimit. Edhe më kuptimplote ishte kjo datë për shqiptarët, të cilët 9 nëntorin e 1989-s nuk e kishin epilog të Lëvizjes së tyre për Demokraci, por e kishin prolog, e kishin si një yll shprese se ndryshimi po vinte edhe në shoqërinë që vuajti diktaturën më të egër të Evropës. E ashtu ndodhi, shembja e Murit të Berlinit u pasua nga Lëvizja “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, që solli për herë të parë në pushtet një parti jokomuniste, 22 marsin e 1992-it.
Por 9 nëntorin e 2019-s, Edi Rama ka të tjera hesape për të larë, të gjitha personale e klanore, e asnjërën prej tyre me rezonancë e konsensus mbarëkombëtar. Evropa s’po ja fal e s’po ja toleron korrupsionin, autokracinë dhe lojën gjeopolitike me dy porta, prandaj 9 nëntorin e ka piketuar si pikën më të lartë ku ligjërimi “Evropa ka hallet e veta, ajo s’po na pranon për problemet e saj të brendshme” shndërrohet në frazën “Evropa s’është e vetmja alternativë, nëse s’na duan siç jemi, ne kemi ku integrohemi, në fillim mes vetes e më pas në hapësira që na pranojnë kështu siç jemi”.
Kjo është alternativa që do t’i vihet përballë me 9 nëntor kremtimeve evropiane për 30 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Kjo është një strategji e mirëmenduar dhe që ka synime afatgjata. Frazat e këtij tipi i kemi dëgjuar edhe më herët prej Ramiz Alisë më 1990-n, e thuajse njëkohësisht, këto fraza i shqiptonte në Stamboll edhe Nexhmedin Erbakani, babai politik i Erdoganit. 30 vjet më vonë, Edi Rama dhe Erdogani po kërkojnë t’i lënë shoqëritë tona në anën e kundërt të atyre që e rrëzuan Murin e Berlinit. Bashkë me ta është edhe Vuçiçi, çka darovit çfarëdolloj hamendjeje se ndoshta kjo zgjedhje mund të jetë një zgjedhje strategjike që mund të sjellë përfitime për botën shqiptare. Tash 1 mijë vjet, këso zgjedhjesh trasversale me sllavët asnjëherë s’kanë qenë për të mirën e shqiptarëve dhe thuajse në çdo rast kanë rezultuar më dëme kombëtare. Ky është një leksion i thjeshtë të cilin e dinë edhe ish-komunistët e sotëm në pushtet, por bash se ata janë të njohur për vendosjen e interesave të partisë (personit e klanit pra), mbi interesin kombëtar, kemi të drejtë të mendojmë se edhe kësaj here, bashkimi me Vuçiçin e me Erdoganin në prapaskenë bëhet për interesat klanore të klikës në pushtet dhe për të larguar sa të munden kontrollin e demokracisë (sado burokratike) evropiane mbi qeverisjen autokratike të Tiranës.
9 nëntori i Ohrit është një karshillëk i hapur ndaj kremtimeve të 30 vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, prandaj, jo veç shqiptarët e Ohrit, por edhe ata të Tetovës, Prishtinës e Tiranës, duhet të gjejnë mënyrën e duhur për ta demaskuar këtë zijafet antishqiptar, të thirrur për të përkundur ëndrrat e vjetra ballkanike e panosmane me milete e vilajete “minishengeni”.

Modifikuar më Hënë, 04 November 2019 17:57
Login to post comments