Nga Armand Shkullaku/
Janë të shumtë ata që mendojnë se tërmeti i 26 nëntorit ra si një goditje fati për Edi Ramën. Kryeministri, i mbërthyer nga monotonia dhe pasiviteti, pa asnjë rezultat në qeverisje përveç projekteve 3D, që nuk kapërcejnë kurrë ekranin e kompjuterit, me një krizë politike që e ka gozhduar ekonominë e vendit, me një qeveri që del në punë për të mos punuar, me mbetjen në klasë në procesin e integrimit, me një listë kushtesh nga ndërkombëtarët, ku përfishet edhe dënimi i zyrtarëve të lidhur me krimin dhe që kanë vënë dorë mbi zgjedhjet, pra një kryeministër me bilancin më të errët në 30 vite pluralizëm, të cilit papritur iu dha një mundësi për t’u rishfaqur në skenë si lideri që ka në dorë fatin e shqiptarëve.
Në fakt, tërmeti erdhi si një shkarkesë elektrike për të zgjuar nga letargjia e dembelizmit dhe premtimeve boshe, kryeministrin e mplakur nga pafuqia për të qeverisur. Që në orët e para të mëngjesit, ai la përkujdesjet për mjekrën për të rrëmbyer mundësinë unikale të një protagonizmi pa kufi. Adrenalina e situatës e ka bërë të zgjohet që pa gdhirë dhe të mbajë mbledhje qeverie që në orën shtatë. Pastaj të dalë nëpër zonat e dëmtuara për t’u ofruar cirkun shëtitës viktimave të tërmetit, që përcillet live hap pas hapi në çdo ekran që mundet.
Ai përsërit pa kurrfarë vetëpërmbajtje se po të kishte ikur nga detyra, shqiptarët do t’i kishte marrë lumi. Se ai dhe vetëm ai, do t’u japë shtëpi të gjithë të dëmtuarve; se ai dhe vetëm ai ka fuqinë (ndonjëherë e përafron si rastësisht me atë të Zotit) të garantojë të ardhmen e tyre.
Është e vërtetë se pikërisht në një kohë krize të plotë, tërmeti duket sikur i dha Edi Ramës, nga dështimi i qartë, një mundësi të re për të premtuar, për të marrë përsipër një projekt, pa dhënë llogari për të tjerat që mbetën veç në letër. Këtë rast për të rinovuar veten kryeministri e kapi në ajër. Ai fshiu nga daljet publike çdo figurë tjetër që mund t’i bënte hije në protagonizëm. Në qendër është ai dhe vetëm ai. Madje dhe reputacionin e Erjon Velisë, kur një fëmijë i pafajshëm e ngatërroi me të, e eleminoi me një të rënë me furçë me bojë.
E goditur nga performancat shpesh të çartura të kryeministrit (u flet qenve, ngre në ajër fëmijë të traumatizuar nga tërmeti, u nxjerr gishtin e mesit të rinjve që e kundërshtojnë, lëshon pasthirrma të çuditshme apo përdor të sëmurë mentalë për të bërë gallatë) një pjesë e opinionit publik po shpreh pakanqësi ndaj opozitës që nuk po përpiqet t’i vërë fre këtij populizmi pa cak të Edi Ramës. Edhe kjo gjë shihet si një lloj triumfi i protagonizmit të kryeministrit.
Dhe po t’u shtosh këtyre elementëve edhe thashethemet për sondazhe që nuk ndalen së rrituri në preferenca për Ramën, ngjan vërtet se tërmeti erdhi si një bekim për një kryeministër të dorëzuar në pafuqinë e tij.
E megjithatë, ky fenomen i rizgjimit të Edi Ramës, nuk do të zgjasë më shumë se sa populizmat e tjera të tij. Shumë shpejt do të shkojë koha e cirkut dhe do të vijë ajo e menaxhimit, ku ai di të shkëlqejë me paaftësinë personale dhe abuzimin e organizatës që përfaqëson. Do trokasë ora e punëve konkrete dhe jo e dialogut me qentë e Kasharit. Do kërkohen bilance dhe rezultate konkrete, të cilat një njeri që nuk arriti t’i ketë në 6 vjet nuk mund t’i prodhojë në 6 muaj. Populizmi, shfaqjet teatrale me legalizimet, premtimet për rilindje urbane apo përbetimet se në kto vjet u bë shtet sa në 26 vite bashkë, janë shkërrmoqur si betoni i Durrësit. Edi Rama nuk mund të rishpikë një fabul të re për sa kohë që po shfaqet i njëjti edhe përgjatë kësaj krize humanitare që po kalon vendi.
Prandaj kryeministri duhet lënë ta çojë deri në fund edhe shfaqjen e radhës. Përballë tij, opozita ka mundësinë të krijojë diferencën edhe pa bërë gjë fare. Mjafton të jetë normale. Nën bomardimin e sëmurë mediatik të Edi Ramës ajo që bie më shumë në sy është nevoja për të patur politikanë normalë. Që nuk takojnë Ronaldon dhe as “vdesin” për gratë e Laçit, por që sillen si njerëz seriozë për përgjegjësitë e tyre.
Tërmeti e shkundi vërtetë Edi Ramën, por mund t’i ketë shkundur edhe shqiptarët për të kuptuar më në fund se cirku i fjalëve dhe i batutave i ka sjellë sot në gjendjen ku janë.