Ditën e sotme gratë dhe vajzat e FRPD ishin në një takim me kryetaren e Forumit të Gruas në PPE, Doris Pack. Ajo i bëri thirrje të rinjve të qëndrojnë në vendin e tyre, sepse demokracia është në rrezik dhe vendi ka nevojë për ta.
“Mund t’ju them se jam vërtetë e pikëlluar sepse kur kam ardhur këtu në vitet ’91, ’95, ’96, 2004 kam parë ndryshimet por tani ju them me trishtim se po shoh gjendjen më të keqe. Është një situatë ku demokracia është në rrezik. Është një situatë që nuk besoja kurrë se do të ndodhte. Qëndroni në vendin tuaj, ka ende shpresë sepse vendi ka nevojë për ju”, thotë Pack.
Më tej Pack i bëri thirrje politikanëve që të punojnë në të mirë vtë vendit dhe të mos i shërbejnë parasë së tyre. “Para shtatë viteve ishit në rrugën e duhur ku morët statusin e vendit kandidat sepse vendi e meritonte dhe që nga ajo kohë vendi ka ecur mbrapa. Korrupsioni është në nivelin më të tmerrshëm. Kjo është diçka shumë e keqe.
Politikanët duhet të bëjnë atë për të cilën janë votuar e jo t’i shërbejnë parasë për veten e tyre. Por të shërbejnë për shëndetësi, edukim, për të parandaluar kanabisin, për të pasur një sistem drejtësie e cila e meriton emrin drejtësi, sepse pa to ju nuk do të keni investime të huaja, jo për ato investime që vijnë se duhet dhënë bakshish”, tha Pack.
Në bashkëbisedim ka marrë pjesë edhe ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi. Vokshi tha se vendi ndodhet në krizë institucionale, politike, sociale, ekonomike, kushtetuese.
“Çdo gjë është në një ngërç. Shqipëria është në autokraci. Kemi një person i cili ka në duart e tij të gjitha pushtetet. Ka parlamentin, qeverinë, pushtetin vendor, mediat, shoqërinë civile dhe gjykatën Kushtetuese. Në mënyrë antikushtetuese kërkon të ngrejë Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Vokshi.