Kryedemokrati Lulzim Basha arriti një fitore në Kongresin e PPE në Zagreb, kur formacioni më i rëndësishëm politik në Europë, miratoi një rezolutë për situatën në Shqipëri, duke bërë thirrje për zgjidhjen e krizës në vend dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Rezoluta e miratuar në mënyrë unanime përmban një tekst shumë të fortë. Lapsi.al shkruan se kjo është një nga rezolutat më të forta që është bërë kundër qeverisjes në Shqipëri.
Analisti Ergys Mërtiri thotë se kjo rezolutë e PPE ishte një grusht i fortë kundër Edi Ramës. Sipas tij, CDU gjermane ka nisur një sezon lufte me Ramën.
“Ata flasin për një krizë të thellë politike, gjë që Rama nuk e njeh se ekziston, kërkojnë formimin e një Gjykate Kushtetuese, e cila duhet të hetojë legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit, flasin për blerjen e votave, përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje, dhe lidhjet e tij me politikën, gjë që ata e quajnë të papranueshëm për standardet europiane. Gjithashtu, ata flasin për përfshirjen e njerëzve me precedentë penale në politikë dhe funksione drejtuese, trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave etj. Pas të gjitha këtyre, rezoluta shpreh mbështetje të drejtpërdrejtë, fare hapur për Partinë Demokratike, si një forcë që po përpiqet ‘për të adresuar shqetësimet legjitime’ të vendit,” shkruan ai.
Në mënyrë të ngjashme interpretohet kjo rezolutë në median sociale: si një thirrje për rotacion në Shqipëri. Por edhe rezoluta e Bundestagut gjerman, në thelb nënkupton diçka të tillë.