Pas kritikave publike të ambasadës amerikane në Tiranë mbi futjen e teknologjisë 5G, qeveria shqiptare ka vendosur të tërhiqet.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar një memorandum bashkëpunimi me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë 4G dhe 5G.
Në vendimin e marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nuk jepen detaje të tjera mbi memorandumin, përveç se thuhet se vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara mbi përdorimin e pajisjeve teknologjike të prodhuara në Kinë.
Ambasada amerikane bëri dy postime publike në faqen e saj mbi këtë teknologji duke paralajmëruar Shqipërinë.
“Rrjeti 5G do të shtrihet shumë shpejt kudo por a keni besim në kompanitë që po ndërtojnë rrjetet 5G? Si mund ta dini se ato nuk do të keqpërdorin të dhënat tuaja?” shkruhet në një postim në faqen zyrtare në “Facebook” në fillim të muajit nëntor.
“Kur flitet për infrastrukturën 5G dhe atë kibernetike kritike në Shtetet e Bashkuara dhe në vende aleate të NATO-s siç është Shqipëria, ne nuk mund të jemi më të qartë: siguria nuk mund të kompromentohet apo të shitet. Është jetike të merret në shqyrtim nëse furnizuesit i nënshtrohet kontrollit nga një qeveri e huaj pa një shqyrtim gjyqësor të pavarur, nëse respektohen të drejtat e pronësisë intelektuale, dhe çfarë të kaluare kanë palët shitëse në lidhje me respektimin e shtetit të së drejtës. Në këtë këndvështrim, Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe aleatët e NATO-s duhet të largohen nga ofrues dhe rrjete furnizmi jo të besueshme të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në ato të besueshme… Liria nuk vjen falas dhe liria nuk është në shitje”, shkruante ambasada amerikane më 18 nëntor.
Ishte kryeministri Edi Rama ai që paralajmëroi shtrirjen e teknologjisë 5G edhe në Shqipëri.
“ME TIMON PA TIMON SHOFERI JON OSHT KAMPION” thotë ajo kënga e vjetër, ndërsa këtu jam unë që i jap makinës pa prek timon me dorë… Sot nisi në Shqipëri revolucioni industrial mbi teknologjinë 5G”, shkruante Rama ne FB.
“5G nuk do të ndalet vetëm në komunikimin mes njerëzve, por do të aktivizojë edhe lidhjen mes njerëzve dhe pajisjeve teknologjike në distancë, por edhe mes vetë pajisjeve”, deklaronte në 2014 drejtori ekzekutiv i Huawei, Eric Xu. Shembulli më tipik për nevojën e kësaj teknologjie janë projektet për makinat pa shofer, që vetëdrejtohen.
Pse është e shqetësuar SHBA?
Ambasada amerikane njoftonte ditë më parë se kompania Huawei shpreson të prodhojë dhe shesë pajisjet e saj të rrjetit 5G në të gjithë botën. Sidoqoftë, ka arsye të qarta që vendet dhe konsumatorët të veprojnë me kujdes.
Huawei ka selinë në Kinë, një vend pa një gjyqësor të pavarur ose një ligj të zbatueshëm. Kina madje ka një ligj që kërkon që kompanitë të ndihmojnë qeverinë për të spiunuar. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë për të sfiduar qeverinë kineze nëse urdhëron një kompani të spiunojë ose të vjedhë të dhëna.
Për më tepër, Huawei gjithashtu ka një histori të shkeljeve etike, duke përfshirë vjedhjen e sekreteve nga konkurrentët e saj.
“Ka një histori të gjatë vjedhjes së pronës intelektuale nga Huawei dhe shkelje të ligjeve të korrupsionit në të gjithë botën,” thotë një zyrtar amerikan.
Kur bëhet fjalë për 5G, ShBA dhe aleatët e saj “duhet të sigurojnë që ne kemi vetëm furnitorë të besuar në rrjetet 5G.”
/S.Ll/Panorama/