'Notre Drame de Tiran'/ Delvina: Protesta për Teatrin, më e bukura e demokracisë. Duhet mbështetur nga të gjithë

E mërkurë, 06 November 2019 17:03

I ftuar në Syri TV, përballë gazetares Armela Ferko, artisti Avni Delvina, autori i ekspozitës “Notre Drame de Tiran”, ka folur rreth çështjes së Teatrit Kombëtar dhe protestës në mbrojtje të tij që vazhdon prej më shumë se një viti.

Sipas artistit, që jeton jashtë, por që është ndjekës shumë i mirë i aktualitetit në vend, kjo protestë është ndër më të bukurat e tranzicionit shqiptar.

 “Mu duk protesta më e bukur e demokracisë shqiptare.  E ndjeva që ishte një protestë e bukur prandaj e mbështeta. Ka mbi një vit e gjysmë dhe u zbrita me 40 kuadro.

Është një betejë e fortë kundra korrupsionit.  Është një pikë referimi që duhet mbështetur nga të gjithë. E shoh si një pikënisje nga ku do të lindë një demokraci.

Sakrifica e tyre është shumë e madhe, ndërsa në media ka kufizime shumë të mëdhaja. Kjo që po bëj të jetë një plus më shumë në përpjekjet që po bëjnë ata për liri dhe demokraci”, u shpreh Delvina.

Sa i përket ngjarjeve të aktualitetit në vend, Delvina deklaroi se do duhej një studio hollivuadiane për të shprehur ato çfarë ndodhin në vend çdo ditë.

“Janë kaq të shpejta ngjarjet sa mua më duhet një studio dhe dy-tre njerëz për të ndjekur ngjarjet e Shqipërisë. Negativiteti këtu ka aq shumë shpejtësi sa më prish humorin dhe entuziasmin e asaj që po bëj. Duhet të kesh një studio hollivudiane që të ndjekësh aktualitetin këtu”, deklaroi Avni Delvina.

Ekspozita “Notre Drame de Tiran” vijon në hollin e Teatrit Kombëtar që prej 2 nëntorit dhe do të vijojë edhe disa të tjera të jetë e hapur për publikun shqiptar. /Syri.net

Login to post comments