Në Shqipëri, Qeveria ka rishikuar me ulje rritjen ekonomike për vitin 2019, pas një rënieje të ndjeshme që u rregjistrua në dy tremujorët e parë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, tha të hënën në parlament, gjatë prezantimit të aktit normativ që rishikon të dhënat kryesore të buxhetit, se ndikimin kryesor në ngadalësimin e rritjes e kanë dhënë “sektori i energjisë elektrike dhe atij të “argëtim dhe shlodhje” ku bëjnë pjesë “lojrat e fatit”, të dyja me një efekt minus 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë”. Prodhimi i energjisë ka pësuar një rënie të fortë gjatë 2019, si pasojë e mungesës së rreshjeve, ndërsa ndikimi i “lojërave të fatit” erdhi si pasojë e vendimit të qeverisë për t’i mbyllur ato që nga fillimi i 2019-ës.
Sipas ministres Denaj “pavarësisht një ngadalësimi të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit për shkak të disa faktorëve të luhatshëm dhe të përkohshëm, sektorët kryesorë të ekonomisë vazhdojnë të përmirësohen. Konkretisht, sektorët që kanë shënuar rritje të qenësishme pozitive në tremujorin e dytë të këtij viti, me kontribut më të lartë pozitiv, janë industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese me 15.6% rritje, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me 4.4% rritje dhe ajo e produkteve të drurit dhe letrës me 15.6 % rritje. Rritje të qenësishme që varion nga 4.8 në 13.9% pati në pjesën më të madhe të sektorit të shërbimeve, që nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, transporti, komunikacioni, aktivitetet financiare dhe ato të pasurive të paluajtshme”, theksoi ministrja Denaj.
Në tremujorin e parë, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.4 përqind, ndërsa në tremujorin e dytë me 2,31 përqind. Banka e Shqipërisë nga ana e saj, parashikon që të njejtat ritme të jenë dhe për pjesën e dytë të vitit. Parashikimi i Qeverisë, dhe pas rishikimit të të dhënave, mbetet më optimist se ai i institucioneve financiare ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi muajin e kaluar se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë në nivelet e 3 përqind, nga 3,7 përqind që ishte parashikimi i tij i muajit Prill.
Po ashtu dhe Banka Botërore i rishikoi me ulje vlerësimet e saj, nga 3,7 përqind që ishte parashikimi në pranverë, në 2,9 përqind. Sipas Bankës, me zbutjen e efektit shock të prodhimit të energjisë elektrike, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet, në rreth 3,5 përqind ne dy vitet e ardhshme. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar, në këtë pikë është më optimist duke parashikura një PBB prej 4 përqindësh për periudhën 2020-2024.