Nga Shkodra, kreu i PD, Lulzim Basha tha se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale.
Në interes të mediave, pas takimit me të rinjtë, Basha tha se pas paligjshmërisë së 30 qershorit, Shkodra është e vetmja situatë e ligjshmërie.
Basha: Asnjë bashki nuk ka kryetar. E vetmja situatë ligjshmëri për shkak të paligjshmërisë së 30 qershorit është Shkodra. Por në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë do të ketë zgjedhje të ligjshme vendore, zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Basha nuk dha një datë zgjedhjesh, por tha se është në dorë të qytetarëve.
Basha: Është në dorën e gjithë ne bashkë ta afrojmë këtë datë sa më shumë dhe si pjesë e detyrës time jam sot me qytetarët e Shkodrës në këtë rrugëtim që ka për qëllim mbylljen e kësaj krize dhe afrimin jo thjesht të datës së zgjedhjeve dhe rotacionit politik, por të atij ndryshimi që për nga standardi dhe cilësia të jenë evropiane dhe mos lënë askënd të zhgënjyer në pritshmëri, në shpresat dhe projektet.
Për fat të keq PS vazhdon të poshtërohet ditë për ditë nga persona me rekorde kriminale dhe vazhdon të drejtohet nga një grup njerëzish që nuk kanë interes të ndryshojnë. Kjo është kontradikta kryesore. Shumica e shqiptarëve thonë se kështu nuk vazhdohet më. Një grusht njerëzish grabisin pasuritë e shqiptarëve. Ndaj detyra jonë është të bashkohemi të formulojmë zgjidhjet me anë të cilës do ti japim fund jo vetëm kësaj krize ekonomike, por do të projektojmë një qeverisje që ti takojë qytetarëve dhe të pamundësojmë që kushdo parti politike ta kthejë shtetin në pronë private.