Kryetari i PD Lulzim Basha në një takim me të rinjtë e qarkut të Elbasanit deklaroi se qeveria e Edi Ramës e ka degraduar arsimin. Basha theksoi se me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, studentët do të bëjnë 1 vit shtazh pas studimeve.
Po ashtu, Basha nënvizoi se është për të ardhur keq që sot në Elbasan janë mbyllur 12 degë. Ai vlerësoi se nën qeverisjen e ardhshme të PD, studentët do të mbështeten.
“Në të gjitha degët pa përjashtim ne do të zbatojmë modelin gjerman. Studentët do të marrin një vit shtazh të paguar nga qeverisja jonë. Nuk duhet më të ndodhë që rinia mbaron universitetin dhe të qëndrojë rrugëve apo në stole nëpër lulishte. Është skandal që sot në Elbasan janë mbyllur 12 programe.
Janë 12 degë që janë mbyllur 6 rrezikojnë të mbyllen, për shkak se qeveria nuk mbështet studentët, por oligarkët dhe merret me koncesione. Paratë janë te koncesionet e jo te studentët. Rinia nuk duhet të largohet aq shumë, sepse kjo është një plagë që duhet të marrë fund”, tha Basha.
Lulzim Basha tha se kjo qeveri ka promovuar vetëm drogën, duke shkatërruar kësisoj edhe ekonominë konkurruese, e reklamuar atë kriminale. Sipas Bashës, investitorët në Shqipëri janë larguar e jo afruar.