5 ditë nga atentati në drejtim të prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, për ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe kreu i qeverisë Edi Rama.
Rama ka përgëzuar punën e policisë për zbardhjen e ngjarjes kriminale (Ku derimë tani ka vetëm një të arrestuar, pa u specifikuar roli i tij) dhe paralajmëron se brenda muajit do të ketë një ligj special për personat e dënuar.
Rama ka paralajmëruar masa dhe ndaj KÇK-së, grupi i prokurorëve apo gjyqtarëve Kap Ça të Kapësh, që sipas tij do të përballen me një reagim frontal nga ana e qeverisë që ai drejton.
Pavarësisht se deklaratat e tij kundër prokurorit Ndoja u pritën me kontestime të forta, Rama duket se nuk zë mend, dhe vijon të ngatërrojë sistemin e drejtësisë me institucionet që janë në varësi të tij.
Rama shkruan:
Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit, Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së.
Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund #ZeroTolerancë
Kujtojmë se për atentatin e ndodhur të premten ku u plagosën Arian Ndoja, Landi Muharremi dhe Andi Maloku është arrestuar derimë tani vetëm Redjan Rraja, i afërmi i deputetit të Ramës, Rrahman Rraja.