Fiskalizimi, goditje e re për biznesin e vogël: Një përllogaritje

Hënë, 11 November 2019 08:28

Edhe pse procesi i fiskalizimit vijon të jetë i paqartë për palët e interesit, për sa kohë ende nuk janë publikuar udhëzimet dhe aktet nënligjore, diçka është e sigurt: ky proces do të rëndojë me kosto shtesë biznesin e vogël.
Përfaqësuesit e kompanive fiskale bënë të ditur se kasat aktuale nuk mund të transformohen sipas protokollit të kroatëve, çka “hedh në plehra” miliona euro që bizneset shqiptare, të vogla dhe të mëdha, kanë shpenzuar për të blerë kasa fiskale. Ekonomistët vlerësojë se i gjithë procesi do të shoqërohet me kosto si për blerjet fillestare, por edhe për mirëmbajtje, të cilat janë periodike. Vetëm për vulën dixhitale, bizneset shqiptare do të paguajnë vetëm për një vit, minimalisht 3.9 milionë euro…

Shumë pranë qendrës së Tiranës, në rrugën “Sulejman Delvina”, e hëna nis si një ditë e zakonshme pune. Duke qenë se është një segment i rrahur nga kalimtarë të shumtë, në këtë zonë gjen biznese, që kryejnë aktivitete të ndryshme, nga shitjet me pakicë, te minipunishtet dhe shërbimet, kryesisht të klasifikuar si biznes i vogël.

Një ndër këto biznese është edhe dyqani i rrobave i Elonës, e cila prej tre vitesh është angazhuar në një sipërmarrje, që sikurse pranon edhe ajo vetë, më shumë “ka hedhur para” nga kursimet e saj, se sa ka fituar. Ndonëse nuk e di se çfarë nënkupton fiskalizimi apo fatura elektronike, ka të qartë vetëm që duhet të nxjerrë sërish nga shtëpia para për t’ju përgjigjur kërkesave të reja. Vetëm pesë muaj më parë, Elona pagoi 160 euro për kolaudimin e kasës fiskale. Por, Elona thotë se nuk mund të përballojë më asnjë kosto ekstra në biznesin e saj. Së fundmi, shitjet kanë rënë dhe të ardhurat nuk po mbulojnë dot më as shpenzimet.

Elona paguan një herë në vit taksat vendore, të cilat shkojnë rreth 20,000 lekë, përllogarit kosto të kolaudimit të kasës rreth 80 euro në vit, paguan faturën e energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë me një mesatare prej 7.000 lekësh çdo muaj, ku në secilën faturë, një pjesë të mirë e zënë taksat dhe tarifat, paguan për çdo muaj siguracionet për veten dhe shitësen. Ndërsa ka si kosto fikse për çdo muaj edhe qiranë e dyqanit. Me procesin e ri të fiskalizimit, Elona pret që në fund të vitit të blejë pajisjet e reja fiskale, në dyqan ajo nuk ka as kompjuter dhe as internet.

Për t’iu përshtatur kërkesave të reja të fiskalizimit, një biznesi do t’i duhet që minimalisht të ketë një kompjuter apo smartphone për të shkarkuar aplikacionin që do të bëjë regjistrimin e shitjeve ditore, printerin fiskal, vulën dixhitale, e cila kushton 4.000 lekë në vit dhe një linjë interneti të dedikuar.

Një kompjuter i ri, me parametra të ulët, sipas çmimeve të dyqaneve të pakicës fillon nga 30.000 lekë, ndërsa një kompjuter i përdorur mund të kushtojë diçka më pak se aq. Një printer fiskal (printer termik) kushton rreth 140 euro, prodhimet kineze mund të jenë më të lira se aq. Ndërsa do t’i duhet edhe abonim në internet, me paketa që variojnë nga 1,800 lekë deri në 2,500 lekë në muaj, në varësi të cilësisë dhe shpejtësisë.
Me gjithë këto kosto të shtuara, Elona po mendon dhjetorin si muajin e fundit të biznesit të saj. Shitjet kanë rënë tashmë dhe ajo po shkon një herë në tre muaj për furnizim, ndryshe viti i parë i punës kur shkonte çdo muaj në Greqi për të marrë mall.

Shumë pranë dyqanit të Elonës, Ermiri (emër i ndryshuar) bashkë me familjen, ka hapur një dyqan-restorant peshku jo më të madh se 30 m2, ku përveçse shet prodhime deti, ofron edhe pjesën e restorantit. Nuk ka as kompjuter dhe aq internet. Kështu që para 1 janarit do t’i duhet që të blejë nga e para të gjithë tërësinë e pajisjeve fiskale dhe softuerike për t’iu përgjigjur kërkesës së re të fiskalizimit. Nuk kishte as internet dhe as kompjuter edhe Suzana, e cila po në të njëjtën rrugë, prej shtatë vitesh ka një dyqan ku shet metrazhe. Kishte dëgjuar për fiskalizimin, por ekonomistja ende nuk i kishte thënë se çfarë duhet të bënte.

Nga një vëzhgim i “Monitor” i bizneseve kaq pranë qendrës, rezultoi se pjesa më e madhe tyre nuk kanë as internet dhe as kompjuter. Por edhe ato që kanë, po hasin vështirësi. Kështu, Sokoli ka një lokal bar-kafe. Muajin e fundit, të ardhurat nga aktiviteti nuk dolën as për të paguar dritat. Deri para pak muajsh, ai paguante sigurimet shoqërore për vete dhe tre të punësuar, ndërsa sot, edhe pse është i ndërgjegjshëm për pasojat e këtij veprimi, thotë se nuk ka zgjidhje tjetër. “Biznesi im nuk mund të përballojë më kosto shtesë”- tha ai.

Më 1 prill 2020, të gjithë bizneset pritet që të hyjnë në sistemin e faturimit elektronik (afati u shty me tre muaj pas kërkesave të shumta të grupeve të biznesit). Qeveria pret që ky projekt të reduktojë ekonominë informale. Me këtë proces të ri të raportimit financiar, ata presin që të sigurojnë një kontroll më të mirë dhe inspektim më efikas, ku çdo shitje do të deklarohet në sistemin tatimor.
Ndër të tjera, ky sistem i ri pritet që të modernizojë sistemin tatimor, duke e çuar drejt një sistemi elektronik, ndonëse jo i gjithë biznesi në Shqipëri mund t’i përgjigjet kësaj teknologjie avangardë. Pjesa dërrmuese e bizneseve në Shqipëri janë të vogla, ku me një vrojtim të bërë në një nga zonat shumë pranë qendrës së kryeqytetit doli në pah se subjektet nuk janë të pajisur me pajisje teknologjike apo edhe internet.

Kostot shtesë që duhet të paguajë biznesi

Ndonëse ende Ministria e Financave nuk ka dalë me një përfundim të qartë se cilat do të jenë kostot që do të përballet biznesi me zbatimin e procesit të fiskalizimit, Armand Mala, ekspert kontabël, ka bërë një vlerësim paraprak se sa do të jenë kostot e përafërta që do të përballet biznesi, edhe pse thekson se nisma për të ulur informalitetin është për t’u përshëndetur, pasi do të zgjerojë barrën e taksave duke u ardhur në ndihmë bizneseve të ndershme dhe ndoshta në një periudhë afatgjatë do të ndikojë në uljen e taksave apo qoftë edhe në rritjen e investimeve publike. Por për realizimin e kësaj nevojitet më shumë sesa një ligj.

Ekspertët dhe grupet e interesit janë të mendimit se do të ishte më mirë zbatimi i tij në mënyrë graduale, për shkak edhe të kostove të menjëhershme që do të përballej biznesi.

-Së pari, bizneset do të duhet të paguajnë për softuerin, i cili sipas një vlerësimi, paraprak pritet që të kushtojë rreth 70-80 euro, çdo vit. Për biznesin e vogël me xhiro më të vogël se 2 milionë lekë, gjatë diskutimeve me grupet e interesit, përfaqësues të Ministrisë së Financave deklaruan se do të jetë falas. Së dyti, biznesi do të duhet të pajiset me vulën dixhitale që do të ketë një kosto vjetore prej 4,000 lekësh. Herën e parë kosto e vulës është 7300 lekë, pasi përfshihet dhe pajisja USB.

Softueri fiskal mund të funksionojë nëpërmjet instalimit të një aplikacioni në një kompjuter apo në një smartphone. Jo të gjitha bizneset janë të pajisur me një të tillë dhe më i liri kushton rreth 30,000 lekë. Një opsion tjetër është instalimi i aplikacionit me një smartphone. Megjithatë, sipas Armand Malës, kjo nuk është një zgjedhje praktike. Si smartphone, ashtu edhe kompjuteri, duhet të kenë parametra të mirë për të garantuar funksionim e vazhdueshëm. Biznesi gjithashtu do të ketë nevojë për një printer fiskal që sipas Malës më i liri kushton 140 euro. Printeri fiskal është një pajisje e cila duhet të lidhet me një kompjuter personal, që ka një memorie fiskale.

Sistemi i ri i fiskalizimit, ndryshe nga sistemi aktual, kërkon që të raportohet në kohë reale çdo shitje e biznesit në sistemin qendror të Tatimeve, të cilat miratojnë ose refuzojnë veprimin. Ky sistem ndërveprimi kërkon internet të vazhdueshëm dhe të pandërprerë. Kështu biznesit do t’i duhet linjë interneti. Mala shpjegon që sistemi i ri kërkon që biznesi këtë linjë interneti ta ketë të dedikuar me një IP statike, e cila kushton minimalisht dyfish më shtrenjtë se linjat e internetit për abonentët e zakonshëm. Në përgjithësi, ofruesit e internetit shpërndajnë internetin tek individët nëpërmjet një kutie qendrore, pra me një linjë jo të dedikuar. Në çastet e pikut, pra ku të gjithë abonentët janë në të njëjtën kohë duke lundruar në internet, ndodh që shpejtësia të ulet në minimum dhe për të hapur një faqe të thjeshtë bëhet e vështirë. Në rast se kjo i ndodh një biznesi, kur është në flukse pune do të sillte problem në funksionim dhe vonesa në shërbim.

Një tjetër kosto do të jetë edhe ndryshimi i programeve financiare që janë të pajisur pjesa më e madhe e bizneseve, për të mbajtur librat kontabël, siç janë Financa 5, Alfa, Bilanc, etj., Përditësimi i këtyre programeve sipas kërkesave që ka sistemi i ri, sigurisht që do të shoqërohet me kosto shtesë. Armand Mala sjell në vëmendje rastin kur u shtua moduli për identifikimin e NIPT-eve pasive nëpërmjet programeve financiare, ku vetëm për një ndryshim moduli, kostot vjetore ishin rreth 120 euro.

Ndër të tjera, biznesi do të përballet edhe me komisione bankare më të larta sipas Malës, i gjithë ky proces do të sjellë flukse të shtuara për bankat tregtare në vend, veçanërisht me vendosjen e një limiti ditor për arkën, ku sipas Malës, një pjesë e tyre nuk do të aplikojnë komisione fikse por në përqindje të shumës që po derdhet. Kostot shtesë që do të përballen bankat, do të sjellin padyshim rritjen e tarifave.

Për t’iu përgjigjur kërkesave të reja që do të kërkojë procesi i fiskalizimit, Mala ka planifikuar që në vitin e ardhshëm do të shtojë edhe një person tjetër në stafin e tij, i dedikuar për të plotësuar ndryshimet që po kërkohen me zbatimin e procesit të ri të fiskalizimit.
Ai parashikon që këtë vit do të mbajë më pak klientë, pasi kërkesat e shtuara që kërkon ky proces nuk lejojnë që të mbajë kontabilitetin e bizneseve si më parë, pasi kontakti që do të ketë me biznesin do të jetë i përditshëm. Por duke ulur numrin e bizneseve, Mala thotë se do të duhet të rrisë tarifat e shërbimeve që ai ofron me gati 30%.

Edhe pse nuk mund të përllogariten si kosto direkte shtesë, Mala shton se edhe masat në rast shkelje janë ashpërsuar në krahasim me sistemin aktual. Për arsye të ndryshme, bizneset përballen me gjoba, ndonëse përpiqen që gjatë vitit, ato të jenë sa më të ulëta. Në fund të vitit përllogaritet një shifër x, si penalitete që ka marrë biznesi, por që priten dhe në fund të vitit do të jenë diku më të larta.

Kostot shtesë

“Monitor” ka përllogaritur kostot me të cilat do të përballet biznesi me implementimin e procesit të fiskalizimit dhe për fat të keq ato janë disafish më të larta edhe se vetë taksat që paguan biznesi i vogël. Kështu vetëm kostot fillestare në vitin e parë të implementimit shkojnë 53,200 lekë, ndërsa kostot e mirëmbajtjes në varësi të linjës së internetit që do të përdoret, do të shkojnë nga 64,200 deri në 94,200 lekë. Në total, vitin e parë një biznes do të paguajë 960 – 1200 euro.

Distributorët: Kasat fiskale, e pamundur të përshtaten me sistemin e ri

Projektligji i propozuar ka për synim krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale (gjenerata e re e kasave fiskale).

Një nga dilemat që po shoqëron këtë proces është edhe mundësia e kasave aktuale për t’u përshtatur me sistemin e ri që pritet të fillojë tani afër. Për të kuptuar sa e mundur apo e pamundur është kjo, “Monitor” intervistoi përfaqësues të kompanive që aktualisht ofrojnë kasat fiskale në treg. Sipas tyre, sistemi që kërkohet të vendoset është tepër ambicioz dhe do të mbyllte qarkun, por shtojnë se me prezantimin e sistemit të ri është krijuar një re që vesh me paqartësi të gjithë implementimin e tij. Sistemi i ardhshëm do të bëjë kryqëzimin e të gjithë informacionit që merr nga burime të ndryshme dhe kjo në aspektin tatimor është revolucion, pasi vendos në binar të gjithë bizneset.

Përfaqësuesit e kasave fiskale sqarojnë se është menduar që fundorët do të jenë të lidhur me serverin nëpërmjet internetit dhe certifikimit, vulës dixhitale, e cila do të shërbejë për të siguruar komunikimin midis fundorit dhe serverit.
Pajisja fiskale, në momentin që operatori regjistron një transaksion, e memorizon, duke garantuar informacion të lexueshëm gjatë gjithë kohës. Pajisjet fiskale aktuale luajnë një rol kryesor në komunikimin midis tatimpaguesve dhe administratës tatimore. Aktualisht, kasat fiskale raportojnë në fund të ditës në serverin qendror të gjithë aktivitetin ditor të biznesit.

Sistemi i ri do të kërkojë që kasat të raportojnë të gjitha transaksionet në kohë reale. Përfaqësues të kompanive të kasave fiskale thanë për “Monitor” se po punojnë dhe kanë arritur që kasat të përshtaten me kërkesat e reja të sistemit, por sipas një protokolli që ata kanë krijuar. “Që në momentin kur u hodh ideja e fiskalizimit, me kërkesat që ata parashtruan, ne kemi ndërtuar një protokoll për kasat aktuale. Kemi krijuar një protokoll tonin, i cili mundëson që këto pajisje të transformohen me pak kosto për tatimpaguesin me gjithë karakteristikat që kërkon sistemi i ri. Qëllimi ynë është që transformimi nga një sistem në një sistem të jetë sa më i ulët”, – shpjeguan ata për “Monitor”.

N.q.s. do të punohet me logjikën e re të sistemit, i bie pastaj që është revolucion total dhe pajisjet duhen ndërruar të gjitha. Thënë më thjesht, kasat aktuale fiskale flasin një gjuhë, ndërsa sistemi i fiskalizimit flet një gjuhë tjetër. Kompanitë që ofrojnë kasa fiskale në treg konfirmuan për “Monitor” se janë në bisedime të vazhdueshme me përfaqësues të Ministrisë për të gjetur një zgjidhje me sa më pak kosto për biznesin.

Pse nuk mund të përdoret një PC apo smartphone

Sistemi aktual i pajisjeve fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve mundëson që të dhënat financiare të merren nëpërmjet transmetimeve të raporteve tatimore ditore “Z”. Aktualisht, pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës dhe jo në kohë reale.

Sistemi i instaluar në 2009, mbështetej në teknologjinë e asaj kohe, por sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nuk arrin standardet që kanë aktualisht shumica e vendeve të Bashkimit Europian, sidomos duke e vlerësuar në pikëpamje të efektivitetit të kostos si për taksapaguesit, ashtu edhe për qeverinë.

Sipas Tatimeve, sistemi i ri do të krijojë një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë. Ai mundëson për qytetarët që të mund të verifikojnë në kohë reale nëse fatura që kanë marrë, është raportuar në sistemin tatimor dhe për administratën tatimore, kontroll efektiv dhe analizë të saktë e të thelluar të të dhënave tatimore. Ndërsa nënvizojnë se ndryshimi i teknologjisë është i domosdoshëm, për sa kohë pajisjet aktuale mbështeten në teknologjinë 2G/3G dhe po zëvendësohen në të gjithë Europën. Për t’u siguruar që të shmanget varësia ndaj një modeli specifik teknologjik, sistemi i ri nuk mbështetet në një model konkret (p.sh. pajisje Harduere ose Softuere), por në standarde të hapura që ofron aksesi me internetin.

Kjo qasje teknologjike do të thotë se Fiskalizimi është i bazuar në softuerë dhe procesi mund të implementohet lehtësisht në të gjitha pajisjet ekzistuese (pa pasur nevojë për një pajisje Harduere sekondare vetëm për të operuar brenda sistemit të fiskalizimit). Në terma afatgjatë, kjo ul ndjeshëm kostot e teknologjisë për taksapaguesit. Ekspertët pohojnë për “Monitor” se përdorimi i kompjuterëve personalë apo smartphone-ve nuk është i rekomanduar, pasi duke qenë se funksionojnë në një sistem të hapur, mundësitë që sistemi të pësojë crash apo të marrë viruse, është tepër i lartë.
Gjithashtu, sipas ekspertëve rriten shanset për të korruptuar sistemin, ndryshe nga kasat fiskale që kanë siguri të lartë dhe nuk lejojnë manipulimin.

Vula dixhitale do t’u kushtojë shqiptarëve 3.9 milionë euro, vetëm vitin e parë

Në nenin 19, përcaktohet detyrimi për të gjithë subjektet që lëshojnë fatura që të pajisen me një certifikatë elektronike nga AKSHI. Certifikata e njëjtë do të mund të përdoret për autentifikimin e zgjidhjes softuerike për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave me sistemin e Administratës Tatimore. Pastaj për nënshkrimin elektronik të mesazheve që dërgohen në Administratën Tatimore, së bashku me përmbajtjen e elemente të faturës.

Tatimpaguesi që lëshon faturë, detyrohet që me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturës, të marrë një certifikatë elektronike, e cila gjenerohet dhe lëshohet nga AKSHI si institucioni qendror shtetëror që administron dhe mirëmban Infrastrukturën Qeveritare të Çelësave Publike. Certifikata elektronike e lëshuar nga AKSHI ruhet në një ambient fizik me nivel të lartë sigurie, duke mos cenuar integritetin e tyre dhe duke mos thyer konfidencialitetin e tyre. Për certifikatën elektronike të lëshuar do të aplikohet tarifa e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, për shërbimet elektronike të ofruara nga AKSHI për subjektet nën pikën 1, të këtij neni.

Aktualisht tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative për nënshkrimin elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse për subjektet private ofrohet me tarifë fikse prej 6400 lekë, përfshirë TVSH-në për pajisje me usb Token; – 7300 lekësh, përfshirë TVSH-në për asistencë teknike 12-mujore.
Ministria e Financave njoftoi se tarifa për vulën dixhitale do të jetë 4000 lekë dhe do të paguhet çdo vit. Deri më 1 janar 2020 do të duhet të jenë pajisur me vulën dixhitale të gjitha bizneset në Shqipëri, përjashtuar fermerët. Pra duhet të pajisen me vulë dixhitale 120 mijë biznese në të gjithë Shqipërinë, të cilat duhet të paguajnë njëkohësisht 480 milionë lekë, apo rreth 3.9 milionë euro, ndërsa për vitin e parë, kur kosto është 7,300 lekë me gjithë pajisjen, shuma totale është 7.1 milionë euro. Sistemi i ri kërkon që ky certifikim të kryhet për vit.

Mbetet ende e paqartë se sa certifikata elektronike duhet të marrë çdo subjekt, se si do të veprohet në rastet e rrjeteve të dyqaneve të mëdha me disa pajisje fiskale dhe NIPT-e sekondare. Edhe në qoftë se secilit subjekt do t’i mjaftonte vetëm një certifikatë, është e pabarabartë që një biznes i vogël, që mund të lëshojë më pak se 50 fatura në muaj, mund të barazohet në kosto me një biznes me më shumë se 100.000 të tilla.

Për t’u pajisur me nënshkrim elektronik duhen dorëzuar disa dokumente pranë AKSHI-t, si dhe të kryhet pagesa përkatëse për shërbimin. Ndërsa për të kryer rinovimin e nënshkrimit elektronik, duhet të dërgoni pranë AKSHI-t, ose me postë, një kërkesë zyrtare për rinovimin e nënshkrimit tuaj së bashku USB e Token tuaj ekzistues. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të jetë autoriteti përgjegjës për të pajisur me vulën dixhitale. Por shumë ekspertë të fushës ngrenë pikëpyetje nëse AKSHI mund t’i përgjigjet fluksit të shtuar të kërkesës për vulë dixhitale, kur ka mbetur edhe pak kohë në dispozicion.

Çfarë pajisjesh kërkon sistemi i ri fiskal

Sistemi fiskal është tërësia e pajisjeve fiskale dhe zgjidhjes softuerike që përdoren për lëshimin dhe marrjen e faturave dhe faturave shoqëruese, zbatimin e procedurës së fiskalizimit dhe shkëmbimin elektronik të mesazheve, komunikimit ndërmjet tatimpagueseve që lëshojnë fatura, fatura shoqëruese dhe sistemit të teknologjisë së informacionit të administratës tatimore, duke përdorur një rrjet të sigurt të shkëmbimit të të dhënave nëpërmjet lidhjes elektronike, internetit.

Sistemi fiskal përfshin:
Pajisjen fiskale, e cila përbëhet nga:

a) pajisja elektronike e faturimit, e cila përdoret për lëshimin e faturave për shitjen e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve, me memorie fiskale për regjistrimin e të dhënave fiskale për faturat e lëshuara për pagesa që kryhen me para në dorë; dhe/ose

b) pajisje elektronike për lëshimin e faturës shoqëruese me memorie fiskale për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat shoqëruese; dhe/ose

c) printer fiskal për lëshimin e faturave nëpërmjet pajisjes elektronike të faturimit ose për lëshimin e faturës shoqëruese, në rast se printeri fiskal nuk është pjesë e pajisjes elektronike të faturimit; dhe/ose ç) çdo pajisje elektronike (kompjuter, telefon celular etj.) që përdoret për të përpiluar dhe për të lëshuar fatura për shitjen e mallrave dhe për të ofruar shërbime për pagesa që kryhen pa para në dorë;

Zgjidhjen softuerike, sistemin e integruar kompjuterik ose aplikacionin Cloud, që mundëson:

a) përpilimin e faturës ose faturës shoqëruese, futjen e të gjithë elementeve të domosdoshme të faturës ose faturës shoqëruese;

b) identifikimin e operatorit që lëshon faturën ose faturën shoqëruese;

c) nënshkrimin elektronik;

ç) lëshimin dhe pranimin e faturave elektronike;

d) transferimin automatik të të dhënave në administratën tatimore dhe pranimin e informacionit konfirmues nga administrata tatimore, pas verifikimit automatik të çdo fature ose fature shoqëruese;
dh) ruajtjen e të dhënave në memorien fiskale;

e) masa të tjera për procedurën e fiskalizimit;

Zgjidhja softuerike, sistemin e integruar kompjuterik ose aplikacionin Cloud, që mundëson: nënshkrimin elektronik, transferimin automatik të të dhënave në administratën tatimore dhe pranimin e mesazhit konfirmues nga administrata tatimore, pas verifikimit automatik të mesazhit të pagesës së faturës elektronike;

Sistemin e komunikimit ndërmjet tatimpaguesit dhe administratës tatimore nëpërmjet rrjetit të sigurt për transferimin elektronik të të dhënave nëpërmjet internetit./MONITOR

Login to post comments