Redjan Rraja sot ra në prangat e Policisë, për atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja. Por Rraja një vit më parë është denoncuar për krime të tjera nga ish-nënkomisari Emiliano Nuhu, i cili tashmë është në azil politik pas sulmeve nga qeveria që iu bënë një vit më parë.
Në një intervistë për Dosja.al, Emiliano Nuhu ka treguar se Redjan Rraja ka qenë një emër i skeduar nga policia dhe i përfshirë në aktivitet kriminal. Po ashtu ai i dërgon dhe një pyetje Ramës, ku shprehet “Kush është horri në këtë mes, një nënkomisar që denoncon krimin duke sakrifikuar edhe familjen e tij, apo një kryeministër që mbështet dhe u rreh shpatullat grupeve kriminale”.
Sot, kur ka kaluar 1 vit nga denoncimi juaj për fisin Rraja, një nga anëtarët e kësaj familjeje, Redjan Rraja arrestohet nga Policia, pasi akuzohet si një nga autorët e atentatit ndaj prokurorit, si ndiheni ju që një pjesë e akuzës suaj tashmë provohet?
Unë Redjan Rrajën e denoncova një javë më parë për kërcënimet e bëra ndaj meje. Njëkohësisht i kam dërguar informacion të detajuar mbi rrezikshmërinë dhe aktivitetin e tij kriminal me e-mail zyrtar drejtorit të përgjithshëm të policisë, por nuk pati asnjë reagim. U desh të ndodhte një ngjarje e rëndë, atentat ndaj prokurorit në mënyrë që Rama të ngrejë duart lart dhe të mos mbrojë më këtë grup kriminal. Tani ndihem i çliruar që e vërteta po shkon në vend.
A keni një përgjigjie ju sot për kryeministrin Edi Rama që ju quajti një “horr”, “shpifës”, dhe se e gjithë akuza juaj për fisin Rraja u ngrit pasi ju kërkuat azil?
Unë kam një pyetje për Ramën; Kush është horri në këtë mes, një nënkomisar që denoncon krimin duke sakrifikuar edhe familjen e tij, apo një kryeministër që mbështet dhe u rreh shpatullat grupeve kriminale.
Ju denoncuat asokohe se më 30 korrik 2018, Redjan Rraja iu kontaktoi dhe më pas ju u takuat me të. Në prani të nipit tjetër Ramazanit, ai iu kërcënoi për të ndaluar hetimin e dosjes Xhisiela. Ndërkohë sot, deputeti Rrahman Rraja, thotë se nuk ka lidhje të afërta gjaku me të akuzuarin dhe se nuk i di as banesën. Nga ajo që ju dini, cilat kanë qenë marrëdhëniet e deputetit të PS me Redjan Rrajën dhe familjen e tij?
Unë nuk kam informacion se cila është lidhja e tyre e gjakut, se janë çuna tezje apo çuna daje, pak rëndësi ka kjo. Ajo që është e rëndësishme, është fakti se ata rrinë gjithmonë bashkë dhe kanë të njëjtin aktivitet kriminal.
Si një ish-polic i zonës së Krujës, cili ka qenë aktiviteti i Redjan Rrajës në dijeninë tuaj? Pas dënimit me 8 muaj burg dhe klinikës dentare, cili ka profili i tij për banorët e Krujës?
Aktiviteti i tij kriminal është i përqëndruar kryesisht në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kanabis. Unë kam pasur informacion për përfshirjen e këtij shtetasi edhe në vrasje me pagesë. Nëqoftëse aktiviteti i tij do ishte i lidhur me klinikë dentare, atëherë pse ai do të lëvizte me makinë të blinduar dhe me armë. Të gjithë personat e Fushë Krujës e njohin rrezikshmërinë e këtij personi dhe mbështetjen që ka nga politika.
/Dosja.al/