Pse Avokati i Popullit do ngrejë padi ndaj Dvoranit

Tuesday, 19 November 2019 13:02

Avokati i Popullit publikoi një ditë më parë raportin për veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. AP sqaron me detaje se si u vonua procesi i ngritjes së këtij institucioni deri kur në krye të tij erdhi Ardian Dvorani, i vënë nën shënjestrën e opozitës dhe presidencës.

Por pavarësisht se ligji dhe Kushtetuta e parashikojnë Avokatin e Popullit si një organ mbikëqyrës të KED, që prej hartimit të rregulloreve e në vazhdim, ky institucion tentoi të shmangë transparencën.

Kulmi arriti kur KED prezantoi konceptin e dhomës së këshillimit, për të shmangur diskutimet me praninë e AP dhe vëzhguesve. Për këtë arsye, Avokati i Popullit thotë se ka bërë gati një padi.

“Më konkretisht, KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative. Kështu, sipas pikës 41 të Vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nr.4 datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, është vendosur që: “Bisedimet e çështjes, si dhe votimi i vendimit, bëhen vetëm me praninë e anëtarëve të Këshillit”. Duke vlerësuar një parashikim të tillë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta dhe ligji që cituam më siper i kanë dhënë institucionit tonë, ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformes së drejtësi. Pra, shumë shpejt ne do të paraqesim këtë padi në gjykatën administrative të apelit, me objekt shfuqizimin e disa prej neneve të dy prej rregulloreve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

Modifikuar më Tuesday, 19 November 2019 13:07
Login to post comments