KLSH kishte paralajmëruar që në muajin korrik për problemet me ndërtimet

E mërkurë, 11 December 2019 09:03

Qeveria ishte paralajmëruar prej kohësh mbi problemet në cilësinë e ndërtimeve të cilat u evidentuan më qarta pas pasojave që solli tërmeti i 26 nëntorit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar sot raportin e  auditimit me temë “Sigurimi i cilësisë së veprave ndërtimore” të kryer që me 12 korrik të 2019.

Ky raport u publikua live në emisionin "Tempora" në RTV Ora.

Auditimi u shtri dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Pas përfundimit të punës paraprake audituese u përgatit programi auditues.

Gjetjet dhe rekomandimet përkatëse, institucioneve të mësipërme.

Auditimi fillimisht u përqendrua në Institutin e Ndërtimit, si institucion i ngritur për të siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së qytetarëve, për të krijuar besim dhe garanci për qëndrueshmërinë në objektet e ndërtimit në vendin tonë në mbrojtje të shëndetit të qytetarit dhe të mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si institucion epror, si dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit si dy institucione të rëndësishme që menaxhojnë fondet publike për ndërtimin e objekteve.

"Veprimtaria e Institutit të Ndërtimit për të ndikuar në sigurimin e cilësisë në objektet ndërtimore nuk ka qenë efektive. Çështjet e sigurisë së cilësisë për veprat e ndërtimit duhet t’i besohet një institucioni kompetent dhe të garantohet me ligj, i cili do të ishte i domosdoshëm për ngritjen e këtij institucioni. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke mos u angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor mbi organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit, i cili prej 15 vjetësh funksionon në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Punëve Publike nr. 225, datë 29.06.2004 “Për Krijimin e Institutit e Ndërtimit”, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor që do të ndikonte në sigurimin e cilësisë së objekteve të ndërtimit, nëpërmjet kontrollit të cilësisë së produkteve dhe dhënies së oponencave teknike për objektet ndërtimore. Mungesa e një stafi të kompletuar teknikisht, rekrutimi i punonjësve jashtë profilit dhe pa eksperiencën e domosdoshme, si dhe mungesa e një laboratori të pa akredituar, ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi, që siguron të ardhurat për vet financim" thuhet në raport.

A i ka shërbyer kuadri rregullativ dhe administrativ i përmirësimit të sigurisë së objekteve ndërtimore?

Baza ligjore për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit duhet të përshtatet me dinamikën e zhvillimit të ndërtimit në vitet e fundit. Institucione të ndryshime si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe të vet qeverisjes vendore, kanë qasje të ndryshme ndaj problemeve të njëjtë, për shkak të boshllëqeve të këtij legjislacioni.

Baza ligjore e funksionimit të IN është e pamjaftueshme. Krijimi i këtij institucioni (me objekt kryesor të punës, një fushë shumë të rëndësishme), me një urdhër të ministrit, si dhe funksionimi i tij në zbatim të një rregulloreje të miratuar vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm, krijojnë mundësinë e mosfunksionimit normal të IN.

Në lidhje me këtë , KLSH i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të nisë procedurat për përmirësimin e legjislacionit për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, duke kërkuar mendime dhe sugjerime nga aktorët kryesorë (institucione shtetërore, shoqata, etj) të përshirë në veprimtarinë e realizmit të punimeve të ndërtimit në RSH. Gjithashtu në cilësinë e institucionit epror të IN, MIE të iniciojë hartimin e një VKM-je “Për organizimin dhe funksionimin e IN”, ku të përcaktohen qartë detyrat dhe detyrimet e Institutit të Ndërtimit.

A ka qenë efektive veprimtaria e IN për rritjen e sigurisë së objekteve ndërtimore në vend?

Nga auditimit është konstatuar se kapacitetet profesionale të punësuara në drejtoritë kryesore të Institutit të Ndërtimit, nuk janë në nivelin që kërkon një institucion kontrolli dhe kërkimor - shkencor. Fakti që nga 16 punonjësit e Drejtorisë së Rregullave Teknike dhe Oponencës, 7 punonjës nuk kanë licencë për projektim (edhe pse është kriter i kërkuar) dhe 5 punonjës janë të sapo diplomuar dhe pa eksperiencë në fushën e projektimeve, si dhe kryerja e oponencave nga bashkëpunëtorët e jashtëm, evidenton mungesën e kapaciteteve teknike për kryerjen e oponencave teknike.

Në lidhje me këtë , Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Institutit të Ndërtimit të bëjë ndryshimet e nevojshme në regjistrin e formularëve të përshkrimeve të pozicioneve të punës në Drejtorinë e Laboratorëve dhe në Drejtorinë e Rregullave Teknike dhe Oponencës, në mënyrë që punonjësit e rekrutuar të kenë profesionalizmin për kryerjen e kontrolleve të materialeve dhe produkteve, si dhe për hartimin e oponencave teknike sa më cilësore të projekteve. Gjithashtu Instituti i Ndërtimit të sigurojë qëndrueshmëri të punonjësve të laboratorit

A ka qenë efektive veprimtaria e laboratorit të Institutit të Ndërtimit në funksion të rritjes të nivelit të sigurisë të veprave ndërtimore?

Drejtoria e laboratorëve të Institutit të Ndërtimit ofron shërbime testimi të pa akredituara, për klientët në fushën e ndërtimit, por edhe shërbime të tjera si: Ekspertizave dhe inspektim të veprave ndërtimore për klientë të jashtëm. Në drejtorinë e laboratorëve të Institutit të Ndërtimit, kryhet një numër i madh testimesh me pajisje të pa kalibruara. Kalibrimet e jashtme paraqiten jo të plota dhe jo për të gjitha pajisjet në zbatim të kërkesave të standardit ISO/IEC 17025:2005, pika 5.5, të MC dhe të procedurës DL-PT-07. Për pajisjet që kanë ndikim në cilësinë e testimeve nuk është mbajtur një status i vlefshëm kalibrimi (si p.sh., për makinat e testimit universale (shtypje/tërheqje) apo dixhitale), nuk kanë certifikatë kalibrimi ku të jetë identifikuar data e fundit e kalibrimit dhe data e planifikuar për kalibrimin e ardhshëm (në zbatim të frekuencës së kalibrimit) dhe për pasojë nuk mund të gjykohet mbi mirëmbajtjen korrigjuese të pajisjeve nëpërmjet zbatimit të programeve vjetore të kalibrimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe programeve të mirëmbajtjes parandaluese si dhe sigurimit të gjurmueshmërisë në mënyrë të vlefshme.

A ka qenë efektive veprimtaria e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për rritjen e sigurisë së objekteve ndërtimore në vend dhe përmirësimit të cilësisë së projekteve që zbatojnë?

Standardet e projektimit të banesave, çerdheve, shkollave dhe kopshteve, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 626, datë 15.7.2015, Nr. 530, datë 20.7.2016, Nr. 319, datë 12.4.2017, Nr. 159, datë 1.3.2017 kanë një shumëllojshmëri rekomandimesh, por nuk paraqitet në asnjë pjesë të tyre ndonjë rekomandim konkret ose referencë në lidhje me llogaritjen antisizmike të strukturave.

Përsa i përket riaftësimit strukturor të ndërtesave ekzistuese të kopshteve jepet një rekomandim, i cili është evaziv dhe jo specifik, i cili nuk orienton lehtësisht projektuesit në rast se kërkohet një projekt riaftësimi strukturor.

Referencat si Eurocode 1998-3, për riaftësimin strukturor nuk janë të mjaftueshme, sepse janë në gjuhën angleze, nuk janë të ilustruara me zgjidhje grafike të ndërhyrjeve ku mund të orientojnë më lehtësisht projektuesit. Ndërsa Eurocodet të cilat janë në gjuhën shqipe kanë problematika përsa i përket aksesit nga përdoruesit, terminologjisë, mënyrës së përkthimit dhe fuqisë ligjore në territorin e RSH.

Përsa i përket kontrollit të cilësisë së materialeve të ndërtimit dhe aplikimin e tyre në ndërtesa, ky proces është plotësisht jashtë kontrollit. Nga auditimet e mëparshme të kryera në objekte të ndryshme ndërtimore të prokuruar nga institucione shtetërore, është konstatuar përdorimi i materialeve të një cilësie tepër të dobët dhe jo sipas standardeve.

Në lidhje me këtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të publikojë online/ose në media, raporte periodike në lidhje me verifikimin e cilësisë së materialeve të përdorura për çdo kategori punimesh, dhe të publikojë të gjithë listën e materialeve dhe markave të cilat nuk i përmbushin kriteret minimale të cilësisë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të tregohet më transparente dhe të publikojë online/ ose media, të gjitha vendimet e marra në lidhje me penalitetet për subjektet që ushtrojnë aktivitetin në fushën e projektimit, mbikëqyrjes, kolaudimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.

A është efektiv veprimtaria e laboratorit të ARRSH-së në funksion të rritjes së nivelit të sigurisë së veprave ndërtimore dhe nëqoftëse ky laborator është i akredituar?

Nga auditimet e kryera në Autoriteti Rrugor Shqiptar, ky laborator nuk rezulton efektiv përsa i përket rritjes së cilësisë së punimeve të ndërtimit. Nga ARRSH nuk administrohen në mënyrë korrekte kampionet e marrë, kjo edhe për shkak të ambienteve jo të përshtatshme ku ndodhet laboratori aktual dhe magazinimit të kampionëve. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, megjithëse zbaton projekte me vlera të konsiderueshme, si të infrastrukturës rrugore, bulevarde, sheshe, rikonstruksione godinash dhe sinjalistikë rrugore, nuk disponon asnjë pajisje laboratorike për kryerjen e provave të materialeve të përdorur.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...