Ashtu sikurse pritej skandali i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me hartën e publikuar në faqen e tij në të cilën Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, nuk ka kaluar pa u raportuar edhe ne mediat serbe. “Kosova është në shok”, shkruan B92, duke iu referuar reagimeve që kjo gafë ka ngjallur në Prishtinë. I pari që ka reaguar ka qenë zyrtari i LDK’së, Arben Gashi, i cili ka pyetur Ramën se ku është Kosova. “I pa dashtun kryeministër, ku është Kosova??”, ka shkruar Gashi në faqen e tij zyrtare në facebook.
Historiani Jusuf Buxhovi i pyetur nga Gazeta Express lidhur me këtë çështje është shprehur se kjo nuk është asgjë e re, duke e pasur parasysh kursin e qeverisë Rama në raport me Kosovën.
“Asgjë e re dhe e jashtëzakonshme nëse kihet parasysh kursi i Tiranës zyrtare, veçmas qeverisë Rama, viteve të fundit në raport me Kosovën, ku bie në sy përpjekja që të bëjë pazare me Serbinë në dëm të saj”, ka thënë Buxhovi.
Ka reaguar gjithashtu edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili e ka quajtur një akt flagrant të tradhtisë kombëtare. ‘Zografi bis në një akt flagrant të tradhëtisë kombëtare fshin Kosoven si shtet i pavarur dhe e paraqet atë si territor të Serbisë! ka shkruar Berisha duke ripostuar edhe hartën e publikuar nga kryeministri.
Rama sot në faqen e tij zyrtare, teksa ka publikuar një video ku tregonte për një investim për furnizim me ujë, ka përdorur një hartë në të cilën Kosova është pjesë e hartës së Serbisë.
Megjithatë, duke parë një skandal të tillë, Rama ka ndërhyrë duke edituar videon, dhe duke e shkurtuar atë për të mos u parë e gjithë harta, Por ndonëse midis gafës fillestare dhe ndreqjes së saj pas reagimeve të mëdha në Prishtinë, nuk kaloi jë kohë e gjatë, ajo qe e mjaftueshme për të mos i shpëtuar syrit të mediave serbe (shiko poshtë).