Agron Tufa, pasqyra ku diktatura nuk sheh dot veten

Premte, 06 December 2019 09:10

Nga Ahmet Prençi/

Që Agron Tufa, bashkë me familjen, iku nga vendi i tij, unë e mora vesh nga lajmet. 
E konfirmova menjëherë këtë lajm dhe u trishtova shumë.

 

Ishim takuar disa herë këtë vit dhe kishim biseduar për breshërinë e kërcënimeve dhe debateve që ai përballej me personazhe të pushtetshëm dhe eksponentë të shumtë, përkrahës të regjimit ish-komunist dhe të ish-Sigurimit të Shtetit. Nga bisedat me të nuk më kishte shprehur kurrë një ide të tillë, për t'u larguar nga Shqipëria, ndonëse e shikoja të dëshpëruar e gati të vetmuar në këtë luftë publike, parimore dhe institucionale.

 

Agroni ishte i vetmi si Drejtor i një institucioni që nuk e drejtonte mazhoranca. Të gjithë institicionet tashmë janë nën thundrën e partisë shtet, nën urdhërat e Kryeministrit të plotfuqishëm. Të gjithë. Pa përjashtim. Përfshirë dhe pushtetin gjyqësor. Iku tashmë drejtori i fundit i një institucioni të krijuar si rekomandim i Këshillit të Evropës. Pra, iku një kryetar i një institucioni dhe me këtë rast njëkohësisht kanë thyer rëndë dhe shpirtin e një poeti.

 

Ai u gjend përballë kërcënimesh e shantazhezh deri me jetë. Kërcënime për të dhe familjen, për të 5 fëmijët e tij. Jo rrallë më ishte drejtuar për t'u konsultuar për të përballuar këtë hall të madh. Unë, si miku i tij, që kisha një jetë në institucionet e sigurisë dhe mund e duhet të bëja diçka për të. Ai, jo pa qëllim, më drejtohej për të gjetur mënyrën ligjore për të siguruar veten, bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij. Ai iu drejtua institucioneve të zbatimit të ligjit; policisë dhe prokurorisë, pasi kërcënimet i vinin publikisht, në rrugë elektronike, por edhe në rrugët e Tiranës ku Agroni lëvizte çdo ditë në aktivitetin e tij. I vinin nga persona anonimë, që i adresonin kërcënime direkte për jetën e tij dhe të familjes, për shkak të funksionit që kryente.

Duke ditur se institucionet i kanë mekanizmat e plotë për ta zgjidhur shumë shpejt çështjen, përpiqesha ta qetësoja, por pa sukses. Kur kaloi kohë e gjatë dhe asgjë s’po zgjidhej isha i bindur se askush nuk kishte vullnet për ta zgjidhur këtë problem. Megjithatë, rezervohesha për të mos ia pohuar këtë Agronit.

Agron Tufën e kam njohur dhe takuar për së pari në vitin 1985, në Peshkopi. Unë nga Reçi, ai ishte nga Sohodolli. Ishim pothuaj moshatarë. Të dy e donim letërsinë. Të dy shkruanim poezi. Mua më botuan asokohe një cikël me poezi tek “Ushtima e Maleve” falë mësuesit tim të ndjerë, poetit Islam Çenga. Agronit nuk ja botonin poezitë asokohe, megjithëse ishte shumë i talentuar. Të dy ishim me biografi të keqe, por ai shumë më keq se unë. Mua mu vonua e drejta e studimit një vit, ai vazhdoi studimet vetëm pas vitit ’90.

Agroni studioi dhe iu përkushtua në kohë të plotë letërsisë. Studioi shumë, krijoi shumë, punoi shumë dhe me përkushtim, botoi shumë. Fitoi disa çmime, sepse ishte i talentuar e shumë kërkues në përkushtimin e tij. Unë krenohesha dhe lumturohesha me letërsinë e tij të spikatur. Krenohesha me suksesin e tij.
Kur mori detyrën e Drejtorit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) mua më erdhi mirë. Kam ndjekur në vijimësi punën, aktivitetet dhe botimet e këtij Instituti. Kam lexuar botime të këtij Instituti me histori dhe ndodhi trishtuese, dëshmi tronditëse e prova drithëruese, autorë e dëshmitarë të mbijetuar që dëshmojnë për këto krime monstruoze e të paimagjinueshme të regjimit komunist e të Sigurimit të Shtetit.

Misioni i tij dhe i kolegëve të tij, u mbështetën me fisnikëri nga Fondacioni Konrad Adenauer. Pa këtë fondacion, puna e tij dhe e institucionit do ishte thuajse një iluzion. Mungesa e kësaj mbështetje nga institucione, organe dhe donacione të tjera tregojnë se kujdestarët që ruajnë qelsat e krimeve të stalinizmit shqiptarë janë më të fortë se ajo pjesë e shoqërisë që kërkon të hedh dritë mbi të kaluarën për të siguruar të ardhmen.
Mbase pikërisht tek mos nxjerrja në dritë e krimeve dhe mos-dënimi dhe mos-denoncimi i tyre, duhet parë dhe lehtësia me të cilën kaloi ylberin e saj politik Rilindja socialiste drejt një kornize autoritarizmi, që po bëhet kërcënim për demokracinë.
Agron Tufa në të gjithë qasjen e tij publike dhe me kontributin shkencorë për zbardhjen e së kaluarës diktatorjale, ishte një pasqyrë e kulluar, e pa krisur, tek e cila nuk donin të shihnin veten armata që i shërbeu atij regjimi. Kjo armatë burokratësh enveristë, në fillim e gjuajti me gurë këtë pasqyrë, për ta thyer. Sulmuan Institutin dhe punonjësit e tij. Ua prenë fondet. Deshën ta shkrijnë. Nuk e bënë dot. Tani që drejtuesi i këtij institucioni iku, ata e pështyjnë me të njëjtën këlbazë, që dikur përdornin kundër imperializmit amerikan, kundër vatikanit. Madje dhe kundër shkrimtarëve “reaksionarë” të veriut ku përfshihej Fishta, Koliçi, Camaj, Pipa, Harapi etj etj.

Kjo është një shfaqje tragji-komike që do të ishte periferike nëse do të kishte në fokus vetëm zotni Tufa. Ishte tërmeti i 26 Nëntorit, në fakt, që bëri edhe një rrënim tjetër: -ky tërmet hodhi poshtë gjithë ngrehinën panagjerike të qeverisë që kish përgatitur për gjoja festimet e 75- vjetorit të çlirimit. Rilindistët kanë kohë që luftojnë e punojnë për ta ndarë shoqërinë tonë të lodhur nga tranzicioni në “Ne” dhe “Ata”. Ky proces seleksionues nuk bëhet si dikur në ballë të brigadave me punëtorët e fermës apo ndërmarrjeve, por përmes syrit vigjilent të kontrollit kibernetik të postimeve në internet.

Agron Tufa edhe sikur të kishte ikur nga kjo jetë (larg qoftë), ai përsëri do mbetej një poet, shkrimtarë e veprimtarë i shkëlqyer i këtyre tre dekadave. Por për fat të mirë ai është i fortë dhe më i kalitur për ta bërë penën e tij një shigjetë drite për vitet që vijnë. Ai do të jetë nobelisti i parë shqiptarë. Pa ekzilin e poetit, ndoshta nuk do ishte i plotë fati i një shkrimtari të shquar si Agron Tufa.
Mjaftuan këto pak ditë dhe reagimet që rrethuan largimin e Tufës, për të kuptuar se sa pak jemi larguar nga vitet ’90! Mjerisht!

Agroni si poet, studiues dhe shkrimtar; i denjë për detyrën që i ishte ngarkuar, u përfshi shpirtërisht dhe u përball me këtë masakër njerëzore që kishte ndodhur nën komunizëm. Reagoi fort e vazhdimisht. Mos vallë s’duhet ta kishte bërë?! Mendoj gjithë ditën që ka bërë gjënë e duhur. Ai ka mbi një vit që u kërcënua indirekt e direkt, në gazetë dhe publikisht, në televizion e në rrugë, nga anonimë dhe njerëz me pushtet. Në misionin e tij u mbështet nga opozita dhe shoqëria, por i gjithë mekanizmi shtetëror ishte krejt kundër tij.

Mendoj që bëri mirë që iku. Iku në një vend të BE-së, duke dhënë dorëheqjen dhe kaq. Sigurimi i fëmijëve për një prind është detyrë themelore dhe e shenjtë. Ai këtë ka bërë. Tashmë është i lirë të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Të shkruaj e krijojë në një vend të lirë. E di, krejt i trazuar dhe i trishtuar për Atdheun që ka lënë. Ikja dhe azili janë krejt personale, nuk përbëjnë vepër penale

Në normalitet, Kryeministri duhet që dikujt t’ia kërkojë llogarinë për këtë ikje. Nuk mund të thotë Kryeministri dhe askush tjetër se Agron Tufa është bandit, nuk mund të thotë se Agron Tufa është kriminel, nuk mund të thotë për të që do ta gjejmë ku të jetë strukur që ta sjellim këtu të japë llogari para drejtësisë së reformuar, siç tha për oficerët e policisë në ekzil (!). Agron Tufa shkruan bukur dhe fliste qartë. Kaq. Nëse qeverisë i vjen e keqja nga këto, atëherë kjo shoqëri duhet të reflektojë thellë se ku po jetojmë, në çfarë regjimi jemi!

Kam ndjekur këto orë reagimet për këtë arratisje! Respekt për Besnik Mustafajn, Elez Biberajn, Bardhyl London, Arben Çejkun, Rexhep Shahun, Izet Durakun, Jonila Godolen, Entela Kasin, Virion Graçin, Agron Shehaj, Pëllumb Nakon, Nebil Çikën, Lindita Çelën, Kujtim Cakonin, Agron Gashin, Balil Gjinin, Faruk Murtajn, Zhaneta Barxhajn, Gentiana Sula –Mara, Erl Kodrën, Parid Turdiun, Yzedin Himën, Bajram Karabollin, Ervin Nezhën, Shkëlqim Abazin etj. Ndjesë për ndonjërin që s'e kam përmendur. Një falenderim për secilin!

Me trishtim kam ndjekur komentet e ndonjë personaliteti të letrave që lëshuan vrerin e tyre të zi kundër Agron Tufës. Nuk do ua përmend emrin, sepse i kam lexuar here pas here, por në këtë rast mu neveritën. Mu neveritën, pasi këta nuk kanë thënë asnjë fjalë kur në Parlamentin shqiptarë u përfaqësuam më banditë e kriminelë, me trafikantë droge e femrash, me përdhunues e me vrasës dhe s’ju kam lexuar asnjë rresht. Agronin le ta shajnë si antikomunist. S’ka asnjë problem, por jo si shkrimtar, si studiues, si përkthyes, si profesor, si qytetar i mirë dhe i angazhuar. Jo, këtë s’duhet ta bëjnë njerëz të të njëjtit profesion si Agroni. Dhe e gjith kjo për hir të parties, të nostalgjisë së tyre për regjimin e kaluar komunist. Pra, atë e shajnë dhe e fyejnë rëndom si antikomunist, pikërisht në këtë moment shumë të vështirë për të dhe për të vetmen arsye se po nxirrte në pah krimet e komunizmit, pra për shkak të detyrës, sepse më parë se të kryente këtë detyrë Agron Tufa as nuk është kërcënuar dhe as nuk është fyer dhe as nuk është shantazhuar nga askush. Kjo nuk është e denjë për njerëzit e letrave dhe mendjehapur. Kjo nuk është e denjë për njerëz që duhet ta duan, ta pasurojnë dhe ta shpien përpara letërsinë e kulturën shqiptare.

Agron Tufa, në këtë sfidë pas 30 vitesh të rrëzimit të komunizmit, mendoj se ishte krejt i vetëm nga përkrahja shtetërore. U ndje i vetëm, i pambrojtur, i pa mbështetur, ndaj dhe u largua. Mbështetja më e mire ishte hetimi i shpejtë, i plotë dhe i gjithanshëm i rasteve të kërcënimeve të tij. Vendosja e autorëve para drejtësisë nuk do kishte sjellë këtë veprim të Z. Tufa.

Ai nuk është një gangster që i ka hyrë rrugës së krimit për të mbijetuar. Nuk ka emigruar për këtë qëllim Agroni. Ai është një shkrimtar, një poet, një njeri i ndjeshëm që iu ngarkua një detyrë që e bëri me pasion, me devotshmëri, me ndjenjë e përkushtim. Prandaj përfundoi kështu. E dhimshme të ndodh kjo me shkrimtarët e një vendi. Në vendin ku ka shkuar do jetë një qytetar model, se i tillë është edukuar e formuar Agron Tufa.

Si një qytetar i angazhuar me 25 vjet përvojë në organet ligjzbatuese shqiptare dhe si drejtues i Policisë së Shtetit për disa vite nuk mund të rri pa u tërhequr vëmendjen ish-kolegëve që janë marrë me rastin e z. Tufa. Një rast i tillë është shumë lehtë për t'u hetuar e për t'u sqaruar. Zgjidhja ligjore e rastit në kohë, identifikimi dhe procedimi i autorëve nuk do krijonte këtë situatë të vështirë për një njeri që nuk i sjell asnjë të keqe shoqërisë, përveçse të mira. Të kenë parasysh ata oficerë dhe prokurorë se janë rrjeshtuar me aktorët kryesorë që imponuan këtë largim të Agron Tufës.

Agronit i uroj shëndet bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët. E këshilloj mos të lexojë gazeta dhe lajme shqiptare, pasi këtu vazhdojnë edhe sot të hapen gazetat me kërcënime kriminale ndaj tij. Ata që kryen krime në kohën e komunizmit e kërcënuan Agronin që kishte detyrë të dokumentonte veprimtarinë kriminale të tyre, janë po ata që sot pas ikjes së tij hedhin baltë për të denigruar figurën e tij. Tipike këto metoda të ish- Sigurimit të Shtetit. Nëse Agron Tufa paska shkelur ligjin pse pikërisht tani hidhen këto shashka të shëmtuara, thjesht e vetëm për të përbaltur figurën e tij?! Sa për sulmet, denigrimet, provokimet, përçmimet dhe korin e sharistave, i kujtoj Agronit fjalën e urtë dibrane; lisin më të gjatë e rreh era më tepër.
Agron, shkruaj i lirë në një vend të lirë. Shkruaj jo vetëm për trishtimin tënd por dhe për dëshpërimin tonë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...