Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka deklaruar sot se i ka bërë 4 kërkesa qeverisë, në lidhje me situatën ku ndodhet vendi.
Pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, presidenti shkruar se është takuar me pedagogë dhe drejtues shkencorë dhe për këtë arsye, i ka kërkuar qeverisë disa gjëra që duhet të bëhen urgjentisht.
Reagimi i plotë i presidentit:
Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, i kam kërkuar sot Qeverisë:
- Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj;
- Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;
- Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;
- Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor.