Vasili thirrje medias shqiptare: Koha t’i thoni ndal këtij pushtuesi

E Enjte, 12 December 2019 12:52

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, përmes një deklarate për shtyp, i ka bërë thirrjeve medieve në vend që të tregojnë fuqinë përballë kryeministrit Edi Rama, për të cilin Vasili thotë se ka nisur betejën për të mbytur fjalën e mirë. Duke marrë shkas nga ”Paketa Antishpifje” e qeverisë, Vasili shton se: Shqipëria po bëhet shembull i shkeljes në mënyrë flagrantë të lirisë së medias. Koha t’i thoni ndal këtij individi, këtij pushtuesi”.

 

Deklarata e plotë e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare, Shqipëria është pllakosur në këto momente nga fatkeqësia shumë e rëndë natyrore që ajo u përball siç ishte tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ai që i parapriu më 21 shtator, gjithashtu edhe ai një tërmet shumë i rëndë. Pikërisht në këto moment në tërë opinionin publik është shfaqur më e zezë se kurrë hija e betejës dhe e luftës e hapur nga fronti i kryeministrit për të mbytur me çdo kusht dhe me çdo mjet fjalën e lirë, pra një betejë frontale ndaj medias shqiptare, të gjitha llojeve të formave të saj, vizive, të shkruar, virtuale në mënyrë që të kontrollohej gjithçka edhe në këtë pushtet të katërt, ku në të duhet të pasqyrohen dhe reflektohen vetëm mashtrimi dhe demagogjia e përditshme që ai gatuan në kuzhinën e tij mediatike, për t’ia shitur shqiptarëve dhe për t’i mashtruar dhe hedhur hi syve atyre.

Sigurisht që lind ky moment dhe ky shqetësim madhor për një dimension thelbësor të demokracisë siç është liria e medias dhe e shprehjes. Në momentin kur Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së dhe ku do të jetë ajo që do të mbrojë standardet më të mira dhe më të larta të lirisë së shprehjes bëhet shembull i shkeljes në mënyrën më flagrante dhe më të padëgjuar të lirisë së medias. Përballë kryeministrit ndodhet i gjithë opinioni publik, ndodhet opozita shqiptare dhe media, ne mbështesim të gjithë debatin e nisur, mbështesim të gjitha qëndrimet që të gjithë aktorët mediatikë kanë mbajtur në diskutimin që po bëhet në Parlamentin e shportës së karevidheve, por njëherazi mendojmë dhe jemi të bindur që përballë këtij pushteti arrogant të kryeministrit, përballë këtij agresiviteti të kryeministrit, përballë gjuhës së kryeministrit, i cili e konsideron median hale, qenef, i konsideron analistët lehaqenë apo qen që lehin.

Të më ndjejë publiku shqiptar që i përsëris, por janë ato fjalë, të cilat kryeministri i ka karakterizuar mediat dhe përballë këtij kryeministri ndodhet kjo media e karakterizuar si e tillë dhe më parë e konsideruar si kazan.
Sot pushteti i katërt i medias ndodhet përballë tij. Sigurisht ka të drejtën dhe fuqinë e debatit, ka të drejtën dhe fuqinë e argumentit, por përballë një kryeministri të shurdhër, të velur nga pushteti i parave të pafund, arrogant e të bërë njësh me krimin, që përdor e shpërdor një Parlament ilegjitim të mbushur me njerëz ilegjitim, të mbushur me njerëz pa personalitet që thjesht dhe vetëm noterizojnë të gjitha veprimet dhe aktet e tij njëri më i lig dhe anti-demokratik se tjetri, ka vetëm një mënyrë veprimi që pushteti i katërt i medias të tregojë fuqinë e tij dhe të vendosë me qëndrimin e tij një standard të njëjtë e të barabartë për të gjithë politikën shqiptare, qoftë ajo në pushtet apo në opozitë që është standardi me të vërtetën.

Pra, çdo e vërtetë që vjen qoftë nga opozita, qoftë nga qeverisja, qoftë nga qytetari më i thjeshtë të ketë të drejtën e qytetarisë në media. Të nderuar njerëz të medias, pronarë, gazetarë, kameramanë, personeli ndihmës e të tjerë që prodhoni produktin mediatik sot ka ardhur koha për t’i thënë njëherë e mirë ndal këtij individi, këtij pushtuesi të medias i cili krahas pushtetit të tij të parë ekzekutiv kërkon dhe pushtetin e katërt ta bëjë të tijin, pasi ju e dini që ai ka prodhuar dhe televizionin e tij ERTV prandaj sot publikisht i drejtohem këtij pushteti që të tregojë fuqinë e tij dhe vendosjen e standardit të së vërtetës me veprime konkrete dhe veprimi konkret do të ishte bëjeni black, bllokojeni, refuzojeni ta reflektoni dhe ta pasqyroni Edi Ramën, kryeministrin pushtues të shqiptarëve dhe lëreni atë vetëm me ERTV e tij, le ta shohim sesi mund të përballet ky njeri përballë shqiptarëve kur në momentin që ai te këto media që i ka konsideruar qenef, hale dhe lehaqene t’i gjejë të mbyllura dyert e saj për mashtrimet dhe gënjeshtrat e tij.

Besoj që ky është veprimi i qartë, i prerë dhe i fortë për mashtrimin publik. Prodhuesi më i madh i mashtrimit publik mbetet Edi Rama dhe kundrejt mashtrimit publik ka vetëm një qëndrim refuzimi i prerë, bëjini pra të gjithë ju militantë të medias falë të cilave të vërtetat e tërmetit dolën në shesh, falë punës së vyer dhe sakrificave tuaja e vërteta doli në shesh, falë gazetarëve që qëndruan bashkë me forcat e kërkimit shpëtimit ata në mes të gërmadhave duke rrezikuar veten dhe falë jush ne mësuam të vërtetën, jo falë kryeministrit pra qëndrimi ndaj këtij është vetëm një, bëjeni black, bëjeni të zi, refuzojeni që ai të kuptojë që përballë ka punëtorë të së vërtetës dhe nuk ka as hale, as qenef dhe as lehaqen dhe ky standard njëherë e përgjithmonë të jetë standardi i pandryshueshëm i demokracisë që ka nevojë shumë për mediat dhe pasqyrimin e saj për këdo që është në politikë sot në mazhorancë, nesër në opozitë apo e anasjella. Ky është mësimi më i madh që shqiptarët presin për të parë te ky pushtet i katërt mundësinë që ata të thonë të vërtetat e tyre por dhe mundësinë për të mësuar të vërtetat nga ai pushtet. Ju faleminderit të gjithëve.

Login to post comments